Kompania turke e energjisë shkel privatësinë e kosovarëve – dënohet nga gjykata

Kompania turke KES/CO është zënë nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale duke e shkelur hapur për Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale kur ajo i shpërndanë faturat te konsumatorët. Nga ky veprim i kompanisë turke janë të rrezikuara të dhënat e mbi gjysmë milioni kosovarëve. Gjykata e ka gjetur fajto këtë kompani dhe e ka dënuar atë.

Kompania turke e energjisë shkel privatësinë e kosovarëve – dënohet nga gjykata

Fqinjët tuaj mund ta dinë saktësisht se sa është borxhi i juaj për rrymë. Dhe jo vetëm ata, por kushdo që mund të kaloj tek dera juaj. Kjo pasi që kompania turke e furnizuese e energjisë te konsumatorët kosovarë, KES/CO vazhdon ti shpërndaj faturat pa asnjë masë mbrojtëse për privatësinë.

Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (AShMDhP) konstaton që ky veprim i kompanisë turke bie ndesh me dispozitën 14 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe si e tillë përbën shkelje të privatësisë së individit.

Edhe Gjykata e ka mbështetur këtë agjenci. Kështu në mars të këtij viti Divizioni për Kundërvajtje i Gjykatës Themelore në Prishtinë shqiptoi gjobën prej 9 mijë eurosh meqë kompania turke KES/CO, “me rastin e shpërndarjes së faturave të energjisë elektrike, nuk kishte bërë zarfimin e tyre, përkatësisht nuk kishte marrë masa të sigurisë për të parandaluar çfarëdo qasje të paautorizuar në të dhënat personale të konsumatorëve të saj”.

Sipas AShMDhP-se kjo mënyrë e përpunimit të të dhënave personale, duke mos parandaluar qasjen e paautorizuar në leximin e të dhënave personale gjatë transmetimit të tyre, përfshirë transmetimin nëpërmjet mjeteve të telekomunikimit dhe rrjeteve, bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Edhe në kompaninë turke KES/CO e pranojnë që janë duke vepruar në këtë mënyrë që sipas AShMDhP dhe Gjykatës është veprim i kundërligjshëm, por kanë një arsyetim për këtë veprim.

“Kjo metodë e shpërndarjes së faturave është e trashëguar dhe aplikohet nga të gjitha kompanitë që merren me shërbime publike. Kjo është mënyra më eficiente dhe më e lirë për vet konsumatorët”, thotë për Insajderin ViktorBuzhala, zëdhënës në KEDS.

Sa i përket kalimit në platformën e re përmes zarfeve, “ky është një proces që po evaluohet, pasi  është një proces kompleks, duke e marrë parasysh faktin se kemi mbi 500,000 konsumatorë. Kjo, pasi duken adresuar shumë çështje që ndërlidhen me këtë, e dy nga kryesoret janë: cilat të dhëna duhet mbrojtur dhe mbulimi i kostos shtesë që del nga kalimi në këtë platformë”, thotë për InsajderinBuzhala dhe shton se kompania turke po bënë përpjekje që edhe për çështjen e faturave të gjej zgjidhjen “më të mirë të mundshme”.

Por, përderisa KES/CO vazhdon të shpërndaj faturat me metodën që ka trashëguar, e që për AShMDhP dhe Gjykatën është e kundërligjshme, agjencia që ka iniciuar këtë çështje thotë se do ta ndjek këtë rast deri në fund.

Në përgjigjet për Insajderin nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale bëhet me dije se kundër vendimit për dënim nga Gjykata Themelore kompania turke është ankuar në Gjykatën e Apelit.

“Deri në këtë periudhë ne ende nuk kemi marrë ndonjë njoftim lidhur çështjen e ngritur. Ne do të presim edhe vendimin e shkallës së dytë dhe më pastaj do ndërmarrim përsëri veprimet ligjore që ta trajtojmë prapë këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e AShMDhP për Insajderin.

KEDS, kompani shpërndarëse e energjisë me pronarë të njëjtë si KES/CO, siç ka raportuar Insajderi, vetëm përgjatë vitit 2018 humbi 24 konteste ndaj konsumatorëve të korporatës, të cilët paraqitën pranë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) mashtrimet e kompanisë që është e licencuar për distribuimin e energjisë elektrike në Kosovë.

Nga tri mbledhje të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë gjatë vitit 2018, kanë dalë 24 vendime kundër KEDS-it. Janë refuzuar ankesat e KEDS/KESCO ndaj vendimeve të Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorëve (DMK) pranë ZRrE-së dhe janë aprovuar ankesat e konsumatorëve kundër kompanisë turke.

Bordi i ZRrE-së publikoi katër vendime të tjera në mbledhjen e fundit të mbajtur gjatë këtij viti, më 12 korrik. Konkludoi se KEDS/KESCO kishte mashtruar edhe katër konsumatorë të tjerë, raporton Gazeta Insajderi.

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike- KES/CO është themeluar në janar të vitit 2015 nga konsorciumiLimak-Çalik. LImak bashkë me një kompani francez ka në pronësi edhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

“ÇalikHolding” në anën tjetër për një kohë të mirë e pati si drejtor Berat Albajrakun, dhëndrin e presidentit të Turqisë, Rexhep TaipErdogan.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), në kohën kur Hashim Thaçi ishte kryeministër, kishte nxjerrë një vendim absurd në favor të kompanisë turke KEDS. ZRrE-ja ia mundësonte turqve që faturat e rrymës të cilat nuk i paguanin qytetarët e komunave veriore, kryesisht serb, t’i paguanin qytetarët në pjesët e tjera të Kosovës.

Ky ishte një favor i ZRrE-së për kompaninë turke, e cila asesi nuk doli në humbje.

Avokati i Popullit kishte përllogaritur që përfitimi nga ky vendim, që më vonë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, ishte mbi 8 milionë euro për çdo vit për kompaninë e afërt me Erdoganin.

Këto detaje janë publikuar nga emisioni dokumentar që prodhohet nga Insajderi “InDoks”. Në dokumentarin e titulluar “Telenovelë me turq”, InDoks zbuloi një histori të gjatë korrupsioni me miliona për të afërmit e Erodganit.

Për të ndjekur dokumentarin: “Telenovelë me turq”.

Mashtrimet e KEDS-it – Shteti evidenton 24 viktima të kompanisë turke