Në ditën e parë të marrëveshjes, Kurti dominon mbi Mustafën

Paraditën e sotme Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë arritur marrëveshjen për formimin e koalicionit qeverisës, shkruan Insajderi. Kjo marrëveshje, ishte diskutuar shumë pas zgjedhjeve të 6 tetorit ndërsa dy partitë, bisedimet i kishin filluar para kësaj date.

Në ditën e parë të marrëveshjes, Kurti dominon mbi Mustafën

Lidhjes Demokratike të Kosovës i janë plotësuar kushtet. Së fundmi, lëshimi pe i Glauk Konjufcës nga posti i Kryeparlamentarit, ishte lëvizja që çoi drejt marrëveshjes. Para medieve sot dolën liderët e partive, Albin Kurti dhe Isa Mustafa që e bënë publike marrëveshjen dhe dakordimin për qeverisje.

Kurti gjatë konferencës për medie njoftoi për marrëveshjen dhe u përgjigj në disa pyetje të gazetarëve.

“Ne sot u takuam me kryetarin e LDK, profesorin,Isa Mustafën, u morëm vesh të takohemi nesër në Seancën e Kuvendit, ta zgjedhim qeverinë e re, ta jetësojmë ndryshimin e madh politik të 6 tetorit. E kemi nënshkruar marrëveshjen Jemi marrë vesh për të gjitha, për ndarje të përgjegjësive në kuadër të Qeverisë së re”, ka deklaruar Kurti gjatë konferencës.

Kurti, pas zgjedhjeve të 6 tetorit, gjatë tërë kohës i është referuar Mustafës si profesor, për dallim nga vitet e kaluara, ku gjatë protestave, i drejtohej me “Isë, Isë, argati i Serbisë”. Ai u shpreh i kënaqur për këtë dakordim dhe njoftoi se mbetët nesër në seancën e Kuvendit, të fillojë zyrtarisht bashkëpunimi.

Ai gjatë tërë kohës u mor edhe me pyetjet e gazetarëve ndërsa Mustafa qëndronte duke u mbajtur me patericë si pasojë e problemeve shëndetësore. Kurti e filloi dhe e mbaroi këtë konferencë për dallim prej kryetarit të LDK-së. Ai ia zgjati dorën Mustafës pastaj zyrtarëve të kësaj partie dhe doli.

Në anën tjetër, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, tha se marrëveshja me VV-në është e mirë dhe në dobi të Kosovës. Sipas tij, marrëveshja me Kurtin ka ardhur pas një pune të gjatë e të përbashkët.

“Ne kemi arritur marrëveshje, e vlerësojmë se është marrëveshje e mirë, në dobi të Kosovës, në interes të ndryshimeve të cilat domosdoshmërisht duhet të ndodhin në vendin tonë. Vlerësoj se marrëveshja është një rezultat i i një mirëkuptimi dhe punë të përbashkët, mjaftë të gjatë me Kurtin, por edhe me bashkëpuntorët e tij. I kemi hulumtuar të gjitha alternativat, kemi ardhur bashkarisht në një zgjidhje që e vlerësojmë se është në interes të Republikës së Kosovës dhe ajo që dëshirojmë në të ardhmen edhe që kjo qeveri të jetë e suksseshme dhe të realizojë pritjet e qytetarëve para saj. Sa i përket Presidentit, ne jemi marrë vesh që ajo të mos jetë pjesë e marrëveshjes që sot e kemi nënshkruar, të jetë çështje që do të darkordohemi unë dhe Kurti si liderë politik, do ta zgjidhim në kohën që është e domosdoshme. Sa i përkët Kryetarit të Kuvendit, ne e kemi sot Këshillin e Përgjithshëm, e kemi Kryesinë, atje do të vendosim për kuadra dhe për kryetar të Kuvendit, parimisht ne që nga fillimi kemi thënë që për Kryetar të Kuvendit do ta merr ajo ose ai të cilin LDK ia ka dhënë besimin dhe qytetarët e kanë dhënë votën më të madhe”, ka deklaruar Mustafa gjatë konferencës.

Nesër pritet të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës dhe të votohet Albin Kurti si kryeministër me kabinetin e tij qeveritar./Insajderi.com/