Kompania iraniane në listën e zezë të BE-së e ShBA-së – Dogana ndalon dy kamionë me vajra në Mitrovicë

Dogana e Kosovës ka ndaluar në fillim të muajin shkurt dy kamion me vajra që vinin nga Irani në Kosovë, pasi që kompania importuese iraniane është në listën e zezë të Bashkimit Evropian dhe ShBA-së. Dogana i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme për të marrë një përgjigje se si duhet të veprojë në këtë rast kurse kompania nga Kosova “BTP Holding SH.P.K.” që priste t`i vinin këto vajra, tash duhet të paguaj mbi 400 euro çdo ditë për mallin e ndaluar. Pronari i kësaj kompanie thotë se ka kërkuar nga dogana që malli të kthehet mbrapsht.

Kompania iraniane në listën e zezë të BE-së e ShBA-së – Dogana ndalon dy kamionë me vajra në Mitrovicë

Zyra Doganore në Mitrovicë, me 4 shkurt të këtij viti, ka ndalur dy kamion me mallra “vajra bazik”  që vinin nga Irani, pasi që firma importuese iraniane figuron në listën e zezë nga Bashkimi Europian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Gazeta Insajderi.

Gazeta Insajderi ka mësuar se bëhet fjalë për kompaninë “SABALAN CO” e cila importonte vajra nga Irani, drejt Kosovës për prodhuesin nga Kosova “BTP Holding SH.P.K.”.

Dy maune me nga 24.000ton me vaj bazik, i cila përdoret për prodhimin e vajrave motorike dhe Industriale, kanë ardhur në Kosovë me datën 4 shkurt, por se ato kanë mbetur në doganën e Mitrovicës, tash e 15 ditë.

Kompania BTP Holding, me bazë në Vushtrri që ka porositur këtë mall tash duhet të paguaj një koston ditore prej 460€ për maunet dhe shoferët e bllokuar, shkruan Gazeta Insajderi.

Rastin për Gazetën Insajderi e ka kanë konfirmuar edhe Dogana e Kosovës, e cila ka thënë se këta dy kamion janë ndalur pasi që firma nga Irani është nën sanksione nga BE dhe SHBA.

Tutje, thuhet se këta dy kamion janë ndalur përkohësisht dhe se rasti është referuar në Ministrin e Punëve të Jashtme.

“Zyra doganore Mitrovicë me datën 04.02.2020 ka ekzaminuar dy importe me llojin e mallit “vajra bazike”, me eksportues një kompani nga shteti i IRANIT, pas shqyrtimit të dokumentacionit ka rezultuar se ky entitet është nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, andaj për nevojat e verifikimit të mëtutjeshëm, malli është ndalur përkohësisht derisa rasti është referuar në Ministrin e Punëve të Jashtme. Deri në një vendim të MPJ-së, lënda mbetet nën mbikëqyrje doganore”, thuhet në përgjigjet e Doganës së Kosovës dhënë Insajderit.

Nga ana tjetër drejtori i kompanisë BTP Holding SH.P.K.”, Sabri Hasani, tha për Gazeta Insajderin se nuk kanë qenë në dijeni se kompania nga Irani është në listën e zezë dhe se porosinë e vajit nuk e kanë bërë ata vet por përmes një kompanie tjetër të Kosovës.

“Ne nuk kemi pas njohuri për asgjë është hera e parë që punojmë më këtë kompani. Kompania BTP HOLDING e cila merret me prodhimin e vajrave motorrike, ka bërë porosinë e vajit bazik përmes kompanisë Topanica me seli ne Prishtine ku kjo e fundit ka bërë porosinë e këtij ajo nga prodhuesi me origjinë nga Irani”.

Hasani thotë se kanë bërë kërkesë në doganë që malli të kthehet porse dogana u ka thanë se presin përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme.

“Ne nuk kemi kurrfarë ndalese sa i përket kompanisë tonë, poashtu kemi bërë kërkesë 10 herë në doganë që ta kthejë malli pasi ka ndalesë, por sipas tyre pa një përgjigje nga MPJ nuk mundet me u bë zhdoganimi i mallit”, Sabri Hasani.

Sipas Hasanit, kompania ka koston ditore prej 460€ në ditë për maunet dhe shoferët e bllokuar.

“Kompania BTP Holding ka respektuar të gjitha procedurat dhe normat ligjore për plotësimin e kushteve për përdorimin e këtij vaji bazik. Përkundër të gjithë dokumentacionin e kompletuar Dogana e Kosovës ende nuk ka bërë lëshimin e këtyre maunave dhe ende po mbahen në terminalin doganor në Mitrovicë pa u informuar për arsyet e mbajtjes nga ana e doganës. Deri me tash kompania BTP Holding ka drejtuar kërkesën për lejimin apo informim rreth arsyes të ndalesës së këtyre mauneve tek Dogana, Mini. E Punëve të Jashtme dhe së fundmi i u thënë që lënda ose vendimi rreth lejimit apo kthimit mbrapsht duhet të merret nga vet Kryeministri i Kosove”, tha Hasani për Insajderin.

Nexhmi Topanica nga kompania “Topanica” përmes së cilës “Holding” ka porositur vajin, në një përgjigje për Insajderi tha se nuk ka qenë i informuar se kompania iranine është në listën e zezë.

“Unë punoj me vajra bazike që 12 vite me këtë kompani nga Irani. Kam qenë ndërmjetësues i kompanisë “Holding”, askush nuk më ka informuar që janë në listë të zezë, ose që ka embargo”.

Sipas Topanicës mallin e kishte porositur dy ditë para se ShBA t`i vendoste embargo Iranit.

“Unë e kam porosit malli, kur kam marr informata që është ndal e kom thirr doganën më kanë thanë që nga konfliktit SHBA-Iran, prej ati momenti ka pas ndalës, që nga data 15 janari jo më herët. Kurse malli është porosite me datë 13 janar”, tha Topanica.

Rasti tash ka shkuar të Ministria e Punëve të Jashtme. Pyetjeve të gazetës se çfarë vendimi do të merret lidhur me këtë rast nuk u është përgjigjur ende as Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

Marrëdhëniet mes shteteve të bashkuara të Amerikës dhe Iranit, kanë qenë gjithnjë të ndërlikuara. Që kur SHBA filloi të zbatojnë sërish sanksionet ndaj Iranit në nëntor të vitit të kaluar, Irani ka qenë shumë i kufizuar në eksportet e tij të naftës, që vazhdon të ketë një ndikim negativ në ekonominë e vendit. Sanksionet e SHBA-së parashohin ndëshkim për kompanitë që bëjnë tregti me Iranin. /Insajderi.com