Miku i Zafir Berishës punësohet në Ministrinë e Nismës pasi del nga burgu

Nysret Durmishi, i cili ka shërbyer si drejtor i Inspektoratit të Punës në qeverisjen e Ramadan Mujës në Prizren, ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Prizrenit në fund të vitit 2016 për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Dyshohej se ishte implikuar në mbindërtimet që kishin zënë vend në Prizren asokohe.

Miku i Zafir Berishës punësohet në Ministrinë e Nismës pasi del nga burgu

Rreth një vit e gjysmë pasi doli nga burgu, Nysret Durmishi, anëtar i Nismës Socialdemokrate dhe miku i deputetit Zafir Berisha, u punësua në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Durmishi, i cili ka shërbyer si drejtor i Inspektoratit në qeverisjen e Ramadan Mujës në Prizren, ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Prizrenit në fund të vitit 2016 për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Dyshohej se ishte implikuar në mbindërtimet që kishin zënë vend në Prizren.

Ndonëse dyshohej se Durmishi ishte arratisur pas aktvendimit të Gjykatës në dhjetor të 2016-s, në një bisedë telefonike me Insajderin, anëtari i Nismës Socialdemokrate ka deklaruar se ai e ka vuajtur dënimin për gjashtë muaj. Ka thënë se dy muaj i janë falur nga Ministria e Drejtësisë.

“Unë e kam vuajtur dënimin. Nuk e di se çfarë pyetje është kjo; nuk kam pasur se si t’i ik dënimit”, ka thënë Durmishi të enjtën e javës së kaluar. “[Burgun, v.j] e kam mbajtur prej janarit të vitit 2017, deri në… në muajin qershor më duket se s’po më kujtohet tash”.

E rreth një vit e gjysmë pas vuajtjes së dënimit, Nysret Durmishi u punësua si inspektor i ndërtimit në Ministrinë e Punës.

Megjithëse doli i dyti në konkursin me shkrim për punësim në Ministri, pas intervistimit me gojë ai u rekrutua si inspektor i Punës.

Durmishi thotë se fakti që është anëtar i Nismës Socialdemorkate – Dega në Prizren dhe mik me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha, nuk ka ndikuar që ai të jetë i favorizuar për punësimin në Ministrinë e Punës.

“Nuk bëhet fjalë për asnjë ndikim. Edhe unë kam të drejtë të konkurrojë për punë”, ka thënë Durmishi të enjtën.

Ndërkaq, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë thënë të premten se Komisioni Përzgjedhës për Shërbimin Civil nuk ka qenë në dijeni se zyrtari Nysret Durmishi ka qenë më parë i dënuar në lidhje me punën e tij si inspektor në Prizren.

Në një përgjigje për Insajderin, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka thënë se pasi ta verifikojnë këtë çështje, “do të marrim informata për këto pretendime”.

“Komisioni Përzgjedhës për Shërbimin Civil për pozitën në fjalë nuk ka pasur asnjë informacion për pretendimet që z. Nysret Durmishi ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Ne do të verifikojmë këtë çështje dhe do të marrim informata për këto pretendime”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Ministria ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj punësimit të Nysret Durmishit në Ministri.

“Nëse vërtetohet që z. Durmishi ka qenë i dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe konstatohet që kjo çështje paraqet pengesa ligjore për ushtrimin e punës si Inspektor i Punës, ne do të ndērmarrim të gjitha masat ligjore”, ka thënë Ministria.

Ndërsa, Gjykata Themelore e Prizrenit ka konfirmuar të hënën se Nysret Durmishi kishte mbajtur 8 muaj burg efektiv, pasi fillimisht ishte arratisur. Por, ishte kapur nga autoritetet kosovare sipas një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar ndaj tij.

“I akuzuari Nysret Durmishi nga Prizreni është dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren me 8 muaj burgim efektiv për veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 të KPRK-së”, ka thënë Gjykata të hënën.

Pas lëshimit të fletarrestit, siç njofton Gjykata, ai ishte vetë-dorëzuar tek organet e drejtësisë.

“Për dijeninë tuaj dhe të opinionit publik, ndaj të njëjtit është lëshuar Urdhër Arrest Ndërkombëtar, i njëjti iu ka paraqitur organeve të drejtësisë ku edhe është ekzekutuar VENDIMI– pra i akuzuari Nysret Durmishi e ka vuajtur dënimin me burgim”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Nysret Durmishi është anëtar i Nismës Socialdemokrate dhe mik i deputetit të kësaj partie, Zafir Berisha. Ai ka qenë bashkëpunëtor i Zafir Berishës që nga koha kur tashmë deputeti i Nismës, udhëhiqte partinë Bashkimi Demokratik.


Nysret Durmishi, i pari djathtas në fotografi, në shoqëri me mikun e tij, deputetin Zafir Berisha dhe njerëz të tjerë

Durmishi ishte nënkryetar i partisë që udhëhiqej nga Berisha.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2013, kur Bashkimi Demokratik kishte nominuar Zafir Berishën për kryetar të Komunës së Prizrenit, Nysret Durmishi kishte shërbyer si shef i Shtabit Zgjedhor të Bashkimit Demokratik (BD). /Insajderi.com