Krahu i Luftës dhe i Paqes. Dhe disa miliona për UÇK-në në mes

Pos luftës me regjimin e Sllobodan Milloshevicit në mesin e rezistencës së shqiptarëve të Kosovës kishte edhe një luftë të brendshme. Ishin së paku dy krah, ata që pasluftës do të njiheshin “pacifistët” e LDK-së dhe krahu i luftës, kryesisht me prejardhje nga LPK-ja marksiste-leniniste. Të fundit ishin më kryesor në UÇK. E patën një fond të tyre për financimin e kësaj force guerile, por sa para morën nga Qeveria e Bujar Bukoshit? InDoks në 50 minuta dokumentar me titullin “Milionat e “3%”-shit për UÇK-në” jep shumë përgjigje. Sjell dokumente ekskluzive dhe rrëfime të njerëzve kryesor të kësaj historie

Krahu i Luftës dhe i Paqes. Dhe disa miliona për UÇK-në në mes

Javë më parë u bënë hit videot kur Xhavit Hliti po shtyhej me bërryla me deputetët e zëshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e në këtë rast me Arben Gashin e që dikur grupi i Haliti, Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) i kishte armiq të vërtetë. I quanin me përçmim, “pacifistë”. E disa pacifistë që guxuan të ishin edhe luftëtarë, siç bie fjala Anto Quni, së fundi në Kuvend po e prekin Xhavit Halitin, këtë person kyç të PDK-së, aty ku i dhemb shumë- te milionat e luftës.

Ky debat i 2018-ës në Kuvendin e Kosovës, që njihet më shumë edhe si serial komik i të enjteve në Televizionin Publik, është hiç më pak se 20 vjet i vjetër. Ndoshta edhe më shumë.

Janë miliona e miliona marka që u dhanë nga shqiptarët për pavarësimin e Kosovës. U deponuan në dy fonde, atë të Qeverisë së Bujar Bukoshit që njihej si “3%-shi”, e që ishte më i madhi, dhe atë të LPK-së, që u pagëzua në fund si “Vendlindja Thërret”. Për asnjërin kurrë nuk ka pasur dokumente të bollshme publike se sa peshonin.

Këtu e gjeni dokumentarin “Milionat e “3%”-shit për UÇK-në”

Mbi të gjitha: Kurrë nuk u zbulua se si u shpenzuan paratë që u mblodhën për luftë. Megjithatë, dihet që disa nga drejtuesit e luftës shpejt u bënë të pasur. Sot janë milionerë.

Në një pikë përfundimtare të luftës megjithatë duket që pati tendencë që të bashkohen të dy UÇK-të, ajo e Likocit dhe ajo e mirë-paguar e Bujar Bukoshit. Pati edhe transaksione parash mes tyre. Ishin transaksione milionëshe.

InDoks në dokumentarin “Milionat e “3%”-shit për UÇK-në” gërmo thellë mbi milionat që Fondi “3%” i LDK-së dha për UÇK-në e Shtabit të Përgjithshëm, kryesisht i përbërë nga LPK-istë. Aty publikohen dokumente të papara më herët. Flasin ata që akuzojnë për keqpërdorime, por rrëfehen edhe njerëzit kyç të UÇK-së. Ata që i pranuan milionat.

Milionat që i dha Ahmet Krasniqi para se të vritej

Gati kishte arritur mesnata në Tiranë. Nata e 21 shtatorit e vitit 1998 ishte e qetë, me përjashtim të disa krismave. Ato vinin nga plumbat që e vranë Kolonel Ahmet Krasniqin, që po drejtonte Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës – që megjithatë mbanin emblemën UÇK.

As sot e kësaj dite nuk dihet se kush e vrau. Ose, së paku asnjë gjykatë as në Kosovë e as në Shqipëri nuk ka e ka shpallur fajtor dikë për këtë krim.

Në atë kohë në pushtet ishin socialistët, dhe Salih Berisha që akuzohet se e kishte thyer edhe embargon për hesape të Sllobodan Milloshevicit nuk e lë rastin pa e akuzuar Shërbimin Inteligjent shqiptar si të përfshirë në këtë vrasje. “Të dyja. Shërbimi serb dhe ai i Tiranës”, përgjigjej Berisha atë vit në një anglishte të dobët.

Akuza kishte se atë e vranë edhe LPK-istët. U tha se u pengonte. Se ishin armiq. Por, faktet e reja që ka siguruar InDoks flasin për një histori  krejt tjetër.

Është një dokument i 7 majit të viti 1998. Dita kur Xhavit Haliti, njeri kryesor i UÇK-së pranoi 3 milionë 200 e 70 mijë marka nga Ahmet Krasniqi. Prezent ishte edhe Shaban Shkreli. Ahmet Krasniqi disa muaj më vonë do të vritje, derisa Xhavit Haliti nuk është pajtuar që të flas për këtë dokumentar.

Mbi 3.2 milionë marka u bartën nga Fondet e Republikës së Kosovës te UÇK-ja, por ende nuk dihet se ku u shpenzuan. Janë edhe miliona e miliona të tjera që u dhanë, faktet për të cilat i sjell në këtë dokumentar InDoks. Por, gjithnjë bëhet më e vështirë të kuptohet se ku u shpenzuan.

Megjithatë një aktivist i zellshëm i Fondit “3%” që ka vendosur të rrëfehet për këtë dokumentar pretendon që i ka disa përgjigje në këtë dilemë. Dilemë milionëshe, fjalë-për-fjalë.

“Unë mendoj që dhjetëra miliona janë keqpërdorur, unë mendoj që kanë me gjet një arsye. Unë dhe familje kemi dhënë gjithçka për me qenë Kosova e lirë, dhe nuk po torturohemi qysh jemi torturua nga Serbët, unë ndihem mirë kur vij në Kosovë dhe shumë krenar, dhe kur i shoh do njerëz tepër të thjeshtë që kanë qenë, azilanta, me truprojë kalojnë me makina të shtrenjta shumë më pengojnë, e unë nuk ruhem në Kosovë, pse duhet me u rujt nëse dikush i shërben popullit”, thotë në intervistën për inDoks Gani Hoxha, aktivist i Fondit “3%”

E ky aktivist i krahut pacifistë, që ka edhe një histori të bujshme edhe si pjesë e ilegales, thotë se në Zvicër ende jeton me qira. Në Kosovë megjithatë ka blerë një banesë të vogël, në të cilën edhe ka dhënë intervistën për InDoks. Ai ishte pjesë e ekipeve që mblodhën miliona në Perëndim për luftën në Kosovë, por sot e drejton gishtin për keqpërdorimin e tyre ndaj personave konkret. Kush i dha e kush i mori këto para, krejt janë të dyshimtë për të.

“Të gjithë. Merre me mend, fillimi i viti 1998 pa vendim të Qeverisë së Kosovës, pa marrëveshje me kryetarët e fondit, është sigurt se Bujar Bukoshi si kryeministër me ministrin e Financave Isa Mustafën i vendosin dhe i ndanin e i tërhiqnin në një filiale të Deutsche Bankës në Ulm, dhe një vlerë prej 5 milion markave ja japin Xhavit Halitit, person i pa verifikuar, person pa subjekt politik atëtëherë. Dhe se a ka qenë pjesë e shtabit politik në atë kohë, këto janë pallavra, këto janë formua krejt mas situatës tepër të rëndë në Kosovë, dhe kjo nuk është me u çudit”, thotë Hoxha.

Gani Hoxha zë në gojë edhe shumë emra të tjerë.

“E ke Jakup Krasniqin me këtë Nismën Social Demokrate, e ki Hashim Thaçi e Kadri Veseli që radhitën në PDK, e ki në Vetëvendosje Rexhep Selimin që është pjesë e fuqishme e këtyre manipulimeve, e ke Bujar Bukoshin, tash sekser për me ua bë pushtetin njerëzve, që nuk janë adekuat për themelim të Qeverise, e ke Isa Mustafën nga LDK, që jam i bindur se me rastin e shitjes së “Dardania Bank”, dhe përfundimin e UFORK-ut që s’ka përfunduar akoma, është një marrëveshje që këta njerëz sa më shumë të organizohen, ta mbajnë pushtetin në nivel të Republikës, dhe të mos ketë asnjë mundësi të hetohen rreth këtyre keqpërdorimeve”, thotë Hoxha.

Këtyre akuzave, por edhe atyre të më hershmëve të bëra nga disa persona kanë vendosur tu përgjigjen dy njerëz kompetentë nga ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Dikur shërbenin në të njëjtin Shtab. Sot jeta i ka ndarë njërin në kabinetin e Presidentit Hashim Thaçi e tjetrin një kundërshtar të fortë politik të tij.

Jakup Krasniqi që sot është një figurë kryesore në Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt ende e mbanë më me përemër postin “Zëdhënës i UÇK-së”. I është përmendur emri për përfitues të miliona të luftës, por ai veten e përshkruan si jo-materialistë.

Këtu e gjeni dokumentarin “Milionat e “3%”-shit për UÇK-në”

“Është vështirë për të thënë atë që ndoshta e pret dikush, sepse në kohën që ne po flasim, unë flas për vete, më së paku më ka interesuar paraja, cilado qoftë ajo. Qëllimi kryesor ka qenë që ta bëjmë luftën dhe të punojmë pa kursyer për ta fituar lirinë. Natyrisht që lufta ka nevojë edhe për para dhe konsideroj se shqiptarët nuk kanë qenë shumë dorështrënguar për të dhënë para për luftën, çështja është si u  shfrytëzuan ato para dhe a shkuan atje ku ishin dedikuar. Kjo lë shumë për të dëshiruar. Është vështirë të flitet sepse dikush ka mund të marrë dhe dikush të japë para. Nuk ka pasur statistika dhe evidencë të plotë që të mund sot dikush të akuzoj dikë apo të mos akuzosh dikë. Ajo që kam besuar atëherë ndoshta edhe sot kam dyshime, por kam menduar se nuk ka ndonjë njeri që është i kyçur në organizimin politik dhe ushtarak e të shmangë diçka”, thotë në intervistën për InDoks, Jakup Krasniqi.

Krasniqi thotë edhe se “nuk kanë kaluar 100 vjet apo më shumë dhe nuk ka dyshim që secili e di kontributin e secilit. Këtu mendoj se ka më shumë tendencë të dikujt për të fituar poenë politikë për njëfarë guximi dhe trimërie pas 20 vitesh dhe kjo është për mua goxha e pandershme”.

E si problem artificial i ngritur për nevoja të politikës ditore e sheh debatin për keqpërdorimin e milionave të luftës edhe ish-shefi i Jakup Krasiqit, Bislim Zyrapi që tash e këshillon Hashim Thaçin. Zyrapi që ishte Shef i Shtabit të UÇK-së në periudhën më delikate të luftës, ka një përgjigje , së paku interesante kundër akuzave për keqpërdorime.

“Nga aspekti im nga pozita e i shefi i Shtabit deri në prill të 1999, por edhe pastaj në pozita tjera që kam pasur, dhe nga njohuritë e mija, mjetet të cilat janë dedikuar, të cilat janë dhënë nga populli ynë, sidomos nga diaspora, të cilat kanë qenë nga dy fonde, Fondi i tre për qindëshit dhe nga Fondi “Vendlindja Thërret”, mund të them se të gjitha ato fonde  që kanë ardhur, të cilat kanë hyrë si dedikim për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për pjesëtarët e saj, nga aspekti im, çfarë unë kam mundur të shoh, ato kanë ardhur në destinacionet e duhura dhe kanë hyrë në funksion të duhur. Kështu që sot, këto elemente të cilat përdoren, më shumë unë them se është një politikë ditore të cilën e përdorin njerëzit, sepse kanë kaluar 20 vjet. Kjo ka mundur të përdoret apo të kërkohet edhe më herët. 20 vjet kanë kaluar, dhe nuk mund të dinë madje të gjitha se çfarë është”, thotë Zyrapi në intervistën për InDoks.

Nuk mund ti di të gjitha, por për këtë janë dokumentet. Zyrapi e Jakup Krasniqi, si zëvendës i tij kishin bërë gati në fund të luftës në Kosovë një kërkesë për shumë miliona marka që të transferoheshin nga Fondi “3%” te UÇK-ja. Te ajo me Shtab në Likoc. Krejt pak prej tyre i morën. Megjithatë Jakup Krasniqi, ani pse kishte botuar në vitin 2006 një libër ku e përmend këtë episod fortë të rëndësishëm, për herë të parë se çka ndodhi në këtë rast informohet nga InDoks.

“Mendoj se shefi i shtabit të atëhershëm Bislim Zyrapi, kishte një lidhje me ministrin e mbrojtjes të asaj kohe Halil Bicajn dhe më thotë se është mirë ta bëjmë një kërkesë për qeverinë e atëhershme të Bukoshit dhe ministrinë e mbrojtjes dhe kemi bërë atë kërkesë, për të cilën kam shkruar në librin “Kthesa e Madhe” që botimi i parë është i vitit 2006 dhe botimi I dytë I vitit 2007 dhe që e kemi adresuar në Qeverinë e Kosovës, atëherë që qendra e tyre ishte në Laprakë të Tiranës….
Ne kush I ka tërheq ato para unë tash po dëgjoj, por kërkesën e kemi bërë”, thotë Krasniqi.

Ai tregon se shkroi e nuk e dinte se si përfundoi kërkesa e tyre dërguar të Qeveria e Bukoshit. I akuzoi ata.

“Unë kam shkruar për këtë çështje në libër më herët në vitin 2006. Në botimin e vitit 2007 kam bërë disa plotësime. Sikur ta kisha këtë informacion do ta cekja, por unë them se nuk kam marrë kurrfarë informacioni. Përkundrazi gjatë asaj kohe, njerëzit e qeverisë kanë shpërndarë nëpër zonat operative të UÇK-së nëpër zonat si Llapi, Drenica e Dukagjini. Ato nuk kanë ardhur përmes nesh…. Dervishi, mbiemrin nuk ia kam ditur. Unë e kam njohur një Dervish që ka qenë gjatë asaj kohe në Tiranë, ka qenë nga njerëzit që kanë qenë në Tiranë që ka ndihmuar logjistikën e UÇK-së. Mbiemrin nuk ia kam ditur. Për herë të parë ia pash në këtë shkresë, por ne nuk kemi qenë të njoftuar për këtë çështje. Këtë e kam cekur edhe në botimin e librit të vitit 2007”, thotë Krasniqi.

Derisa Krasniqi nuk e dinte për ekzistencën e këtij dokumenti, i intervistuar vetëm një ditë më vonë se ai, Bislim Zyrapi mban mend më shumë detaje.

“Së bashku me kolegët, anëtarë të tjerë të Shtabit, e bëmë një analizë dhe kërkuam përveç fondit Vendlindja Thërret  i cili nuk ishte i mjaftueshëm të mbulohen të gjitha shpenzimet e një ushtrie. Prandaj e përpiluam një shkresë nga Shtabi dhe e dërguam edhe Fondit të tre përqindëshit, drejtpërsëdrejti zotit Bujar Bukoshi, me të gjitha arsyetime, përse i kërkuam. Kjo ishte një vlerë dikur rreth 20 milionë euro, shumë e cila ishte vlerësuar se ishte e mjaftueshme për furnizim të UÇK-së për t’u përballuar me sulme të mundshme. Poashtu edhe me planet të cilët ne i kemi pasur, planet e operacioneve të cilat janë zhvilluar, pastaj operacioni “Shigjeta””, thotë Zyrapi për InDoks.

Këtu e gjeni dokumentarin “Milionat e “3%”-shit për UÇK-në”

Ai garanton që paratë u përdorën. Pra, që nuk u keqpërdorën.

“Mirëpo, realizimi i kësaj kërkese u bë vetëm me tre milionë marka, dhe tashmë filluan bombardimet. Në fillim të bombardimeve, ato mjete nuk na hynin në funksion brenda, por në atë kohë edhe filloi ardhja nga diaspora e shumë ushtarëve, vullnetarëve, dhe u bë shpallja e mobilizimit të përgjithshëm, prandaj këto mjete i drejtuam kah operacioni “Shigjeta”. Ato mjete u dërguan në bazën e logjistikës, ku komandanti i logjistikës ishte i ndjeri komandant “Plaku” apo Xhavedin Gashi. Ato mjete janë dhënë aty dhe kanë hyrë në funksion”, thotë Zyrapi.

Milionat që i mori Xhavit Haliti

Gani Hoxha që sot jeton në Zvicërr, por mban lidhje me Kosovën, së paku emocionale, thotë se është i gatshëm që të dëshmoj nëse thirret në hetimin e Prokurorisë për fondin “3 %”. Një hetim për këtë rast kishte nisur shumë kohë më parë.

“Unë besoj që pas mbetjes së fondit në UFORK, dhe “Dardania Bank”, janë duke u hetuar një pjesë, e deri ku ka shkuar prokuroria nuk e dijë, e në këtë rast duhet të bëjë presion opinioni në Kosovë, shoqëria civile, gazetarët, dhe të gjendet metoda që këta njerëz mos me i lënë në pushtet më sepse këta janë në gjendje për të bërë gjithçka për mos me u zbulua për veprimet që i kanë bërë. Edhe vrasja e Ahmet Krasniqit është bërë pak ditë pasi është realizuar e nënshkruar fatura 3 milion e 200 e 70 mijë marka”, thotë për InDoks, Gani Hoxha, aktivist i Fondit “3%”

Këto para del që i ka marrë Xhavit Haliti, por i njëjti dhe pas insistimeve të shumta të InDoks nuk ka pranuar që të prononcohet për këto akuza. Nga ajo që ky person ka deklaruar në publik, vullnetarisht, del që pasuria e Halitit të PDK-së është aktualisht mbi 1 milionë euro.

E, Gani Hoxha ekskluzivisht për këtë dokumentar ndan informacione edhe për persona që ai akuzon se keqpërdorën miliona të Fondit “3%”, ani pse duket që të mos jenë të njohur për publikun. Pos, që në fund lidhen me PDK-në.

“Zona operative e Llapit që i ka dorëzuar 4 milion e 500 mijë marka, njëri prej tyre që ka qenë më mu është Hismet Avdullahu, ai 1 milion e 500 mijë marka i paska pas në llogari në një bankë të Zagrepit, i ka transferua dhe i ka dërguar në një bankë në Austri, dhe është arrestuar, ka qëndruar disa muaj në burg për këto mjetë të luftës, të konvertuara pastaj në euro pas vitit 2003, dhe është liruar së bashku me mjete është kthye dhe është konvertuar në Aleancë dhe ka arrit me qenë kandidat për komunën e Podujevës për kryetar komunë, por nuk i ka marrë votat, ai ka qenë Ismet Avdullahu. Ai ka qenë pjesë e bartës së mjeteve financiare për shtabet për zonën operative të Llapit.
Ky person në vitin 2015 tërhiqet me një pjesë të kryesisë së Aleancës dhe kalon në Partinë Demokratike, aty behët një spektakël televiziv, aty është Basri Musmurati dhe disa të tjerë”, thotë Gani Hoxha.

Bislim Zyrapi që i rri tash afër ish-kreut të PDK-së, Hashim Thaçi ka krejt një interpretim tjetër sa u përket parave që UÇK-ja i mori nga fondi i LDK-së.

“Po flasim nga aspekti i luftë, ku ka pasur mungesë të parave, përse e them këtë, pasi e dorëzova detyrën dhe e morra komandën e operacionit, jam takuar me komandant Plaku, dhe kam parë se mjetet kanë arritur në shërbimin e tij, pasi tashmë kishte filluar t’i fusë në funksion, për mbështetje dhe logjistikë të operacionit, të ushtarëve, prej përgatitjes së tyre e deri te armatimi. Normalisht duhet të keni parasysh se pajisja e një ushtari, për ta pajisur në mënyrë profesionale kushton goxha shtrenjtë, tani nuk mund t’ju them saktësisht për atë kohë, mirëpo bëni krahasimin me pajisjen e një ushtari në ditën e sodit dhe do të shihni se sa kushton për tu pajisur një ushtar”, thotë Zyrapi.

Ai kurrë nuk është intervistuar nga Prokuroria për hetimin e tyre për Fondin “3 %”, por nuk kursehet që të gjuhet me fjalë me FARK-istët.

“Jo, deri tani askush nuk ka ardhur te unë, sepse këto mjete janë transparente, janë zyrtare dhe dihet që kanë hyrë në funksion të plotë. E di që në edhe në parlament disa kolegët e mi kanë parashtruar këtë çështje, por edhe unë e kisha pyetur kolegun tim: Po ju keni qenë në Operacionin Shigjeta, keni qenë në Koshare, dhe praj asaj baze logjistike jeni furnizuar, se prej kësaj baze janë furnizuar edhe ata në Koshare edhe në Pashtrik edhe në gjitha vende. Kështu që nga kjo bazë është bërë furnizimi, dhe këto mjete kanë qenë të dedikuara për atë bazë, edhe me aq mjete, d.m.th. 3 milion nuk ka mundur të furnizohet i gjithë operacioni, nevojitej goxha shumë mjete nga të gjitha fondet në mënyrë të mbahet ky operacion”, thotë Zyrapi.

Këtu e gjeni dokumentarin “Milionat e “3%”-shit për UÇK-në”

E, kur jemi te hetimet, Jakup Krasniqi ani pse i përket një partie të pushtetit, e sheh që problemi edhe i dyshimeve për keqpërdorime të milionave të luftës së UÇK-së i ka te mos-funksionimi i një dikasteri që për një kohë të gjatë e kontrollon PDK-ja.

“Prandaj po them se kjo është një ngjarje e para 20 viteve dhe ka ndodhur shumëçka. Prej vitit 2010 e këndej kanë mbetur shumë çështje të pandriçuara. Ndoshta faji kryesor është i sistemit të drejtësisë që nuk është në nivelin e përgjegjësisë do të thotë jo vetëm për tu marrë me të kaluarën, por shumë gjëra po na ndodhin si thotë populli para hundëve dhe nuk po zbardhen, po mbeten ta panjohura. Ajo çka është e rëndësishme, unë nuk dua të flas për emra të përveçëm sepse nuk është punë e imja, por ajo çka dua të them, më vjen keq që pas 20 vitesh ka tendenca, ndoshta diçka me të drejtë e ndoshta me të padrejtë për një periudhë që neve na ka bërë të lirë të njolloset tani”, thotë Krasniqi.

Për Krasniqin, problemi qëndron edhe diku tjetër. A pati tendenca për ta sabotuar luftën e UÇK-së?

“Ne e kemi ditë se ka para fondi sepse qytetarët kanë dhënë bile bile në fondin 3 për qind edhe disa vjet pas përfundimit të luftës. Ne kemi qenë të bindur se ka mjete dhe kemi qenë të bindur se ekziston një tendencë që përmes parave që të bëjnë presion dhe shantazh në forma të ndryshme te njerëzit dhe nuk i kanë dhënë ato para për luftën. Unë e kam cekur edhe një fakt në libër. Këtu ka qenë një komision që ka ndihmuar luftën. Por ai komision është penguar apo nuk i janë dhënë mjetet vetëm pse ka pasur një komunikim të mirë me shtabin e përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ka ndihmuar luftën. Pra ka pasur tendenca të qarta që dikush atëherë e ka sabotuar luftën dhe i ka sabotuar ose mjetet i ka përdorë për ta penguar dhe sabotuar luftën. Kjo është ana e keqe, përndryshe po të kishte një vullnet të mirë, ka mujt ata njerëz që kanë qenë në Shqipëri ta bëjnë një trupë të përbashkët dhe të menaxhojnë të hollat së bashku dhe të bëjnë një kontroll më të mirë që të mos flasim ne sot pas 20 viteve”, thotë për InDoks Jakup Krasniqi, ish-Zëdhënës i UÇK-së.

Milionat që duan ti harrojnë Komandantët e Zonave

Janë 20 milionë marka që kishte kërkuar Bislim Zyrapi, si Shef i Shtabit të UÇK-së në Likoc dhe zëvendësi i tij, Jakup Krasniqi në Qeverinë e Bukoshit. I morën veç 3 milionë. Thonë që nuk iu mjaftuan, ani pse i përdorën veç për luftë.

Por, janë edhe disa miliona të tjera që i morën komandantë zanash e të cilat nuk janë sqaruar deri në fund kurrë. As në këtë dokumentar nuk kanë pranuar që të intervistohen komandantët e zonave të UÇK-së që i kanë marrë këto para nga Qeveria e Bujar Bukkoshit, ani pse InDoks ua ka ofruar këtë mundësi.

Kështu, sipas dokumenteve që ka në posedim InDoks, për nevoja të Zonës Operatve të UÇK-së së Llapit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka paguar mbi 3 milionë marka. Nuk ka shumë sqarime nëpër këto dokumente se si u përdorën këto para, por edhe ish-komandanti i kësaj zone, Rrustem Mustafa ka rrefuzuar të intervistohet për këtë dokumentar për ti dhënë sqarimet.

Në deklarime të më hershme, sa mbante poste publike, Rrustem Mustafa kishte vetë-deklaruar një pasuri që i afrohej shifrës 5 milionë euro.

Dhe, dokumentet e siguruara nga InDoks flasin edhe për shumë para të tjera që nga Fondi “3%” erdhën në UÇK, por edhe sot nuk ka sqarim se si u shpenzua.

Kështu në vitin 1998 para pranoi edhe një njësi Prekaz dhe paratë u drejtuan për Sami Lushtakun e i mori Haki Geci. Edhe deklarimet e fundit publike të pasurisë së Sami Lushtakut përmendin se ai ka një pasuri mbi 1 milion euro.

Sami Lushtaku në një reagim të më vonshëm për InDoks ka thënë që madje as nuke njeh personin Haki geci dhe se kurr nuk ka pranuaar para nga “3%”-shi si komandant i Zonës Operative të UÇK-së në Drenicë.

Në fund të vitit 1998 po ashtu njësisë mbrojtëse të komunës së Ferizajt iu dërguan mbi 100 mijë marka, dhe po kaq para  iu dërguan edhe njësisë me funksion të njëjtë në Kaçanik. Po ashtu afro 100 mijë marka ishin dërguar në nëntor të viti 1998 në zonën IV.

Për armatim dhe municion mbi 240 mijë marka i kishte tërhequr nga ky fond edhe një person me emrin Xhafer Rracaj, pa u specifikuar për cilën Zonë Operative dhe transaksioni u kry në mesin e prillit 1999, gati në fund të luftës.

Tutje dokumente zbulojnë që për Zonën IV mbi 350 mijë euro ishin tërhequr po ashtu edhe nga Emin Krasniqi dhe Nijazi Idrizi, e po ashtu bëhet me dije se për nevojat të nën-zonës së Kaçanikut para nga “3%-shi” mori edhe Xhafer Shaqir Zharku. Plotë  200 mijë marka gjermane.

Në një dokument tjetër thuhet që 2 milionë marka i dorëzon Valon Lluka dhe ishin të destinuara për njësitë 131, 132 dhe njësinë vëzhguese diversante në Papaj. Aty figuron edhe vula e ministrit Halil Bicaj

Dhe, lista është e gjatë. Janë edhe shumë para të tjera që u tërhoqën nga Fondi “3%” me nga një copë letër. Shkruhej në këto letra se paratë po shkonin për UÇK-në.

Edhe pse ishte Shef Shtabi në këtë ushtri guerile, sot Bislim Zyrapi thotë se nuk ishte aty për tu marrë me financa.

Këtu e gjeni dokumentarin “Milionat e “3%”-shit për UÇK-në”

“Normalisht se pasur për detyrë të jem i informuar, por në atë kohë, si shefi i Shtabit, dmth. prej nëntorit të 1998 deri në prill nuk kam pasur informata që është marrë nga ky fond. E di që kanë ardhur mjetet prej fondit Vendlindja thërret dhe janë dërguar në këto zona. Kanë ekzistuar edhe ekipet financiare brenda Kosovës të cilët i kanë furnizuar drejtpërsëdrejti njësitet, p.sh. brigadat apo Zonat me pajisje, ushqim por edhe me mjetet financiare të cilat grumbulluar nga popullata, por sigurisht edhe nga jashtë. Tani unë nuk mundem me ditë ato, ajo është pjesë e komandës dhe e financave sepse unë nuk jam marrë me atë çështje, nuk kam njohuri për të thënë se ky komandant apo ai tjetri. Tani nëse kanë shënime këta të Fondit, atëherë komandantët janë gjallë edhe mund t’i pyesin drejtpërdrejt ata se si kanë shkuar ato mjete financiare”, thotë Bislim Zyrapi, ish-Shef i Shtabit të UÇK-së

Akuza kundër Behgjet Pacollit

“Krejt kjo strukturë që e përmenden, nëse janë mbledhë gjithë këto mjete, firma Mabetex, dhe pronari i saj Behgjet Pacolli kurrë nuk ka kontribuar në asgjë, unë e kam edhe kushëri atje në Lugano, dhe ne nuk kemi qenë të financuar për veprimtarinë që kemi bërë por vullnetarë”, thotë për inDOks Gani Hoxha, aktivist i Fondit “3%”.

Numëron sa miliona i tuboi për Kosovën me bashkëpunëtorë. Thotë që i mban mend dhe mban shënime edhe se kush kontribuoi për shtetin e Kosovës, por e ka në thumb një njeri që pasluftës ka mbajtur pozita të mira politike e ka ndërtuar biznese në që thotë nuk e pa kurrë të kontribuonte. Madje, e akuzon se bashkëpunoi me ata që ishin kundër Kosovës.

Këto janë akuzat e Gani Hoxhës për multi-milionerin Behgjet Pacolli.

“Pas daljes time si i përndjekur pas gjashtë muajsh dite ilegalitet, unë u vendosa në Lugano dhe njihesha situatën në cilësinë e një luftëtari të armatosur, dhe po më tregon dikush prej shërbyesve në “Hotel Eden” në Lugano se është Hysamedin Azemi me një delegacion, mandej mu lidhke tradhtia e autonomisë së Kosovës, Hysi me Morinën dhe Shukriun, ka qenë Mysafir i Behxhet Pacollit, në vjeshtën e vitit 1989, kemi kërku me ja bërë një shantazh, skemi mujtë me nxanë na ka ikë, në vitin 1995 unë kam angazhuar një takim mes Qeverisë së Kosovës dhe Mabetex të pronarit Behxhet Pacolli, ai ka premtuar se do ti premtoj televizionit e kështu me radhë, kurrë nuk ka realizuar asgjë. Me to ka qenë një ministër i thesarit të Moskës dhe më vonë është burgosur në Gjenevë”, thotë Gani Hoxha.

Ai tërheq edhe një paralele mes viteve dhe Pacollit.

“Është shumë interesant kur në vitin 1989, pas marrëveshjes së Kumanovës dhe çlirimit të Kosovës nga trupat e NATO-s, Jakup Krasniqi në cilësinë e ministrit të Ndërtimit, kanë qenë në Lugano e kanë mbajtur një takim disa ditësh tek Behxhet Pacolli, dhe idetë e tyre kanë qenë se do të ndërtojnë një fond për rindërtimin të Kosovës, nuk nderohet Jakup Krasniqi, shembull Hysamedin Azemi ka qenë 1989 tek Behxhet Pacolli, se çka i ka lidhë mes vetë ata, të tregojnë vetë”, thotë Hoxha.

E Jakup Krasniqi sot thotë se çka do që e ka bërë, e ka bërë për Kosovën.

“Kam menduar se qëllimi i gjithsecilit si në organizimin politik, ushtarak, apo mbledhjen e parave për luftën kam qenë i bindur se po e bëjnë për një qëllim të caktuar, për të ndihmuar luftën dhe në fund të fundit luftë ka shpenzime nuk ka. Mirëpo pse kjo çështje del pas 20 vite unë mendoj se është e pandershme kjo për disa arsye, një që gjatë këtyre viteve ka keqpërdorim të parasë publike në forma të ndryshme që nuk mund të krahasohet me atë kohë, unë mendoj se çështja më e paarsyeshme është që dikush 20 vjet pas luftës po synon të bëhet luftëtar përnjime i luftës”, thotë Jakup Krasniqi për InDoks

Por, Gani Hoxham pos Jakup Krasniqin, në kontekst negativ e zë në gojë edhe një komandant tjetër të UÇK-së.

“Marrëdhëniet tona kanë fillu me u zbeh me rastin e shitjes së bankës “Dardania Bank”, ata nuk kanë dhanë ndonjë raport. Tash kush është në pushtet në Kosovë, prej të burgosurve politik, mijëra prej tyre duhet të respektohen, por prej krejt të burgosurve politikë në pushtet ekzekutiv kanë qenë vetëm Jakup Krasniqi dhe Azem Syla, të dy kanë poseduar mjete enorme”.

Këtu e gjeni dokumentarin “Milionat e “3%”-shit për UÇK-në”

I pyetur nga InDOks se a ka marrë Azem Syla pare prej Fondit “3%”, gani Hoxha ka këtë përgjigje:

“Nuk e di drejtpërdrejtë, por unë e njohë atë person që është person kontrovers, person jo i dëshirueshëm as me bisedu me të, se jo me kry punë të mëdha. Dhe këtu po shihet krejt veprimtaria e tij edhe në Zvicër si person me terapi psikopati që është edhe vendim i mjekëve, me borxhe me mashtrime, pastaj me këto aferat, me kontrabandier serbë etj. Azem Syla është person tepër i padëshirueshëm për nevojat e luftës edhe shtetit shqiptar”, thotë ai.

 “3%”-shi i pazbuluar

Isa Mustafa po fliste menjëherë pasluftës për paratë që mbetën në Fondin “3%”. Tha që ishin diçka më shumë sea 50 milionë marka gjermane. E Tha në Televizionin Publik.

Askush nuk mund ta provoj të kundërtën, por as Mustaf ta vërtetojë krejt deri në fund këtë pohim, pra se veç kaq para mbetën.

Menjëherë pas luftës, në vjeshtë u mblodh për herë të fundi ai Kuvend i Kosovës që kishte mbetur, dhe tentoi ta miratonte një raport shkel-e-shko për financat, ku përfshihej kryesisht ky fond. Ani pse me shumicë LDK, ky raport nuk u miratua në këtë mbledhje.

Ky raport që e ka InDoks edhe sot e gjithë ditën mbetet i pamerituar. I dyshimtë mbetet edhe krejt procesi se si u shit banka e këtij fondi, “Dardania Banka” në  Tiranë.

E dyshimtë mbetet edhe pasuria e njerëzve të këtij fondi, si Isa Mustafa e Bujar Bukoshi me bashkëpunëtorë. E dyshimtë mbetet edhe pasuria e atyre që nga UÇK-ja përfituan nga Fondi “3%”. Por, edhe nga Fondi “Vendlindja Thërret”.

“Kanë qenë shumë të varfër, katastrofë janë kanë edhe prej rrënjëve familjare, secili prej tyre ka qenë më fukara se tjetri, jashtë nuk kanë punuar kurrë”, thotë Gani Hoxha, aktivist i Fondit “3%”

“Unë edhe kohëve të fundit kam shkruar për këto fenomene. Realisht për këto fenomene kam shkruar vazhdimisht nga vitit 99 e këndej, pro edhe viteve të fundit kam shkruar”, thotë Jakup Krasniqi, ish-Zëdhënës i UÇK-së

“Pas luftës njerëzit kanë drejtime të ndryshme që punojnë dhe kanë përfitime, dhe a ka të pasur, ka, mirëpo a kanë keqpërdorë nuk mund të them se nuk ka qenë e imja t’i kontrolloj se kush çfarë bënë pas lufte. Është e drejtë e çdokujt të punoj, por nëse ka keqpërdorë ekziston ligji i cili duhet të merret me këtë”, thotë Bislim Zyrapi, ish-Shef i Shtabit të UÇK-së.

Këtu e gjeni dokumentarin “Milionat e “3%”-shit për UÇK-në”