Komandanti që synonte dyfishimin e “ushtarëve”, por i dezertuan në betejën e 6 tetorit  

Taksa 100% kundër Serbisë dhe bërja e ushtrisë së Kosovës kishin rritur vetëbesimin e Ramush Haradinajt. Vendimet që përkonin me natyrën e tij prej komandanti ishin pritur mirë në opinion. Ai besonte se ushtria e tij, AAK-ja, do të dyfishohej në betejën politike të 6 tetorit. Por, sovrani më 6 tetor tregoi se komandanti i njohur nga Dukagjini nuk kishte arritur të bindte votuesit. Ata e ndëshkuan për imazhin e dëmtuar të koaliconit PAN, ku Haradinaj kishte rolin udhëheqës si kryeministër. 

Komandanti që synonte dyfishimin e “ushtarëve”, por i dezertuan në betejën e 6 tetorit  

Ramush Haradinaj, dy herë radhazi la në gjysmë detyrën e kryeministrit të Kosovës, për tu përballur me drejtësinë ndërkombëtare. 100 ditshi i parë i qeverisë së parë të tij, e as qeverisja e tashme prej gati dy vjetësh nuk e bindi elektoratin që ta votojnë atë për një mandat të ri si kryeministër dhe programin që e synonte për 100% shtet.

Rezultatet preliminare të KQZ-së, pa votat e diasporës, votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta e renditin AAK-PSD që ishin në koalicion parazgjedhor, si të katërtën në nivel vendi. Ajo ka arritur të marrë besimin e vetëm 92.149 votuesve apo 11.57%. Ndryshe, në Kuvendin e Kosovës, pritet t’i ketë 14 deputetë.

AAK-ja, bashkë me partnerin kryesor të bashkëqeverisjes për 679 ditë, Partinë Demokratike të Kosovës, do të jenë në opozitë. Ndërsa partneri më i vogël i saj në koalicion, Nisma Socialdemokrate, ende po përpëlitet që ta kalojë pragun zgjedhor. Nuk dihet ende se cili do të jetë fati i saj.

Por, një gjë dihet saktë: Për të tre ish-partnerët qeverisës vendimi i sovranit më 6 tetor ishte fatal.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme, erdhën pas dorëheqjes se Haradinaj, i cili u ftuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë, si i dyshuar për krime lufte gjatë kohës sa shërbeu si komandant i UÇK-së.

Dorëheqjen e pati paralajmëruar me një fjalim emocional, duke thënë se nuk dëshiron të niset për Hagë si kryeministër pasi që nuk donë që shteti i Kosovës të jetë në bankën e të akuzuarve.

Garoi në zgjedhje si kandidat për kryeministër duke insistuar se do ta mbajë taksën prej 100% ndaj produkteve serbe, edhe përkundër refuzimit të vazhdueshëm nga ndërkombëtarët. Kjo këmbëngulësi i dha lavdinë prej rezistenti kundër Serbisë, duke e vendosur në plan të dytë për herë të parë presidentin Hashim Thaçi. Po ashtu, duke rivalizuar Albin Kurtin përkrah nacionalizmit.

Por, plani i tij dështoi. Votuesit e ndëshkuan atë ndoshta edhe për shkak të vendimeve të pa lëvdueshme që mori gjatë këtij mandati në krye të qeverisë, ku përfshihet punësimi i militantëve, abuzimi me vetura zyrtare e emërimi i një flote prej mbi 80 zëvendës ministrash.

Si erdhi Haradinaj deri te posti i kryeministrit dhe 100 ditshi i mitizuar

Ramush Haradinaj ishte komandant i zonës operative të Dukagjinit. Menjëherë pas luftës, atëherë kur komandantët kishin filluar të merrnin për vete pozita të rëndësishme në atë që quhej Qeveri e Përkohshme, Haradinaj ishte vendosur në pozitën e zëvendëskomandantit të TMK-së. Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK-së), u formuan pas vitit 1999, nga shpërbërja e UÇK-së.

Pozita e zëvendëskomandantit të TMK-së, nuk e përmbushte atë. Haradinaj në vitin 2000 e formoi partinë e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kryesisht me ish-pjesëtarë të UÇK- së.

Kryetar i vetëm i kësaj partie që prej ditës kur u formua ka qenë Ramush Haradinaj. Ai është parë si themelues dhe drejtues i vetëm  i AAK-së edhe në kohën kur fizikisht nuk ishte në Kosovë, gjatë kohës kur ishte i burgosur nga Haga e gjykohej për akuzat për krime lufte.

AAK-ja menjëherë i kishte hyrë garës zgjedhore.

Në zgjedhjet e vitit 2001, kishte arritur që të sigurojë 10 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Kurse në vitin 2004,  11 ulëse duke hyrë në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Haradinaj u bë kryeministër i vendit. Këtë pozitë e mbajti për 100 ditë, deri në mars të vitit 2005 kur dha dorëheqje pasi që mori ftesë nga gjykata e Hagës.

Haradinaj kishte dal i pafajshëm në vitin 2008 nën akuzat me të cilat e ngarkonte Haga, pas një procesi të gjatë. Por rasti u kthye ne rigjykim, për tu shpallur sërish i pafajshëm në vitin 2012.

Pas dorëheqjes së Haradinajt, në krye të qeverisë ishte vendosur Bajram Kosumi, i cili gjithashtu kishte dhënë dorëheqje, por ky për shkak të keqpërdorimeve. Posti i kryeministrit i mbeti Agim Çeku, deri në zgjedhje të vitit 2007.

Rrugëtimi i rikthimit të Haradinajt në postin e shumë kërkuar

100 ditshi i Haradinajt në karrigen e kryeministrit ia kishte rritur atij ambicien për këtë post, të cilin e synoi për plot 13 vite.

Haradinajt, ishte vazhdimisht në kërkim të tij. E kishte besuar madje se Hashim Thaçi do ia ofronte këtë post kur në vitin 2012 u kthye i pafajshëm nga Haga e kur Thaçi i kishte organizuar pritje në aeroportin e Prishtinës, duke ia shtruar edhe tepihun e kuq. Por kërkesa e Haradinajt për pozitën e të parit të qeverisë, ishte  shpërfillur nga Thaçi.

Ai madje e talli në vitin 2016, kur në Kuvend po diskutohej çështja e Gjykatës Speciale.

“Do të doja ta qartësoja z. Haradinajn, sa i përket tepihut të kuq. Realisht unë e çmoj gatishmërinë që e ka tregu z. Haradinaj m’u ballafaqu me drejtësinë  –  i ka dalë mirë edhe atij, edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, edhe Kosovës. Mirëpo, pastaj në momentin që mendove se duhet me ardhë edhe në Zyrën e Kryeministrit (të bëhesh kryeministër)…, qaty ti e din…”, ishte tallur me të Thaçi gjatë seancës parlamentare.

Pavarësisht veprimeve të Thaçi karshi Haradinajt, pasardhësi i Thaçit në parti, Kadri Veseli, ia dhuroi postin e shumë kërkuar Ramush Haradinajt.

Ani pse Haradinaj, thoshte se nuk do të hynte kurrë në koalicion me PDK-në, ai ndërroi mendje kur iu ofrua posti i kryeministrit. Madje 5 minuta para se të përfundonte afati zyrtar për dorëzimin e listave të koalicioneve, zyrtarizuan koalicion PAN, që njihej si “krahu i luftës”, në përbërje të AAK-PDK-Nisma.

Në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit ky koalicion mori numrin më të madh të votave nga elektorati  me 33.74 për qind, apo 39 ulëse në kuvend. Vetëm 10 deputetë ishin nga AAK-ja.

Por për të formuar qeverinë i duheshin edhe vota të tjera. Pas dy muajve mezi arriti të krijojë një qeveri me këto tri parti dhe me votat e deputetëve të Listës Serbe të dirigjuar nga Beogradi.

Qeverisja e shkurtër e PAN dhe vendimet skandaloze të Haradinajt

Plotë 679 ditë, Ramush Haradinaj qeverisi me vendin.

Por shumë shpejt nisi të marrë vendime, të cilat u cilësuan skandaloze. Ia rriti pagën vetës dhe këshilltarëve të tij. Ndau para nga fondi emergjent për pagesat e rrymës në veri, emëroi mbi 80 zëvendës ministra, fali borxhlinjtë e ujit, qeveria e tij punësoi militant të shumtë, veturat zyrtare abuzoheshin me të madhe duke u përdorur edhe në bregdet nga zyrtarë qeveritar, etj.

Por gjatë mandatit të tij si kryeministër pati edhe vendime të mira: U formua ushtria e Kosovës, kaloi ligji për Trepçën dhe u vendos taksa 100% ndaj produkteve serbe e boshnjake.

Mirëpo, as PAN-i nuk pati jetë të gjatë, në qeverisjen e vendit, sikurse edhe qeveria paraprake e Isa Mustafës, i cili kishte arritur të bëhej kryeministër pasi kishte tradhtuar bllokun opozitar të partive për tu bashkuar me PDK-në.

Me PDK, Nisma e Listën Serbe, Haradinaj qeverisi deri me 19 korrik të këtij viti, kur edhe dha dorëheqje, pas një ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë.

Dorëheqja e tij e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme, që do të mbaheshin më 6 tetor.

Humbja e AAK-së me 6 tetor 

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës,  nuk priti shumë nga shpërbërja e Kuvendit të Kosovës, dhe lidhi koalicion parazgjedhor me Partinë Socialdemokrate, të Shpend Ahmetit.

Fushatën e nisën me moton 100% shtet, duke u bazuar në taksën. Bënë premtime të shumta për punësime, e rritje të pagave të sektorit privat.

Madje ata pak para shpalljes së datës së zgjedhjeve, publikuan një sondazh në bazë të të cilit kjo parti do t’i fitonte 22 përqind, pasi që, sipas këtij sondazhi, 58.6%  e qytetarëve të anketuar janë deklaruar të kënaqur me punën e Kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj.

Për fatin e keq të këtij koalicioni, sovrani vendosi ndryshe. Koalicioni arriti të marrë besimin e vetëm 11.57% të votuesve.

Ndonëse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ishte në koalicion parazgjedhor me Partinë Socialdemokrate, kjo e fundit nuk kontribuoi asgjë në rritjen e këtij subjekti politik. AAK-ja mbeti me aq vota sa ishte tradicionalisht, gjithmonë rreth 11%. Po ashtu PSD, rrezikon të mbetet pa asnjë deputet që do ta përfaqësonte në kuvend.

Por, gjërat shkuan edhe më keq.

AAK-ja madje humbi edhe dy komuna të rëndësishme që i kishte në zgjedhjet e vitit 2017. Nga shtatë komuna sa pati, të dielën e 6 tetorit fitoi vetëm pesë prej tyre. Ndonëse i pari i AAK-së, gjatë fushatës ishte i bindur se do ta rrisë numrin e komunave në 11.

Rezultati i zgjedhjeve të së dielës del të jetë krejt ndryshe nga ajo çka paralajmëroi ai. U pa qartë se Haradinaj ia huqi në parashikime.  Jo që nuk e rriti numrin e votave nëpër komuna por i humbi Obiliqin e Suharekën.

Në Obiliq doli e para Lëvizja Vetëvendosje, që është edhe fituese e këtyre zgjedhjeve me 25.49%, kurse në Suharekë, Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.84% të votave.

AAK e pranoi humbjen edhe përmes një konference për media, thanë që do të qëndrojnë në opozitë.  Por këtë rezultat e quajti rritje të ndjeshme të AAK-së.

“Nga trendi që shihet që ne jemi afër 100 mijë vota. Që është numër i madh dhe besim i qytetarëve. Krahasuar me zgjedhjet e kaluara është një rritje e ndjeshme. Rreth 35% rritje. AAK në këtë rast koalicioni ynë pranon rezultatin, nuk kërkojmë rinumërim apo nuk e kontestojmë votat, as nuk kërkojmë përmbysje të rezultatit”, tha Haradinaj. / Insajderi.com