Kurti-Mustafa drejt fundit – LDK kërkon me ngulm kryeparlamentarin, VV s’e jep këtë post

Njomza Salihi

Kurti-Mustafa drejt fundit – LDK kërkon me ngulm kryeparlamentarin, VV s’e jep këtë post

Duket se rrugët ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës do të ndahen përfundimisht në këtë fundjavë.

Së paku kështu do të ndodh nëse Isa Mustafa nuk heq dorë nga kërkesa për ta pasur kryekuvendarin, pozitë kjo nga e cila asesi nuk heq dorë Albin Kurti.

Dy partitë që tash e një kohë po tentojnë bashkimin për bashkëqeverisje, duket se krejt në fund do të ndahen përfundimisht.

Kështu së paku ka thënë sot Isa Mustafa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Ne kemi dhënë një propozim që vlerësojmë se është shumë i balancuar që mendojmë se VV duhet ta trajtoj me vëmendje të veçantë dhe mbetemi të hapur që të ulemi të bisedojmë por ajo bisedë të ketë një përfundim me të shpejtë, mundësisht deri në fund të kësaj jave, në mënyrë që ta bëjmë marrëveshjen ose të konstatojmë se nuk ka kushte që marrëveshja të bëhet”, tha Mustafa para medieve, shkruan Insajderi.

“Ne mbetemi të përkushtuar që të punojmë për një marrëveshje, por një marrëveshje që respekton vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar. Prandaj ne do ta respektojmë këtë dhe mendojmë që marrëveshja duhet të qetë në pah një qeveri të balancuar, me harmoni me atë që qytetarët na kanë dhënë besimin me votën e tyre neve me 28 deputetë dhe VV-së me 29 deputetë”.

Pak kohë pas kësaj deklarate ka ardhur edhe reagimi nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili poashtu bën me dije se kjo parti nuk heq dorë nga posti i kryeparlamentarit.

“Pajtohem plotësisht me deklaratën e zt. Mustafa: Të përkushtuar që të punojmë për një marrëveshje e cila respekton vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar. Marrëveshja duhet të vë në pah një qeveri të balancuar dhe me përgjegjësi të balancuara mes dy palëve në harmoni me atë që qytetarët na kanë dhënë besimin e tyre…”

“Në linjë të njëjtë është edhe LV! andaj dhe në propozimet tona kemi ofruar që të ndajmë në mënyrë të barabartë marrjen e përgjegjësive në qeverisje, ose madje më shumë se balancim të qeverisjes duke i besuar LDK-së udhëheqjen e 6 ministrive përderisa ne do të qeverisim me 5 ministri”, thotë deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci, shkruan Insajderi.

“Sa i përket ndarjes së pushteteve, këtë e përcakton Kushtetuta në nenin 4 dhe LV! është e prirur dhe zotohet për respektimin e saj të plotë. Sipas Kushtetutës, tashmë kemi pushtetin legjislativ të dalur nga votimi i drejtpërdrejtë dhe Kryetarin e Kuvendit që është votuar nga 75 deputet”.

“Duhet të punojmë që brenda afatit kushtetues të votojmë Qeverinë dhe të ndajmë përgjegjësitë ekzekutive”.

Por, tash kur Kurtit i kanë mbetur edhe 14 ditë për formimin e qeverisë – ai dhe Mustafa – duket se janë ende shumë larg arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Ku ngeci marrëveshja për “koalicionin e shpresës?

Duket se takimi i fillimit të dhjetorit ndërmjet Albin Kurtit dhe Isa Mustafës “përçau” Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Dy partitë që tash e një kohë po tentojnë bashkimin për bashkëqeverisje, atë ditë nuk arritën të dakordoheshin kur erdhi puna te ndarja e posteve.

Pikërisht në atë moment – nisi saga VV-LDK – që tash e sa kohë s’ka fund, shkruan Insajderi

Isa Mustafa, pasi që zgjodhi i pari ministrinë e Punëve të Brendshme, njëra nga ministrit të cilën vazhdimisht e kërkonte Vetëvendosje, e vuri si kusht edhe pozitën e të parit të shtetit.

Përçarja u thellua edhe më shumë, kur për postin e kryeparlamentarit u nominua Glauk Konjufca, i cili më pas mori edhe votat eLDK-së, ndonëse ku nominim kishte ndodhur pa dijeninë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Po pa dijeninë e Isa Mustafës, Albin Kurti përmes një video bëri të ditur edhe emrat e ministrave nga partia e tij.

Por, pas katër takimeve të pasuksesshme, në të cilat arrinin vetë të pajtoheshin që të takohen prapë, Kurti më 14 janar një ofertë të fundit siç thanë ata, përmes së cilës i propozonte Lidhjes Demokratike të Kosovës rritjen e numrit të ministrive.

Gazeta Insajderi e publikoi këtë ofertë, përmes së cilës LVV do të mbante pozitën e kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e 2-të, një nënkryetar Kuvendi dhe 5 ministrit që ishin marrë vesh më parë. Derisa LDK-së ia lenin, zëvendëskryeministrin e 1-rë, nënkryetarin e 1-rë të Kuvendit, 6 ministri dhe dy zv.ministra më shumë.

Po ashtu VV është pajtuar që LDK ta propozojë kandidatin për President i cili sipas VV-së plotëson të gjitha kushtet dhe te gjitha kriteret kushtetuese.

“Nëse, për çfarëdo arsye nuk zgjedhet Presidenti, atëherë LDK do ta marrë një ministri shtesë”, thuhej tutje në propozim.

Pas një dite, Lidhja Demokratike e Kosovës, po me shkrim i është përgjigjur propozimit të Vetëvendosjes.

Isa Mustafa, insiston të marrë pozitën e kryeparlamentarit që zyrtarisht nga 26 dhjetori e ushtron Glauk Konjufca.

“LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës)”, thuhet në propozimin e LDK-së, shkruan Insajderi.

Lidhja Demokratike, nuk është pajtuar me rritjen e numrit të ministrive.

“Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët”, thuhet më tej në propozimin e LDK-së.

Mbetët të shihet deri në fund të javës dy liderët do ta bëjnë “hapin e madh”, apo gjithçka do të kthehet përfundimisht në “fillim”?