MBLEDHJET E PËRBASHKËTA DHE AUTOSTRADAT, PROPAGANDË PËR BASHKIM APO PËRÇARJE?

4 herë në katër vitet e fundit u bën bashkë qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës. Të vendosur për ta thelluar bashkëpunimin, ata kanë arritur shumë marrëveshje, por shumica prej tyre kanë mbetur vetëm në letër. Insajderi ka gjetur se pjesa më e madhe e marrëveshjeve nuk janë zbatuar. E në mbledhjen e ardhshme që pritet të mbahet në Pejë më 26 nëntor, do të diskutohet edhe për taksën e lartë në “Rrugën e Kombit”. Autostradë për të cilën propagandohej se do t’i hapte rrugën bashkimit kombëtar.

MBLEDHJET E PËRBASHKËTA DHE AUTOSTRADAT, PROPAGANDË PËR BASHKIM APO PËRÇARJE?

Në qytetin e lashtë të Prizrenit, me shqiponjën në mes të tavolinave e me deklarata patriotike, Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë u takuan për herën e parë më 11 janar 2014.

Takimi i parë që do t’i hapte rrugën edhe shumë takimeve tjera, u udhëhoq nga kryeministri i asaj kohe i Kosovës, Hashim Thaçi.

Qysh në mbledhjen fillestare, dy shtetet vendosën ta thellojnë bashkëpunimin duke nënshkruar një numër të madh marrëveshjesh, shkruan Gazeta Insajderi.

Me synimin e lehtësirave ekonomike, bashkëpunimit tregtar, bashkëpunimit ndërkufitar, Edi Rama e Hashim Thaçi, ishin të entuziazmuar pas takimit. Të dy njëzëri u shprehën të bindur se ky takim, do t’i hapte rrugën bashkimit të shqiptarëve, duke përfshirë edhe Luginën

Veç mbledhjes së parë, dy qeveritë u mblodhën edhe tri herë të tjera.

Fillimisht në marsin e vitit 2015 në Tiranë, për ta vazhduar pastaj në qershor të vitit 2016 në Prishtinë, kurse mbledhja e fundit u mbajt më 26 nëntor në qytetin e Korçës.

Dorëlirë në nënshkrimin e marrëveshjeve dy qeveritë u panë në të gjitha mbledhjet, por zbatimi i tyre ende nuk po ndodhë në praktikë.

Insajderi, ka gjetur se nga 28 marrëveshje, deri më tani janë zbatuar vetëm 10 prej tyre.

Në letër dhe pa u zbatuar kanë mbetur 18 marrëveshje të arritura në katër mbledhjet e dy qeverive që janë mbajtur deri më tani.

Zbatim të plotë nuk kanë gjetur as memorandumet e nënshkruara ndërmjet dy vendeve. Prej 10 memorandumeve që janë arritur, 6 nuk janë zbatuar.

Se marrëveshjet nuk po zbatohen, e kishte pranuar edhe publikisht kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Kapaciteti për të bashkëpunuar bashkë me Republikën e Shqipërisë qeverisës ekziston, por nuk është aq në zbatim, nuk ka ndodhur mjaftueshëm, në të kaluarën, mendoj as tash jo. Ekziston një ndjenjë e mirë, në vullnet i madh, ekziston një. Por praktikisht ka disa po i quaj ashtu që çalon në disa aspekte. Të gjitha marrëveshje që atëherë që janë nënshkruar e deri sot, është dashur të arrijnë në Kuvend, do të kërkoj që me shkresa t’iu vijnë deputetëve. Donë ndoshta evoluim të brendshëm pse ngecë zbatimi, pra i të dy qeverive, nuk mendoj vetëm i Kosovës, por edhe i Shqipërisë”, kishte thënë Haradinaj gjatë muajit mars.

Insajderi gjithashtu ka gjetur se disa prej marrëveshjeve të njëjta, janë nënshkruar deri në tri herë në mbledhjet mes dy qeverive.

Njëra nga to është Marrëveshja e cila ishte nënshkruar në mbledhjen e parë në vitin 2014 për bashkëpunim në fushën e sigurisë. E njëjta, ishte nënshkruar edhe në mbledhjen e dytë që ishte mbajtur në Tiranë.

Rast i ngjashëm është edhe me marrëveshjen për bashkëpunim tregtar. Në dy mbledhjet e para, është nënshkruar nga ministrat e dy shteteve marrëveshje e njëjtë.

Në mbledhjen e fundit në Korçë ishte vendosur për organizimin e kurseve të gjuhës shqipe në Diasporë. E njëjta marrëveshje ishte nënshkruar gjithashtu në mbledhjen e mbajtur në muajin mars në Tiranë.

Barrërierat më të mëdha janë në zbatimin e marrëveshjeve në sektorin e ekonomisë dhe tregtisë.

Prodhuesit kosovarë vazhdojnë të kenë probleme për importin e produkteve të tyre në Shqipëri.

Barrierat ekonomike me Shqipërinë i kishte pranuar në një intervistë për Gazetën Insajderi edhe drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

“Kur jemi tek Shqipëria kur e përmenda këtë ri orientimin ekonomik ne po pretendojmë ta rrisim komunikimin dhe bashkëpunimin me Shqipërinë, por fatkeqësisht shumë barriera jo tash politike siç është me Serbinë dhe Bosnjën por për shkak të grupeve të interesit që janë në Shqipërinë po mbesim”, kishte thënë Rukiqi.

Zbatim të vogël kanë gjetur edhe marrëveshjet në arsim. Probleme me nostrifikimin e diplomave, vazhdojnë të kenë studentët kosovarë që diplomojnë në Shqipëri.

Një lehtësim, është vlerësuar heqja e TVSH-së për importin e librave.

Në anën tjetër, ato pak marrëveshje që janë zbatuar janë në diplomaci, politikë të jashtme, dhe agjendën evropiane.

Bashkëpunimin më të madh Kosova dhe Shqipëria e kanë në mbështetjen e njëra-tjetrës në rrugën euroatlantike, bashkëpunimin në politikë të jashtme, përkrahjen në anëtarësim në organizatat e huaja etj.

Mbledhja e fundit mes dy qeverive u mbajt sot në qytetin e Pejës. Marrëveshja që pritet të nënshkruhet në këtë takim, do të jetë ajo për unifikimin doganor.

Edhe pse marrëveshje për bashkëpunimin ndërmjet Doganave kishte pasur qysh nga mbledhja e parë, zbatimi i saj ka lënë për të dëshiruar.

Temë kryesore në mbledhjen e pestë në Pejë, ishte edhe taksa që Shqipëria ka vendosur për Rrugën e Kombit, e që nga autoritetet kosovare po vlerësohet si tejet e lartë.

Autostradat e bashkimit apo të ndarjes

Mijëra qytetarë kishin dalur më 26 qershor të vitit 2009, për të festuar përurimin e Autostradës së Kombit, që shpesh u tha se i hapte rrugë bashkimit kombëtar.

Sali Berisha, aso kohe kryeministër i Shqipërisë me tone patriotike ishte ekzaltuar për përurimin e kësaj rruge.

Në prani të presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, Berisha thoshte se kësaj autostrade nuk duhej t’i frikësohet askush.

“Te gjithë ata, të cilit të nisur nga shqiptarofobia bënë çdo gjë për të penguar ndërtimin e saj, dua t’i siguroj se shqiptarët udhëhiqen dhe do të udhëhiqen nga fryma e miqësisë dhe bashkëpunimit, dhe se ky korridor do t’u shërbejë jo vetëm shqiptarëve, por të gjithë popujve të rajonit”, kishte thënë Sali Berisha.

Entuziazëm i njejtë kishte qenë edhe disa vite më pas, kur Kosova po përuronte Autostradën “Ibrahim Rugova”, që gjithashtu ndikoi në afërsinë me Shqipërinë.

Në nëntorin e vitit 2013, kryeministri i athershëm Hashim Thaçi, thoshte se kjo rrugë ishte realizim i ëndrrës i shumë shqiptarëve.

“Kosova është një vend i bekuar nga Zoti për natyrën që e ka, për bukurinë e saj por edhe për pozicionin e saj në rajon. Kjo autostradë është vetëm fillimi i zhvillimit tonë, Autostrada lidh Kosovën me Shqipërinë dhe përmes Adriatikut me Evropë. Autostrada lidh qytete dhe vendbanime të veriut dhe jugut të Kosovës drejt përparimit”, kishte thënë Hashim Thaçi.

Të ndërtuara nga e njëjta kompani, “Bechtel Enka”, dy autostradat shterën pothuajse buxhetin e dy shteteve.

Autostrada në pjesën e Shqipërisë që është e gjatë pak më shumë se 100 kilometra, i ka kushtuar Shqipërisë mbi 1.3 miliardë dollarë.

Shumë marramendëse për autostradë pagoi edhe Kosova. Rruga që sot njihet si “Autostrada Ibrahim Rugova”, i kushtoi buxhetit të shtetit gati një miliardë euro.

E gjatë pothuajse 80 kilometra, Kosova pagoi rreth 12 milionë euro për një kilometër të kësaj rruge.

Nisur si dy rrugë që po i shërbejnë më shumë bashkimit kombëtar, dy autostradat kohëve të fundit më shumë kanë sjellur debat përçarës.

Kjo pasi Qeveria e Shqipërisë vendosi taksa për çdo veturë që kalon në Rrugën e Kombit, taksë që u cilësua shumë e lartë në Kosovë.

5 euro është i detyruar të paguajë çdo qytetar që e shfrytëzon Rrugën e Kombit me veturë. Kurse për automjete tjera shifrat janë edhe me të larta.

Autobusët duhet të paguajnë 11.2 euro, kamionët e mesëm 16.2, kurse kamionët e rëndë 22.5 euro.

Këtë çmim e kishte arsyetuar Edi Rama, por kategorikisht kundër kishte dalë kryeministri Ramush Haradinaj.

“Nuk ka pagesë 10 euro, është 5 euro, çmim që paguhet kudo në rajon dhe kontribut që shkon për mirëmbajtjen e rrugës, e cila u ndërtua pjesërisht”, kishte thënë Rama.

Por krahasuar me taksat e vendeve të rajonit, taksa e Shqipërisë që më së shumti dëmton kosovarët, është dukshëm më e lartë.

Autostrada Shkup-Tetovë e gjatë rreth 40 kilometra, ka taksë vetëm 1 euro. 220 kilometra është e gjatë edhe autostrada Nish-Beograd, por që paguhet 7 euro.

Parapagimi vjetor i shfrytëzimit të autostradës në Slloveni është 55 euro, në Austri 34.7 euro, në Zvicër 40 franga zvicerane apo 37 euro, në Hungari 137 euro dhe Bullgari 50 euro.

Si të lartë këtë taksë e kishte vlerësuar në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Nëse do të ishte në pyetje, kostoja e mirëmbajtjes së kësaj rruge, ne kishim mundur të dakordësojmë për të paguar dhe ne një kosto nga buxheti jonë i Kosovës, që të mos vendoset një taksë kaq e lartë. Është diçka që bëhet në raste të caktuara”, kishte thënë i pari i ekzekutivit.

Por për këtë vendim Shqipëria nuk e kishte konsultuar fare Kosovën.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj kishte thënë se Kosova ishte njoftuar shumë vonë me vendimin për këtë taksë.

Por taksë e njëjtë pritet të ketë edhe në Autostradën “Ibrahim Rugova”. Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Insajderi zv/ministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu.

Por Kadriu është shprehur i bindur se kjo taksë në anën kosovare, do të jetë më e ulët.

“Sa i përket taksës rrugore ne po planifikojmë që të hapum një tenderë në pranverën e hershme për studim të fiziblitetit. Do të shohim mundësinë me qeverinë e Kosovës në cilën formë po shkojmë, në partneritet publiko-privat, apo me koncesionim apo do ta menaxhojmë vetë si ministri. Mirëpo aty na rrjedhë edhe kostoja e autostradës, mirëpo unë besoj dhe shpresoj se në bazë të kostos që ne harxhojmë në vit për mirëmbajtje të dy autostradave, kostoja do të jetë minimale, kosto e ulët në krahasim me atë të Shqipërisë”, ka thënë Kadriu për Insajderin.

Se a do të ndryshohet taksa në mbledhjen e pestë në Pejë ende nuk dihet, por edhe kësaj radhe pritet nënshkrimi i shumë marrëveshjeve, zbatueshmëria e të cilave ende pa u nënshkruar duket e zbehtë./Insajderi.com