Katër mure jashtë e dy brenda Kalasë së Novobërdës, janë shkatërruar. Muret e kësaj kalaje, renovimi i së cilës kishte nisur në vitin 2015-të janë rrëzuar pjesërisht, dy vite pasi ka përfunduar renovimi nga kompania serbe “Koto”. UNESCO përmes së cilës është realizuar projekti ka heshtur karshi shkatërrimit që i është bërë kalasë
Asnjë vizitorë nuk ka hyrë në Kalanë e Novobërdës që nga marsi i këtij viti.
Aty ku ruhet historia qindravjeçare, është rrezik të qëndrosh, ani pse kompania serbe “Koto” e cila kishte kryer punimet në vitin 2016, kishte dhënë leje për vizitorët. Katër mure jashtë dhe dy brenda Kalasë, tashmë janë shkatërruar. Gurët nga muret vazhdojnë të bien dita ditës, shkruan Insajderi.
Renovimi i kalasë ka nisur në vitin 2015. Atëkohë Komisioni Evropian pati ndarë 1.1 milionë euro, për investime në Kalanë e Novobërdës.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Shkencë, Edukim e Kulturë (UNESCO), si menaxhuese e këtij fondi kontraktoi kompaninë serbe me seli në Beograd “Koto” për kryerjen e punimeve dhe kompaninë “Omega Engineering” me seli në Dubrovnik për hartimin e projektit konservues e restaurues, si dhe për mbikëqyrjen e punimeve, shkruan Insajderi.
Punimet ishin kryer brenda një viti. Materiali që është përdorur për renovim ka qenë gëlqere dhe zall. Ndërsa koha kur janë kryer punimet ka përfshirë edhe stinën e vjeshtës dhe të dimrit.
Ndonëse Institucionet e Kosovës nuk kanë pasur të drejtë të përfshihen në këtë projekt, një grup i arkeologëve nga Kosova e Shqipëria gjatë kohës së punimeve kishin konstatuar se kompania nuk është duke kryer punimet siç duhet. Ata kishin bërë edhe një raport të cilin nuk e kishte marrë parasysh askush.
UNESCO heshtë për shkatërrimin e Kalasë
Ndonëse organizata për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, UNESCO ka qenë kontraktoja dhe mbikëqyrësja e punimeve në Kalanë e Novobërdës ajo po hesht rreth shkatërrimit të mureve.
Gazeta Insajderi, ka kërkuar nga drejtoresha e zyrës së Evropës Juglindore të UNESCO-së, Sinisa Sesum si dhe zyrës së Venedikut të UNESCO-së, të dijë se pse ka ndodhur shkatërrimi i mureve të Kalasë së Novobërdës dhe se çka do të ndodhë me tej me kalanë.
Por edhe pse gazeta ka pritur më shumë se një javë, ata nuk janë përgjigjur.
Ndërsa kompania serbe “Koto”, kanë thënë për Gazetën Insajderi, se vetëm zyra e UNESCO-së, mund të jap përgjigje në lidhje me këtë çështje. Kjo sipas tyre është pjesë e marrëveshjes.
“Bazuar në kushtet e konfidencialitetit të marrëveshjes së nënshkruar me UNESCO, ne nuk mund të ju ofrojmë informacion në lidhje me Kalanë e Novobërdës. Ju lutem t’i drejtoni pyetjet e juaja në lidhje me Kalanë e Novobërdës, UNESCO-së”, thuhet në përgjigjen drejtuar Insajderit, nga sekretari i kompanisë “Koto”, Radica Lisinac.
Ekspertët alarmuan për shkatërrimin e kalasë
Ndonëse Kalaja e Novobërdës ndodhet në territorin e Kosovës, institucionet nuk kanë pasur asnjë rol në renovimin as në mbikëqyrjen e punimeve.
Enver Rexha –drejtor i Instituti Arkeologjik të Kosovës, i kontaktuar nga Insajderi, tha se gjithçka ka shkuar përmes UNESCO-s dhe se institucionet nga Kosova, nuk kanë pasur të drejtë as të përzihen.
Rexha tha se rreth dëmeve që i janë shkaktuar kalasë kanë bërë një raportë të cilin e kanë dërguar në Ministrinë e Kulturës, i cili pastaj i është dorëzuar UNESCO-s.
“Për dëmet është bërë një raport nga Instituti, ne e kemi njoftuar Ministrinë e Kulturës, më pas ka dalë edhe një komision ku kam qenë edhe unë prezent, e kemi dhënë raportin të cilin e kemi përkthyer në gjuhën angleze dhe e kemi dorëzuar në UNESCO”, tha Rexha.
Pasi UNESCO e ka pranuar këtë raport, Rexha thotë se ata kanë marrë vendim që kompania serbe të bëjë analiza të mostrave të materialit me të cilin janë rinovuar muret.
“UNESCO e ka detyruar kompaninë “Koto” që ta dërgojë ekipin e vetë, t’i marr mostrat e llaçit (mallterit) dhe copëzat e tjera që është dashtë me u bë analizat”, tha ai.
“Krejt në fund edhe pse nuk e kam unë raportin, ka dalë vlerësimi që kompania e angazhuar nga UNESCO, edhe mbikëqyrësi “Omega Engineering” nga Kroacia, duhet ta bëjnë renovimin e dëmeve, kjo është informata e fundit dhe presim që brenda muajit të nisë sanimi i dëmeve”, ka thënë Rexha për Gazetën Insajderi.
Se kur do të nisë edhe një renovim tjetër i Kalasë së Novobërdës ende nuk ka datë, mirëpo, një vërejtje që aty nuk po kryhen punimet siç duhet, kishte ardhur në vitin 2015-të, nga një grup arkeologësh kosovarë dhe shqiptarë.
Në një raport të siguruar nga Gazeta Insajderi, më datë 29 tetor të vitit 2015-të, kalaja u vizitua nga grupi i arkeologëve të Kosovës dhe të Shqipërisë në përbërje të Adem Bunguri, Skender Muçaj, Shafi Gashi, Premtim Alaj dhe përfaqësuesi i MKRS-së Imer Hakaj.
“Qëllimi i vizitës ishte thjesht të njoftohemi rreth punimeve që po zhvillohen në kalanë e Novobërdës”, thuhet në raport, i cili paraqet disa të gjetura nga arkeologët e lartpërmendur.
Grupi i arkeologëve atëkohë kishin gjetur se materiali i dalë nga gërmimet arkeologjike po hidhej në faqet jashtë Citadelës në mënyrë shumë të parregullt. Sipas tyre në të ardhmen është vështirë që ky material të largohet nga ai lokacion, për shkak se terreni është i pjerrtë.
“Sa i përket cilësisë së restaurimit, ne nuk arritëm që të konstatonim në detaje cilësinë e konservimit”, thuhet në raport.
Ky grup i arkeologëve përmes këtij raporti kishte alarmuar edhe për lartësinë e mureve nga 10-12m që sipas tyre nuk kishte qenë në përputhje me kërkesat e restaurimit të momunmenteve arkeologjike-historike.
“ Gërmimet arkeologjike po kryheshin deri në tabanin gjeologjik shkëmbor të kalasë, duke asgjësuar të gjitha depozitimet kulturore që ruhen aty. Është e logjikshme që materiali-gurët e shembur nga muri të ripërdorën përsëri për konservim, por kurrsesi të gërmohej shtresat kulturore që ruhej mbi tabanin gjeologjik. Projekti nuk ka pozicion për gërmimet arkeologjike dhe gërmimi është jashtë këtij projekti. Të gjitha strukturat arkitektonike të zbuluara kishin edhe shtresë kulturore dhe kjo shtresë kulturore është gërmuar në shumë pjesë”, thuhej në njërën nga pikat e raportit.
Ky raport ishte dorëzuar menjëherë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, mirëpo nuk ka ecur tutje sepse askush nuk është shqetësuar për të dhe nuk e ka marrë parasysh.
Kompania “Koto” restauroi edhe katër projekte tjera në Kosovë
Renovimi i Kalasë së Novobërdës nuk ka qenë projekti i vetëm në Kosovë i kompanisë serbe “Koto”.
Janë edhe katër projekte tjera të cilat UNESCO, ia ka besuar kësaj kompanie. Ato janë objekte të trashëgimisë kulturore në Kosovës, që në listën e UNESCO-s figurojnë si pjesë e trashëgimisë serbe.
Në nëntor të vitit 2010-të, Qeveria Ruse, dhuroi 2 milionë dollarë për UNESCO-n, që ato para të shkonin në rindërtimin e manastirit serb të Deçanit, Graçanicës, Patriarkës së Pejës dhe Kishës së Virgjëreshës së Shenjtë të Lëvizjes në Kosovë. Këto objekte janë të listuara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-së.
Kjo marrëveshje për këtë donacion u nënshkruar në Paris nga drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-së, Irina Bokova dhe delegati i përhershëm i Rusisë në OKB Eleanor Mitrofanova.
Pas dy vitesh të nënshkrimit të kësaj marrëveshje, në mars të vitit 2012-të, u mbyll edhe konkursi i hapur nga UNESCO për projektin që do ta fitonte kompania serbe “Koto”.
“U mbyll konkursi i UNESCO-së për punimet në Deçan, Graçanicë dhe Patriarkanën e Pejës, kompania serbe “Koto” dhe ajo italiane “Intersos” fituan këtë projekt. Fondet e rindërtimit, dy milionë dollarë, janë siguruar nga qeveria ruse. Punimet do të fillojnë pas Pashkëve”, kishte shkruar asokohe gazeta serbe “Novosti”.
Kush është kompania “Koto”, që i mori mbi 3 milionë euro për rindërtimin e objekteve në Kosovë?
Kompania serbe “Koto”, është themeluar që nga viti 1992, nga Zlatan Tomiq, që veprimtari të saj kishte rindërtimin dhe restaurimin e ndërtesave. Aktivitetet kryesore të kompanisë më vonë u zgjeruan në përputhje me nevojat dhe kërkesat e konsumatorëve.
Nga lista e aktiviteteve të realizuara nga “Koto”, dëshmohet afërsia e kompanisë me Partinë Demokratike Serbe, duke pas parasysh pasi numri më i madh i punëve të kontraktuara u është dhënë udhëheqësve të Partisë Demokratike.
Por, në vitin 2005 kjo kompani u ristrukturua. Ndonëse pronari mbeti i njëjtë, aktiviteti i saj u ndërru në ndërtimin e ndërtesave rezidenciale dhe jo-rezidenciale. Nga tetë projekte që u hapën për Kosovën “Koto” mori gjashtë prej tyre, që u financuan kryesisht nga Qeveria Ruse.
Por, askush nuk u shqetësua për faktin se kompania Koto nuk është regjistruar për mbrojtjen e pasurisë kulturore dhe ka të gjitha licencat përveç ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Edhe pse kërkesa e UNESCO-së më e veçanta është se secila kompani që do të marrë projekte nga UNESCO duhet të ketë të paktën 15 vite përvojë punë në mbrojtjen e aseteve kulturore./ Insajderi.com