Mijëra euro për udhëtime, dreka e mëditje- shpenzimet e ministrit Jevtiq dhe zëvendësve të tij

Jevtiq ka harxhuar vitin e kaluar mbi 3 mijë e 500 euro me shpenzimet me kartelë, që përfshijnë udhëtimet jashtë vendit. Ka shpenzuar po ashtu rreth 1 mijë euro për dreka zyrtare, raporton Insajderi.

Mijëra euro për udhëtime, dreka e mëditje- shpenzimet e ministrit Jevtiq dhe zëvendësve të tij

Rreth 20 mijë euro (19.496) të taksapaguesve kosovarë kanë shpenzuar kabinetet e ministrit dhe zëvendësministrave të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete përgjatë vitit 2018.

Mijëra eurot e shpenzuara nga ministri Dalibor Jevtiq, zëvendësministrat Milazim Gashi, Naser Meta, Qazim Rrahmani dhe Floren Hoxha janë bërë për shpenzime telefonike, për udhëtime jashtë vendit, për dreka zyrtare dhe për mëditje.

Insajderi ka siguruar shpenzimet e ministrit Dalibor Jevtiq dhe katër zëvëndësve të tij përmes një kërkese për qasje në dokumente zyrtare.

Sipas dokumenteve zyrtare, mbi 7 mijë euro të taksapaguesve kosovarë kanë harxhuar për udhëtime zyrtare jashtë vendit ministri Jevtiq dhe zëvendësi i tij, Milazim Gashi.

Ministri, zëvendësministrat dhe këshilltarët politikë nga kjo ministri nuk janë kursyer as për shpenzime të reprezentacionit- dreka dhe darka zyrtare. 5,888 euro kanë shpenzuar për dreka dhe darka zyrtarët e lartë të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete.

Më së shumti për shpenzime të reprezentacionit ka harxhuar zëvendësministri Qazim Rrahmani. Ai ka shpenzuar mbi 1 mijë euro për dreka dhe darka zyrtare.

Zëvendëskryeministri i “tërhequr” nga Qeveria vazhdoi të shpenzonte paratë e shtetit

Ndonëse në muajin mars të vitit 2018, Lista Serbe u tërhoq joformalisht nga institucionet e Kosovës, zëvendëskryeministri dhe ministri për Kthim dhe Komunitete që vjen nga radhët e kësaj partie, Dalibor Jevtiq, ka shpenzuar mbi 5 mijë euro të taksapaguesve kosovarë.

Jevtiq ka harxhuar vitin e kaluar mbi 3 mijë e 500 euro me shpenzimet me kartelë, që përfshijnë udhëtimet jashtë vendit. Ka shpenzuar po ashtu rreth 1 mijë euro për dreka zyrtare, raporton Insajderi.

Sipas dokumenteve zyrtare të Qeverisë së Kosovës, të cilat i ka siguruar Insajderi, Jevtiq ka marrë mëditje prej 562 eurove.

Rreth 600 euro të tjera të taksapaguesve kosovarë, Jevtiq i ka shpenzuar për telefonata.

Afro 700 mijë euro kanë shpenzuar shtatë ministri të qeverisë së Kosovës vetëm gjatë vitit të kaluar për paga, meditje, dreka, darka, karburante e telefona.

Gazeta Insajderi ka kërkuar qasje në të gjitha shpenzimet e qeverisë dhe ministrivë, por ka marrë përgjigje brenda afatit ligjor nga numri minimal i tyre. Zyra e kryeministrit është arsyetuar se ende nuk ka përfunduar raporti i shpenzimeve.

Insajderi nga e premtja ka nisur me publikimin e serisë së shkrimeve për këto shpenzime. /Insajderi.com