Lakmitar e skandaloz – Rënia e turpshme e pasanikut Pacolli nga skena politike

Dorëheqjet, të cilat e kthyen AKR-në në një parti me karakter të qartë personal e familjar në të cilën pozitat udhëheqëse i morën vëllai e kushërinjtë e Behgjet Pacollit, si dhe skandali i fotografisë me kriminelin Milan Radojiçiq, duket se ndikuan në rënien më të madhe që ka përjetuar ndonjëherë kjo parti. Mbetja jashtë Qeverisë e Kuvendit e AKR-së nuk parashihet që të ndikojë në rënien e cilësisë së skenës politike. Anash mund të mbetet vetëm shfrytëzimi i aeroplanit privat të tij nga pushtetarët e ardhshëm, i cili supozohet se ishte një prej “pasurive intelektuale” të tij që vlerësohej nga pushtetarët e kaluar.

Lakmitar e skandaloz – Rënia e turpshme e pasanikut Pacolli nga skena politike

Teksa ende nuk janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, pas numërimit të 100 për qind të votave të rregullta, partia e udhëhequr nga biznesmeni Behgjet Pacolli, nuk ka marrë numrin e  mjaftueshme për kalimin e pragut zgjedhor, ndonëse ndodhej në koalicion me Nismën Socialdemokrate.

Me 39.495 vota, koalicioni i Aleancës Kosova e Re me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt mori vetëm 4.96 për qind të votave të elektoratit.

Rrugëtimi i Pacollit nga biznesmen në politikan, përmes krijimit të partisë Aleanca Kosova e Re, që u fut në zgjedhjet e 2007-ës me premtimin për zhvillim ekonomik dhe punësim, arriti po atë vit rezultatin më të lartë ndonjëherë në historinë e saj.

Por skandalet që e shoqëruan Pacollin në krye të diplomacisë kosovare, u ndëshkuan nga votat e qytetarëve. Ai të dielën nuk mori vota as për ta kaluar pragun zgjedhor.

Dështimi i madh i AKR-së në këto zgjedhje mund të shënoj fundin e saj politik dhe shuarjen e saj, sic u ka ndodhur disa partive tjera në të kaluarën në Kosovë.

Si nisi rrugëtimi politik i biznesmenit multimilionësh?

Biznesmeni Behgjet Pacolli, ishte i njohur si njëri ndër shqiptarët më të pasur në botë. Ai drejtonte kompaninë “Mabetex Grup”, një kompani konstruksioni dhe inxhinieri civile me qendër në Zvicër dhe disa biznese të tjera që i siguronin pasuri mbi 400 milionëshe.

Kjo nuk i mjaftoi, në vitin 2006 u kyq edhe në skenën politike. Më 17 mars të atij viti, Pacolli e themeloi partinë politike Aleanca Kosova e Re (AKR), e cila mori pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007.

Me premtimet për ngritjen e ekonomisë dhe uljen e papunësisë së një vendi, që ende nuk kishte shpallur pavarësinë, partia e biznesmenit Pacolli kishte dalë partia e tretë më e votuar. Në këto zgjedhje parlamentare arriti të marrë 70.150 vota, që i siguroi AKR-së 13 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Këto zgjedhje shënuan rezultatin më të mirë të AKR-së që prej ekzistencës së saj në skenën politike.

Në tre vitet e ardhshme Aleanca Kosova e Re qëndroi në opozitë. E megjithëse mori grumbulloi afër vetes një sërë partish të vogla në zgjedhjet e vitit 2011, AKR nuk arriti të rriste performancën e saj. Mori rreth 20 mijë vota më pak.

Me 7.29 për qind, apo 50.951 vota të fituara, në zgjedhjet e vitit 2010 koalicioni i udhëhequr nga AKR-ja kishte marrë vetëm 8 ulëse në Kuvend.

35 ditët e Pacollit si president

Behgjet Pacolli, i cili e lakmonte tërë kohën postin e lartë shtetëror, siç është ajo e presidentit të vendit, arriti të zgjidhet vetëm pasi ia ofroi PDK-së së Hashim Thaçit votat për të formuar qeverinë.

Në këtë post shumë të lakmueshëm nga ai, Pacolli qëndroi vetëm 35 ditë. Gjatë periudhësshkurt dhe mars të 2011.

Gjykata Kushtetuese, e rrëzoi Pacollin nga pozita e Presidentit, pasi konstatoi se ishte zgjedhur në mënyrë jo ligjore.Kjo gjykatë me aktgjykimin e saj thoshte se e shpallte jo-kushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës të 22 shkurtit 2011 për emërimin e Behgjet Pacollit President dhe e shpallte atë të pavlefshëm që nga 30 marsi i atij viti.

Sipas vendimit të kushtetueses, 34 deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kishin pasur të drejtë në parashtrim, votimi në seancë nuk kishte pasur kuorumin e duhur (prej dy të tretave të tërësisë së Kuvendit) dhe po ashtu nuk kishte pasur kundërkandidat të Pacollit – dhe procedura kështu shkelte Kushtetutën e vendit.

Pacolli kishte nënshkruar më pas zgjedhjen e koloneles Atifete Jahjaga për Presidente të vendit ndërsa vetë ishte emëruar Zëvendëskryeministër.

Ngritja e AKR-së në pushtet

AKR-ja e Behgjet Pacollit që nga viti 2007 kur është themeluar, ka qenë dy herë në bashkëqeverisje me partitë më të mëdha.

Legjislatura e katërt e kuvendit, shënoi hyrjen e AKR-së për herë të parë në pushtet, kur u bë pjesë e qeverisë në një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës të drejtuar nga Hashim Thaçi. Pacolli ia siguroi votat për kryeministër Hashim Thaçit në shkëmbim të postit të presidentit.

Kjo qeveri shkoi deri në 2014, kur Qeveria Thaçi e dërgoi vendin në zgjedhje të parakohshme.

Qeverisja me PDK-në dhe mospërmbushja e pritshmërie të votuesve të saj në planin ekonomik, rezultoi me një rënie kuptimplotë të partisë së Behgjet Pacollit në zgjedhjet e atij viti.

Nga një parti që gëzonte entuziazëm tek votuesit për ndryshime, në zgjedhjet e vitit 2014, AKR u shndërrua në dështim politik. Fitoi besimin e vetëm 34.170 apo 4,67% të votuesve, duke mbetur për herë të parë nën pragun zgjedhor.

Mirëpo, partia e Behgjet Pacollit dhe familjarëve të tij që mbanin pozita të larta zyrtare brenda subjektit, u rikthye të jetë faktor i rëndësishëm në zgjedhjet e vitit 2017.

AKR iu bashkua një koalicioni të gjerë me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Alternativën dhe arriti të siguronte katër ulëse në Kuvendin e Kosovës, nga 29 sosh që kishte siguruar në tërësi koalicioni i ashtuquajtur LAA (LDK-AKR-Alternativa).

Kur koalicionit fitues të zgjedhjeve të 2017-s PAN (PDK-AAK-Nisma), iu duheshin vetëm pak ulëse në Kuvend për të krijuar shumicën pas një ngërçi politik, Pacolli bashkë me katër deputetët e tij dolën nga koalicioni me LDK-në dhe mbështetën Ramush Haradinajn për kryeministër.

Kjo mbështetje, e cila u konkretizua me nënshkrimin e marrëveshjes për qeverisje në rezidencën luksoze të Pacollit në Hajvali, iu shpërblye partisë së tij.

AKR mori disa ministri për t’i drejtuar, edhe pse kishte mbetur me vetëm dy deputetë: këngëtarin Labinot Tahiri dhe kushëririn e tij, Islam Pacollin. Dy deputetët e tjerë kishin dhënë dorëheqje pas vendimit të Behgjet Pacollit për të mbështetur PAN-in.

Behgjet Pacolli, i njohur nga miqtë dhe kolegët e tij si “Baci”, u emërua udhëheqës i diplomacisë kosovare si ministër i Punëve të Jashtme dhe po ashtu u shpërblye me pozitën e zëvendëskryeministrit të parë të qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Skandalet e kryediplomatit Pacolli

Me vetëm katër deputete sa kishte AKR-ja Behgjet Pacolli, mori pozita të rëndësishme në qeverinë e Haradinajt. Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, do t`i drejtonin anëtarët e saj.

Dy vitet e AKR-së në Qeverinë Haradinaj u shoqëruan me skandale dhe performancë joefektive në dikasteret qeveritare që ajo udhëhoqi.

Përveç se nuk solli asnjë njohje të re si udhëheqës i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Pacolli e shfrytëzoi pozitën e tij si kryediplomat për ta emëruar konsull nderi të Republikës së Kosovës një biznesmen të ndjekur nga drejtësia amerikane për lidhje me grupe kriminale dhe politikan të korruptuar.

Insajderi raportoi se si biznesmeni Enrique Rais, përfitoi nga pushteti i Pacollit në Qeverinë e Kosovës, i cili edhe ka lidhje biznesore me kreun e AKR-së. Pacolli figuron si menaxher në kompaninë “Rais Group International NC, LLC”, të udhëhequr nga biznesmeni i dyshimtë nga Hondurasi.

Një moment tjetër që dëshmoi dobësinë e Pacollit në qeverisjen e fundit, ishte edhe nënshtrimi përballë deputetit të tij, këngëtarit të zhanrit trubo-folk, Labinot Tahirit, për ta emëruar një ministër nga Komuna e Ferizajt në kabinetin qeveritar.

E, me sondazhet që nuk i parashikonin rezultat të mirë për zgjedhjet e këtij viti dhe me rrezikun për të mos e kaluar edhe një herë pragun zgjedhor, AKR vendosi t’i hynte zgjedhjeve të vitit 2019 në një koalicion me partnerin qeveritar, Nismën Socialdemokrate.

Në zgjedhjet e këtij viti, AKR hynte pa disa nga eksponentët më të rëndësishëm të partisë, të cilët u larguan nga partia gjatë këtij viti.

Ish-ministrja e Ambientit, Albena Reshitaj, ish-deputeti Labinot Tahiri dhe kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, e lanë AKR-në për t’iu bashkuar subjekteve të tjera politike para zgjedhjeve të 6 tetorit 2019.

Pak ditë para zgjedhjeve, gjatë fushatës elektorale, AKR u godit nga një skandal i kreut të saj, Behgjet Pacollit.

Insajderi publikoi një fotografi të Pacollit me Milan Radojiçiqin, e cila sipas burimeve të gazetës, ishte zhvilluar në një jaht në Mal të Zi, i cili është nën pronësi të Radojiçiqit, të dyshuarit kryesor për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Dorëheqjet, të cilat e kthyen AKR-në në një parti me karakter të qartë personal e familjar në të cilën pozitat udhëheqëse i morën vëllai e kushërinjtë e Behgjet Pacollit, si dhe skandali i fotografisë me Radojiçiqin duket se ndikuan në rënien më të madhe që ka parë ndonjëherë kjo parti.

AKR- rrëzohet në pragun zgjedhor

Aleanca Kosova e Re, në koalicion me Nismën Socialdemokrate, të dielën arritët të marrin vetëm 39.495 vota të elektoratit, apo 4.96 për qind të tyre – nga numërimi i 100 për qind të votave të rregullta.

Teksa kanë mbetur pa u numëruar votat me kusht dhe ato të diasporës, koalicioni ndërmjet Nismës dhe AKR-së nuk ka arritur numrin e mjaftueshëm të votave për të kaluar pragun zgjedhor prej 5%.

Nga katër ulëse të siguruara në koalicionin me LDK-në dhe Alternativën në zgjedhjet e vitit 2017, AKR dhe Nisma Socialdemokrate bashkë, së paku deri tani, nuk kanë arritur kalimin e pragut zgjedhor dhe sigurimin e së paku gjashtë ulëseve në Kuvend.

Mirëpo, në partinë e Behgjet Pacollit ende ka optimizëm për shpëtimin e koalicionit dhe kalimin e pragut zgjedhor deri në certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit. Sekretari i AKR-së Vesel Makolli, thotë se koalicionit i mungojnë vetëm 300 vota për të kapërcyer pragun zgjedhor.

“Nga numërimi votave të panumëruara me kusht dhe nga rinumërimi i 303 vendvotimeve mund të dal diçka, sepse neve momentalisht na mungojnë afër 300 vota. Kështu që, 300 vota nuk është numër i madh dhe i paarritshëm”, ka thënë Makolli në një bisedë me Insajderin.

Makolli, i cili është sekretar i Përgjithshëm i AKR-së, numëron tre “fajtorë” për rezultatin e dobët në zgjedhje.

“Mendoj se faji, në thonjëza – nëse mund ta quaj kështu, është fakti që kanë dalë një numër i madh i votuesve në zgjedhje, çka ka ndikuar në rritjen e pragut. Pastaj, ndoshta ka pasur pakënaqësi tek elektorati tek koalicioni që kemi bërë”, shprehet Makolli. “Po ashtu, ju e dini për dorëheqjet e disa anëtarëve nga Nisma Socialdemokrate, edhe kjo ka ndikuar”.

Ndonëse AKR i ka mbijetuar një herë rënies nën pragun zgjedhor në vitin 2014, Makolli shprehet i bindur se ajo që i kishte ndodhur Partisë Reformiste Ora më 2007 dhe LDD-së më 2011 – të cilat u shuan pasi nuk kishin arritur kalimin e pragut zgjedhor –nuk do t’i ndodhë partisë së Pacollit.

“Jeta vazhdon sepse edhe humbja është pjesë e jetës”, deklaron Makolli. “Tash ne i kemi në rend edhe zgjedhjet e brendshme, e pastaj, pas dy vitesh i kemi zgjedhjet komunale. Ne do të ri-strukturohemi dhe nuk mund ta ndalim aktivitetin”.

Publikimi i rezultateve të certifikuara të zgjedhjeve të 6 tetorit i ka hapur rrugë formimit të qeverisë së ardhshme të përbërë nga dy partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat fituan një shumicë prej 50.13 për qind të votave të elektoratit (VV – 25.49%, LDK – 24.82%).

Katër ditë pas zgjedhjeve, LVV dhe LDK kanë nisur negociatat për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e qeverisë së re, e cila nëse finalizohet, do t’i lë në opozitë PDK-në, AAK-në dhe PSD-në, Nismën e AKR-në.

Edhe nëse kjo e fundit, koaliconi Nisma-AKR, e kalon pragun duket se partia e Pacollit nuk ka arritur të ketë shumë deputet në legjislaturën e ardhshme dhe nuk është parti qëshihet me simpati nga koalicioni fitues VV-LDK.

Mbetja jashtë Qeverisë e Kuvendit e AKR-së nuk parashihet që të ndikojë në rënien e cilësisë së skenës politike. Mangut mund të mbetet vetëm shfrytëzimi i aeroplanit privat të tij nga pushtetarët e ardhshëm, i cili supozohet se ishte një prej “pasurive intelektuale”të tij që vlerësohej nga pushtetarët e kaluar. /Insajderi.com