Kontrata e dyshimtë- Enver Hoxhaj ndan mijëra euro për “dhëndrin e Kosovës”

Zëvendëkryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, në emër të Grupit Punues për Hartimin e Draft-Platformës për Dialog, nënshkroi një kontratë të dyshimtë në vlerë prej 12 mijë eurove me Marc Weller, ekspertin e së Drejtës Ndërkombëtare. Hoxhaj, më parë i kishte dhënë një kontratë edhe Nora Visoka-Weller, bashkëshortes së Marc Weller.

Kontrata e dyshimtë- Enver Hoxhaj ndan mijëra euro për “dhëndrin e Kosovës”

Kur Enver Hoxhaj ishte emëruar shef i Grupit Punues për Hartimin e Platformës Shtetërore për Dialog në fund të vitit të kaluar, i kishte planet e qarta se si do ta hartonte Draft-Platformën Shtetërore për Dialog.

Hoxhaj kishte bërë gati gjithçka. Në planet e tij kishte edhe një kontratë të dyshimtë në vlerë prej mijëra eurove, që kishte të bënte me hartimin e kësaj draft-platforme.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në emër të Grupit Punues për Hartimin e Draft-Platformës për Dialog, nënshkroi një kontratë në vlerë prej 12 mijë eurove me Marc Weller, ekspertin e së Drejtës Ndërkombëtare, i cili është dhëndër i Kosovës.

Hoxhaj e angazhoi Weller për këshillim në cilësinë e Ekspertit të së Drejtës Ndërkombëtare, për hartimin e Draft-Platformës për Dialog.

Insajderi ka siguruar kontratën e dyshimtë që Hoxhaj e nënshkroi në emër të Grupit Punues për Hartimin e Platformës Shtetërore për Dialog, me Marc Weller.

Sipas kontratës, zëvendëskryeministri i Kosovës ka rënë dakord me Weller që ta paguajë ekspertin e së Drejtës Ndërkombëtare me 12 mijë euro.

“Palët ranë dakord që shuma e përgjithshme prej 12,000 euro do të paguhet pas dorëzimit të Draft Platformës”, thuhet në kontratë.

“Marrëveshja është përfunduar në mes Delegacionit për Dialogun, i përfaqësuar nga Zv/kryeministri i Kosovës, Dr. Enver Hoxhaj në cilësinë e Shefit të Grupit Punues për Hartimin e Platformës Shtetërore për Dialog dhe Prof. Dr. Marc Weller, në cilësinë e provizionit të shërbimeve”.

Kontrata është nënshkruar nga Marc Weller më 25 shkurt të vitit 2019.

Kontrata që Hoxhaj ia kishte dhënë akademisë së udhëhequr nga bashkëshortja e Weller

Ashtu si kontrata, të dyshimta janë edhe lidhjet e zëvendëskryeministrit Hoxhaj me Marc Weller.

Marc Weller është bashkëshorti i Nora Visoka-Weller, juristes kosovare e cila si drejtoreshë e një Akademie me bazë në Britaninë e Madhe, kishte fituarm një kontratë nga ish-ministri i Jashtëm i Kosovës në vitin 2016.

Ministria e Punëve të Jashtme, e cila asokohe udhëhiqej nga Hoxhaj, ishte zotuar t’i paguante 40 mijë euro (40,000) akademisë CAMGA (Global Academy for Global Affairs) – drejtoreshë e së cilës ishte Nora Visoka-Weller, ndërkaq si drejtues kërkimesh në akademi shërbente Gëzim Visoka.

Gëzim Visoka, familjar i Nora Visoka-Weller, për një kohë të gjatë kishte qenë njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Hoxhajt. Kishte shërbyer si këshilltar i Enver Hoxhaj në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Siç kishte raportuar “Koha Ditore” në shtator të vitit 2016, më 24 gusht të atij viti,  MPJ-ja e Hoxhajt kishte ndarë 40 mijë euro për CMGA-në nëpërmjet një Memorandumi mirëkuptimi, në të cilin për Ministrinë kishte firmosur drejtori i përgjithshëm, Albert Prenkaj, ndërsa Nora Visoka-Weller për CAMGA.

Qëllimi i Memorandumit ishte që CAMGA të ofrojë këshilla profesionale dhe ndihmë në katër fusha, nëpërmjet të cilave mund të rrisë përpjekjet e MPJ-së për të siguruar njohje diplomatike.

Punët që do t’i kryente Marc Weller

Marc Weller, i cili kishte shërbyer si këshilltar ligjor edhe në Marrëveshjen e Rambujesë në vitin 1999, sipas kontratës së Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, është angazhuar për hartimin e një Draft-Platforme Shtetërore për Dialog, para miratimit të Ligjit në Kuvendin e Kosovës.

Sipas kontratës së nënshkruar më 25 shkurt, Weller kishte afat prej gati tre muajve që të hartonte Draft-Platformën.

“Eksperti është angazhuar për të siguruar një draft platformë gjatë periudhës tre mujore, dhjetor 2018 – shkurt 2019”, thuhet në kontratën e ashtuquajtur “Marrëveshje për Shërbime të Veçanta”.

Kontrata sugjeron se pala kërkuese është angazhuar për ofrimin e shërbimeve në cilësinë e Ekspertit të së Drejtës Ndërkombëtare “për përmbushjen e shërbimeve të përcaktuara me këtë kontratë, ndërsa Eksperti bie dakord të kompletojë Draft Platformën”.

Mirëpo, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë të mërkurën për Insajderin se Marc Weller ka qenë njeriu i duhur për të këshilluar Qeverinë e Kosovës në hartimin e Draft-Platformës Shtetërore për Dialogun. Ka thënë se Weller e njeh Kosovën më mirë se çdo ekspert i huaj i së Drejtës Ndërkombëtare.

“Marc Weller ka qenë i përfshirë edhe në Konferencën e Rambujesë. Pastaj në Vjenë ne e kemi angazhuar Marc Weller për shkak të Rambujesë. Edhe kësaj here e kemi angazhuar Marc Weller të na këshilloj për shkak të përvojës që ai ka pasur në Rambuje”, ka thënë Hoxhaj.

I pyetur në lidhje me kontratën që ai i kishte dhënë akademisë CAMGA në vitin 2016, drejtoreshë e cilës ishte bashkëshortja e Marc Weller, Hoxhaj ka thënë se “nuk mund ta fusim z. Weller në këtë kontekst”, duke u shprehur në superlativë për profilin e britanikut.

Hoxhaj po ashtu ka mohuar ta ketë pasur ndonjë bashkëpunëtor të afërt me z. Weller, pasi është pyetur në lidhje me ish-këshilltarin e tij, Gëzim Visoka.

“Jo. Absolutisht jo. Nuk e di sa e njihni ju z. Weller, por zoti Weller është njëri prej këshilltarëve ligjor më të mirë për Kosovën dhe që e njeh Kosovën. Unë ju siguroj se nuk kam punuar asnjëherë me asnjë njeri që ka lidhje me z. Weller. Nuk mund ta fusim zotin Weller në këtë kontekst”, është shprehur Hoxhaj.

Hoxhaj është shprehur se për angazhimin e Marc Weller është koordinuar me anëtarët e tjerë të Grupit Punues për Hartimin e Platformës për Dialogun. /Insajderi.com