Mijëra eurot e taksapaguesve kosovarë që i shpenzoi zv/ministri i dënuar me burg

Insajderi ka siguruar shpenzimet e ministrit Rasim Demiri dhe tre zëvëndësve të tij përmes një kërkese për qasje në dokumente zyrtare.

Mijëra eurot e taksapaguesve kosovarë që i shpenzoi zv/ministri i dënuar me burg

Mbi 10 mijë euro të taksapaguesve kosovarë janë shpenzuar për dreka dhe darka zyrtare, nga ministri dhe zëvendësministrat e Zhvillimit Rajonal gjatë vitit 2018.

Përveç mijëra eurove të harxhuara në shpenzime të reprezentacionit, ministri dhe tre zëvendësministrat të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal (MZHR) kanë shpenzuar edhe disa mijëra euro të tjerë në udhëtime zyrtare. Rreth 5 mijë sosh janë shpenzuar për udhëtime zyrtare jashtë vendit.

Insajderi ka siguruar shpenzimet e ministrit Rasim Demiri dhe tre zëvëndësve të tij përmes një kërkese për qasje në dokumente zyrtare.

Sipas dokumenteve zyrtare, edhe më shumë shpenzime ministri Rasim Demiri dhe zv/ministri i shkarkuar dhe i dënuar me burg për ryshfet, Musa Cena, zv/ministri Esat Raci, si dhe zv/ministrja Magbule Shkodra kanë bërë me telefona.

Mbi 8 mijë euro kanë harxhuar ministri Demiri dhe tre zëvendësministrat e tjerë për shpenzimet telefonike. Ministri Rasim Demiri ka harxhuar 3 mijë euro për telefonata.

Për këtë kategori të shpenzimeve nuk janë kursyer as tre zëvëdësat e tij: i shkarkuari Musa Cena, Magbule Shkodra dhe Esat Raci. Ata kanë harxhuar nga 1,800 euro, përkatësisht 1,500 euro për telefonata.

Ndërkaq, për mëditje, nga katër zyrtarët më të lartë të kësaj ministrie, nuk janë harxhuar më shumë se 1 mijë euro.

Ministria e drekave dhe darkave

Më shumë se për telefonta dhe udhëtime, katër zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal – ministri dhe tre zëvendësat e tij – kanë shpenzuar për dreka dhe darka zyrtare.

Shuma totale që ministri Demiri dhe tre zv/ministrat e tij kanë shpenzuar për dreka dhe darka zyrtare vitin e kaluar kap shifrën e 10 mijë e 621 euro.

Ministri Rasim Demiri ka shpenzuar 4 mijë e 300 euro për dreka zyrtare. Nuk dihen si janë shpenzuar ato dhe në çfarë rastesh.

Ndërkaq, mbi 6 mijë euro i kanë kushtuar taksapaguesve kosovarë shpenzimet për dreka dhe darka zyrtare të tre zëvendësministrave të Zhvillimit Rajonal. Pozitë të cilën deri në muajin tetor të vitit të kaluar e mbante edhe Musa Cena, zv/ministri i skarkuar për ryshfet.

Në vitin 2008 është miratuar një udhëzim administrativ i cili ka përcaktuar mënyrën dhe shumën e shpenzimeve të reprezentacionit për zyrtarët e lartë publik. Sipas këtij udhëzimi janë 12 pozita në kuadër të institucioneve të Qeverisë së Kosovës që kanë të drejtë në shpenzime të reprezentacionit.

Sipas nenit 5 të këtij udhëzimi, kryeministri dhe zëvendësit e tij/saj nuk kanë fare kufizime në këtë kategori shpenzimesh. Ministrat kanë të drejtë që të shpenzojnë deri në 500 euro në muaj, zëvendësministrat deri në 200 euro, këshilltarët politikë deri në 100 euro, shefat e kabineteve të ministrive deri në 50 euro, e kështu me radhë. /Insajderi.com