fbpx

Pacifizëm, gangsterë, luftë e korrupsion… Një histori tjetër e LDK-së

Paraqitet si pacifiste, por ka pasur edhe ushtrinë e saj. Në një histori të gjatë ekzistence ka pasur edhe gangsterë afër vetës. Edhe kriminelë. Edhe është zhytur thellë në korrupsion e krim. InDoks ka transmetuar një dokumentar për LDK-në. Cila është historia tjetër e pa thënë e LDK-së dhe çfarë e ardhme e pret këtë parti? Përgjigjet janë në 50 minuta të dokumentarit “Beteja e Pacifistëve”

Pacifizëm, gangsterë, luftë e korrupsion… Një histori tjetër e LDK-së

Afër stadiumit të Prishtinës, në një qoshe me shumë kanteinierë bërlloku jo fortë larg saj është një ndërtesë ku nisi aktivitetin partia e Ibrahim Rugovës. Ajo dikur ishte Selia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Aty nisi Rugova rrugëtimin si politikan, ose, së paku kështu pretendojnë disa nga themeluesit e saj që sot as nuk janë të afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në fakt, janë kundër saj. Kundër kësaj to ditëve të sotme, jo kundër asaj që nisi në shtatorin e viti 1989.

Por çka i dallon këto dy LDK? Në fakt, çfarë i bashkon ato, pos emrit të njëjtë që e kanë?

Në një dokumentar me titullin “Beteja e Pacifistëve” InDoks ka trajtuar historinë e kësaj parti dhe se kah po shkon LDK-ja që duket që rrota e historisë po e sjell edhe një herë në pushtet si parti e parë, jo që ajo ka qëndruar larg pushteti dekadën e fundit duke u bërë patericë e Partisë Demokratike të Kosovës.

Këtu mund ta gjeni të plotë dokumentarin “Beteja e Pacifistëve”.

Njerëzit me fuqi vote të madhe brenda LDK-së si dhe ekspertë të zhvillimeve shoqërore flasin në këtë dokumentar për LDK-në, për atë që e pret në të ardhmen dhe për  rrënjët e saj që shkojnë direkt te klasa e shqiptarëve që përfitoi nga regjimi i Josip Broz Titos.

Është ky një dokumentar për betejën e LDK-stëve për të marrë krejt pushtetin e Republikës, por edhe për luftën e grupeve të brendshme për kontroll mbi vetë partinë.  Një betejë pacifistësh që në historinë e saj ka ditur të ketë brenda edhe gangsterë. Ka pasur edhe Ushtrinë e saj. E ka pasur edhe ringun e saj të karrigeve.

LDK-ja e PDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës kishte ditur që të ishte edhe kundër luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një moment madje lideri i saj historik, Ibrahim Rugova hidhte dyshime të forta mbi UCK-në

Por, pas luftës së fundit në Kosovë Rugova do të ktheje me plotë vetëbesim. Me po këtë vetëbesim ai do ti fitonte zgjedhjet e para në Kosovë. Partia më e madhe e dalë nga UCK-ja, Partia Demokratike e Kosovës do të fitonte veç 25 % të votave, çka ia pamundësonin që të merrte drejtimin e Qeverisë së parë me zgjedhje të pasluftës.

Por, këtë do t’ia mundësonte LDK-ja. Më 4 mars të vitit 2002, pas tre muaj bisedimesh dhe me ndërmjetësimin e ish-kryeadministratorit të atëhershëm të Kosovës, Michael Steiner, Kuvendi i Kosovës e zgjodhi Bajram Rexhepin si kryeministrin e parë të Kosovës. Rugova do të ekzaltohej që u bë President.

Dhe, dora e ndihmës  e LDK-së për PDK-së do të ri-zgjatej më vonë, kur nisi epoka e Hashim Thaçit, pas zgjedhjeve nacionale të viti 2007. Atë botë LDK-ja do ti dilte në krah PDK-së duke ia mundësuar krijimin e Qeverisë me të cilën Thaçi do të ia mundësonte vetës rolin e madh historik: Leximi i deklaratës për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Njerëzit e korruptuar të PDK-së në Gjykatën kushtetuese më vonë do ta rrëzonin liderin e atëhershëm të LDK-së, Fatmir Sejdiu nga posti i Presidentit. Por, as kjo nuk do ta ndalte më vonë LDK-në që i ndihmonte PDK-së që të vazhdojë të qëndroi në pushtet, edhe kur iu desh ta bënin Atifete Jahjagën Presidente. Edhe kur iu desh ta bënin vetë Hashim Thaçin President. Edhe kur iu desh të gëlltisni çdo fjalë që kishin thënë për PDK-në dhe ta nënshkruanin një marrëveshje që Isa Mustafën e bënte Kryeministër të shantazhueshëm nga PDK-ja në çdo kohë.

Por, cila është LDK-ja e ditëve të sotme?

Ky nënkryetar i LDK-së të cilit i është përmendur shpesh mundësia që do ta zërë pozitën e kreut të kësaj partie. Ta zëvendësoi Isa Mustafën në poezitë pra, për këtë dokumentar flet për një Rilindje të LDK-së.

“Nëse nesër mbahen zgjedhjet, apo  pas 40 ditës, LDK është e gatshme që të hyjë në këtë proces. Pa asnjë lloj hezitimit e hamendje ne presim rezultat kapital në këto zgjedhje.  Dhe rikthimin e madh të LDK-së. Rikthimi i madh pas 10 viteve shtet nderim dhe periudhës post-indtependente që LDK-ja e ka vuajtur politikisht shumë. Për shkak të gabimeve tona. Për shkak të gabimeve të LDK-së”. thotë Lutfi Haziri.

Por, LDK-ja nuk është hera e parë që ka folur me këtë tonë. Madje me këtë qasje ka folur çdo herë para zgjedhjeve, dhe ndryshimin e qëndrimeve si rëndom e arsyetonte me interesin e shtetit. Edhe sot kur po flitet për mundësinë e rrëzimit të Qeverisë së Ramush Haradinajt, LDK-ja prapë po i përmend të njëjtat arsye. Madje, edhe kur e dinë që Qeveria mund të ketë qëllim tjetër.

“Konfirmimet për pjesëmarrje në dialog na kanë gëzuar. Shpresojmë që të mos jenë blerje kohe. Edhe kjo mund të jetë opsion, por ne e kemi bërë ofertën e sinqertë”, thotë Haziri për InDoks.

Një konferencë dialogu tashmë ka nisur me Qeverinë. LDK po e udhëheq atë. E megjithatë njerëz të tjerë të fuqishëm në LDK flasin gjithnjë e më shumë për zgjedhje të parakohshme. Edhe kur e dijnë që nuk e kanë krejt fuqinë për ta çuar në shtëpi Qeverinë Haradinaj.

Si e sheh daljen nga kjo situatë ky njeri i fuqishëm i LDK-së që e mundi PDK-në dy herë radhazi?

“LDK-ja ka interes për ndërtim të institucioneve stabile dhe jo vetëm për rrëzim të Qeverisë, por për ndërtim të institucioneve që janë të gatshme për ti zhvilluar proceset që na presin si vend dhe si shoqëri. LDK-ja vet nuk mund ta rrëzoj Qeverinë se nuk i ka numrat e vetme, por as Qeveria nuk i ka numrat. Pra jemi në një situatë ku determinohet domosdoshmëria e koordinimit të aktiviteteve të përbashkëta Pozitë dhe opozitë…Kjo mund të jetë për një kohë të shkurtër sa merr infuzion prej subjekteve opozitare, por nuk do të jetë jetëgjatë”, thotë Imri Ahmeti, Kryetar i Lipjanit.

Edhe ky njeri fortë i votuar i LDK-së që i mundi qe dy herë radhazi partitë e luftës në Pejë, flet për zgjedhjet si opsionin më të mundshëm,

“Besoj që LDK është  e fuqishme. Dhe është një prej partive më të mardhaja në vend dhe çdo herë i konvenon që të hyjë në zgjedhje.  Ne nuk kemi asnjë dilemë që kurdo që mbahen zgjedhjet ne do të dalim partia e parë dhe jemi të gatshëm. Unë besoj që çdo parti opozitare duhet të synojë që ta rrëzojë Qeverinë për të ardhur në pushtet- ajo është edhe qëllimi i ekzistencës së këtyre partive.  Tash sa i kanë ata interesat, duhet ti masin ata që janë më afër që të komunikojnë me këto dy parti”, thotë për inDoks Gazmend Muhaxheri, Kryetar i Pejës.

Dhe, zgjedhjet Qeverisë Haradinaj po ia përmend edhe ky deputet i ri i LDK-së, që po ashtu qëndron mjaftë mirë më numrin e votave.

“Nuk është se është dëshirë e LDK-së pas tetë ose nëntë muaji të organizimit të një procesi zgjedhor të shkoj përsëri në zgjedhje, parimisht nuk është dëshirë e LDK-së, pe shohim si nevojë, si domosdoshmëri me ndal, mënyra si vendosim me qeverisë me vendin, mënyra si vendosin të abuzojnë me paranë publike por çka është më e rëndësishme mënyra se si është sjell në dy, tri situata tejet eksperimentale për të tashmen dhe për të ardhmen e vendit.  Qoftë me shfuqizimin e Speciales, qoftë me mënyrën sesi u arrestuan shtetasit turq në Kosovë, qofshin edhe sjelljet në veri të Kosovës, ne po shohim se kjo qeveri i ka tejkaluar edhe pesimistet më të mëdhenj do me thënë jemi në një situatë seriozisht të rënd sesi do të ecë Kosova sot e tutje, prandaj e vetmja mundësi me të drejtën kushtetuese zgjedhje të parakohshme”, thotë Driton Selmanaj, Deputet i LDK-së.

Selmanaj që ka pas vetës mbi 35 mijë votues e kërcënon Haradinajn me rrëzim të qeverisë së tij, por jo pse këtë e kërkon Serbia, apo Lista Serbe, por se kjo Qeveri ështëzhytur në skandale.

Këtu mund ta gjeni të plotë dokumentarin “Beteja e Pacifistëve”.

Por, LDK-ja që po kërkon një shteg ligjor që ta marr kryesimin e Qeverisë duke ia ndalur në gjysmë mandatin Haradinajt, e mban shpresën në partitë opozitare,

“Mendoj që ato bisedat janë ndërmarrë me partitë opozitare dhe veprimet që do të ndërmerren shihen javëve në vazhdim”, thotë Gazmend Muhaxheri.

Kontaktet me partitë tjera i përmend edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri

“Është një lloj gatishmërie e vullneti për të biseduar që nëse ju i keni shumicën e votave ne ju plotësojmë nga të gjitha partitë opozitare, përfshirë edhe disa nga minoritet së fundi si dhe ndoshta një parti që është pjesë e koalicionit, por LDK nuk ka qenë e fokusuar të mocioni dhe i japim prioritet dialogut të brendshëm”, thotë Haziri.

Ai flet edhe se në krahun e tyre befasisht mund te një partner i Ramush Hradinajt.

“Vendi po shkon e po rrëshqet drejt zgjedhjeve të parakohshme , dhe është çështje kohe dhe është çështje forme. Ne besojmë që shkaktar i zgjedhjeve të parakohshme pos dialogut dhe mocionit mund të jetë edhe PDK-ja”, thotë Haziri

LDK-ja me rrënjët tek jugosllavët e Titos

LDK-ja po e portretizon veten si shpresa e Republikës së Kosovës. Kështu e deklarojnë vetën të gjithë. Madje i tillë u deklarua edhe Ramush Haradinaj para se të vinte për së dyti në Zyrën e Kryeministrit, por doli që atë madje as nuk e pyesin e as nuk i tregojnë për gjëra të mëdha. As nuk e pyeten e as nuk e dinte kur u arrestua Marko Gjuriqi. As nuk e dinte e as nuk u pyet kur u vodhën 6 gylenistët për hesap të Erdoganit në Turqi. As nuk arriti ta shfuqizoi Gjykatën Speciale. As nuk e ndali dot miratimin e Demarkacionit. Madje edhe luftoi për ta miratuar atë.

Dhe, LDK-ja s’ka si të jetë ndryshe.

Por, si e shohin këtë parti njerëzit nga bota akademike që për këtë dokumentar janë pajtuar që të bëjnë analizë pulitke?

Artan Mustafa, një doktor i shkencave sociale që nuk preferon shpesh të shfaqet në televizion, por  shkruan analiza për temat më të rëndësishme që e prekin interesin e publikut, për InDoks e tregon një histori tjetër të LDK-së, që në fillim nuk ishte as demokratike.

“Pas shembjes së autonomisë së Kosovës pas  89-tës formohet Lidhja Demokratike e Kosovës si një nga partitë e para që e ka udhëheq lëvizjen e shqiptarëve për pavarësi, mirëpo përkrahja e saj ka qenë aq e madhe sa ka dallu në aspektin politik në fakt prej lëvizjes komuniste në fakt se ka pas dominanc të përgjithshme në përkrahje popullor.  Në aspektin e përgjithshëm  pluralizmi i vërtet i skenës politike të Kosovës fillon me shfaqjen e UÇK-së, të burgosurit politik dalin prej LDK-së shumica prej tyre fillojnë ta përkrahin UÇK-në e të tjerë. Në të vërtet pluralizmi fillon të shfaqet në vota pas mbarimit të luftës me kalimin e viteve ne e shohim ndamjen kë e përfaqësojnë partitë politike”, thotë Mustafa.

Për Mustafën, rrënjët e LDK-së prekin deri te njerëzit që përfituan fortë nga Regjimi i Titos.

“Partitë politike gjithë kund bazën e kanë në blloqe sociale të cilat formohen gjatë stratifikimit të shoqërisë për gjatë historisë tek na periudha e socializmit ka qenë shumë e rëndësishme në krijimin e këtyre blloqeve, stratifikimin social sepse në atë kohë shumica e të drejtave ekonomike janë varë prej punës, si e drejta për pension, sigurime shëndetësore është dashtë me punu për me fitu të drejta sociale të ndryshme për shkak se shkalla e punës ka qenë shumë e vogël përkundër socializmi ka arrit m’i bo disa arritje të rëndësishme, modernizimi i infrastrukturës rrugore, hekurudhore ndërtesave sociale e të tjera

Shkalla e punësimit ka qenë shumë e vogël rreth 23 përqind ky është dallimi kurcial vendimtar me vendet tjera të Jugosllavisë, edhe tash pasi të drejtat po lidhen vetëm me punë shumica e të drejtave nuk e ka përfshi të gjithë popullatën, ku kryesisht ajo ka qenë pjesa rurale kryesisht edhe e varfër pra përjashtimi social ka qenë shumë i madh.

Tash pas luftës çka vërehet pas luftës pas shembjes së Jugosllavisë i përkrahin partitë e luftës këto shtesat ma urbane ma e edukuar e votojnë LDK-në”, thotë Mustafa.

Dhe, LDK-ja nuk e pati veç këtë faktori pse i fitoi zgjedhjet pas luftës. Pritej që krahu i luftës të fitonte zgjedhjet e para së paku, por atë kohë të gjitha mbetën të habitur. Besohej që vrazhdësia e njerëzve të luftës kishte irrituar votuesit, por Mustafa, një akademik me karrierë në gazetari po ashtu, ka një shpjegim krejt tjetër.

“Sipas dokumentacioneve të ndryshme, literaturën e autorëve të ndryshme, të dhënat e UNMIK-ut, të dhënat prej NATO-së, Ëikilikes, dhe të memoareve e diplomatëve në Kosovë dhe në vende të tjera që kanë dal jashtë Jugosllavisë përkrahen nga vende të tjera dhe prej diplomatëve prej partive që janë më të moderuarve.

Për shkak se me ardhjen e LDK në pushtet këto kompanitë e huaja që e kanë drejtuar vendin tonë kah liberalizimi ekstrem e kanë pa që nëse kjo parti varet prej ndihmës së tyre e kanë pas kush me kundërshtuar këtë proces liberalizues për shkak se në vendet tjera në kohën e tranziscionit të post socialiste kundërshtari më i madh i reformave liberalizuese ka qenë shtresa urbane dhe ish-shtresa punëtore ata i kanë dashtë resurset e veta tash pse përkrahja e LDK gjatë viteve, këto janë disa faktorë”, thotë Mustafa.

Jehona Lushaku-Sadriu që ligjëron lëndë të integrimeve evropiane në Universiteti publik të Prishtinës e sheh LDK-në si një parti që përballet me sfida shumë serioze.

“Në bazë të votave dhe zgjedhjeve të fundit LDK del të jetë partia më e madhe tani i mbetët asaj që të repozicionet brenda vetës duke sqaruar aletrantiven e saj qeverisëse edhe të pozicionohen në të gjitha nivelet qeverisëse. LDK ka disa sfida, të cilat si parti duhet t’i merr seriozisht për të ripozicionuar në skenën politike ato kanë të bëjnë me reformat e brendshme për tu demokratizuar dhe për tu rritur nivelin ofrimi i alternativave qeverisëse për demokratizimin e Kosovës, e kjo që ka të bëjë edhe për zgjedhjet e ardhshme por këto janë qenësore edhe për partin më të madhe nëse ajo donë të mbetet parti e madhe”, thotë ajo.

Por, ku duhet të fokusohet kjo reformë, sipas saj?

“Reformat do të duhet të fokusoheshin fillimisht në struktura të partisë dot ë duhet të aktivizoheshin dhe të punohet shumë në struktura partiake deri në nivele më të larta komunale, degë e nëndegë dhe kryesinë, do të duhet të fokusohen në ngritjen e kapaciteteve në ngritjen e lidershipit brenda partisë politik dhe në të aktivizohen në kuptimin e dhënies së ideve aletranitve qeverisëse dhe të një programi të brendshëm partiak si aletrantivë qeverisëse kjo ka të bëjë nga definimi ideologjik për çka mbahet e djathtë e qendrës për çka nuk mjafton dhe do të duhet që në terma konkret duke marr parasysh rrethanat e përgjithshme politike të ndërtohen programe për secilën sferë këtu pra ka të bëjë edhe me ngritje të kapacitete të njerëzve brenda partisë po edhe në definimin programor”, thotë Lushaku-Sadriu.

Ajo flet edhe për problemin e komunikimit të brendshëm të LDK-së që mund ta shndërrojnë parinë në autoritare për të.

“Pjesa e demokratizimit të partisë e prin komunikimin e brendshëm apsurbimin dhe diskutimin e ideve që janë brenda partiake. Neve në të gjithë partitë që i kemi nuk shohim një komunikim brenda partiak, shohim shpesh herë që kandidatët për liderë dalin në media dhe idetë nuk i përpunojnë dhe nuk i shfrytëzojnë diskutimit të partisë por dalin dhe i thonë në publikë. Partitë kthehen ndryshe në parti autoritare”, thotë ajo

E më gjithë këtë komunikim, LDK për një kohë të gjatë e ka humbur ndikimin. Sipas Artan Mustafës, këto janë edhe arsyet ë këtij rezultati.

“Një faktorë lidhjet me mënyrën qysh ka qeverisë Rugova vetë në kohën e vetë në kohën kur e ka pas qeverisjen pak të centralizuar gati edhe personalizuese. Faktori i dytë, vet qeverisja, koha në qeverisje të shpenzon e ka shpenzuar edhe LDK-në. E treta është kjo fillimi i ndërtimit të një vakumi të bllokut social që e ka mbështet LDK dhe të drejtave që ajo po promovon. Dhe duke qenë e varur prej përkrahjes  diplomatike ajo nuk i ka përkrah më me ligje interesat e qisja klasës punëtore, urbane në të kaluarën dhe filloj me humb vota”, thotë ai.

Këtu mund ta gjeni të plotë dokumentarin “Beteja e Pacifistëve”.

Por, Isa Mustafa po e vendo këtë lidhje të vjetër më bazën e LDK-së, sipas Artan Mustafës. Me bllokun e votave që vijnë nga ata që përfituan nga Jugosllavia e Titos.

“Kur është ardhur IIsa Mustafa në pushtet menjëherë fillon me rivendos lidhjen me atë ish-struktrën e kaluar duke bënë programin në mënyrë eksplicite të LDK-ës, e bënë konservator që do me thënë përputhet me atë periudhën e kaluar fillon me pas përkrahen diskurseve prej institucioneve që lidhen në atë bllok social si Riinvest ose nj pjesë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës edhe pastaj vërehet me miratimin për ligjin për Trepçën, miratimin e këtyre shtresave pensioneve kontributdhënëse që ju jep mesazh, që me rivendos atë lidhjen edhe mendoj që krejt këta hapa e kanë bërë që mu kthy elektorati LDK-së. Në vitin 2007 u krijua ai vakumi ku madje pjesa që përkrah LDK, një pjesë e kontributorëve shkuan dhe u bënë pjesë e PDK-së”, sqaron ai.

Dhe përtej këtij ndërrimi të kursit nga vetë LDK-ja, Mustafa sheh edhe favorizim të LDK-së nga rrethanat e reja politik në Kosovë, por edhe më tutje.

“Çka është me rëndësi me cek duke parë që Bashkimi Evropain përkrahet prej Gjermanisë dhe Francës për shkak se këto dy shtete kanë një rol dominant të konzervatismit, LDK në bazë të kësaj është favorizume sepse në vitet e fundit me shfaqjen e madhe të rolit evropian sepse më herët e ka pas Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar tash ka një afrim të qëllimit amerikan. Në periudhën e pas luftës nuk ka qenë krejt racionale për LDK me përkrah këtë liberalizëm ekstrem  sepse shtresa që ajo e ka përkrah ka pas ma shumë resurse ka pas ma shumë arsimim edhe ka mundur me gjet vetën ma lehtë edhe ajo struktë e ka gjet vetën ma lehtë.
Mirëpo tash fillon të vije programi më konservativ të vije në shprehje edhe e ka atë qëllimin ma të mirë me përafru ka racionaliteti”, thotë ai.

Por, a është mirë që LDK-ja të jetë në pushtet, si më e fuqishmja?

“Unë mendoj që është shumë keq nëse LDK bëhet parti kryesore, kish me qenë keq për pjesën rurale të shoqërisë e cila kryesisht e varfër edhe për klasën punëtore, pra punëtorët duhet me ditë se edhe në vendet tjera ata përkrahen nga partitë social demokrate. Pra me këtë fillon mu rrit varfëria, pabarazia dhe fillon mu përkrah një parti më e fortë”, thotë Mustafa.

Në LDK si rëndom e përjashtojnë mundësinë që prapë të bëjnë koalicion me partitë e luftës, por në të kaluarën kjo gjë ka ndodhur.

“Assesi nuk do të hyjë në Koalicion. LDK nuk është e gatshme që të marrë përgjegjësi brenda këtij koalicioni, dhe LDK insiston që të mbahen zgjedhjet që nga vota qytetare të determinohet një strukturë e re qeverisëse”, thotë Imri Ahmeti, Kryetar i Lipjanit.

Por, për Artan Mustafën, për të mirën e përgjithshme, nuk është edhe aq keq nëse PDK-ja dhe LDK-ja, apo edhe anasjelltas ri-futen në koalicion tash për të disatatën herë.

“Mendoj që nuk është hiq e pamundshme që na shumë shpejt me pa një koalicion në mes PDK-LDK ose LDK-PDK në kuptimin afat gjatë e që ndoshta nuk është edhe aq keq nga një këndvështrim ideologjik pse se këto dy parti gjithnjë e më shumë e përfaqësojnë të djathtën në mënyra të ndryshme, ndoshta bazën e kanë të ndryshme përfaqësojnë forcën konservative dhe të qendrës së djathtë kështu ka mu hap mundësia për konsolidime të së majtës në Kosovë. Do me than sa më e dobët është e majta aq më i ngadalshëm procesi i demokratizimit të Kosovës për këtë arsye dominanca e së djathtës sado mangësitë që i kanë këto 20 vjet po i krijon krejt këto probleme që i kemi me emigracion, me mungesë të demokratizimit të shpejtë”, thotë Mustafa.

Këtu mund ta gjeni të plotë dokumentarin “Beteja e Pacifistëve”.

Nafaka e LDK-së

LDK-ja mund të jetë një nga opsionet më reale që të dalë si partia e parë në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato mbahen. Me një Vetëvendosje të përçare, me dy PDK-ja, një të kontrolluar nga Presidenti Hashim Thaçi e njërën disi të kontrolluar nga Kadri Veseli, me një AAK të degdisur në afera korruptive, duket që natyrshëm radha po i vije partisë së themeluar nga Rugova që të ketë barrën e pushtetit.

Por, kjo parti që sikur se të tjerat, ka ditur që të mbajë afër vetës gangsterë, siç ishte Enver Sekiraqa, apo edhe njerëz jo krejt paqësor, siç ishte Gani Geci që më vonë kreu edhe një vrasje në një lokal publik, sot po tenton ta paraqes veç një fytyrë paqësor.

Por, skena brutale me rrahje me karrige ishin shfaqur në kuvendin e LDKësash kur LDK-ja po krenohej se procesi i zgjedhjes së kryetarit të partisë më 2006 po shkonte vaj.

E, a do të shoh publiku tash këso pamjesh përsëri nga LDK-ja?

Të gjitha personazhet e këtij dokumentari pajtohen se një përsëritje e 2006-ës, apo asaj që njihet si “Kuvendi i Karrigeve” në LDK, në atë formë nuk është i pritshëm.

Megjithatë në LDK tashmë kanë filluar që të shfaqen ambiciet për pozita të larta ani pse zgjedhjet janë 1 vit larg. Pra ato janë planifikuar që të mbahen në prill të viti 2019. Por, nëse LDK nuk do të përfundoj duke u grushtuar e gjuajtur me karrige sikurse bënë 12 vite më parë, a do të ketë ndarje?

“Unë mendoj se aty nuk është vetëm një grup aty ka shumë grupe, unë e shoh LDK në një dozë të komunikimit të mirëfilltë edhe brenda luftë pushtetesh mirëpo është shumë e rëndësishme që të ndërtohet një atmosferë ku ofertat të kenë konkurencë politike edhe brenda partiake”, thotë ëpr InDoks Jehona Lushaku-Sadriu.

“Dallimet tona janë në nuanca, nuk janë mbajtje, ka një vullnet të madh, unë mendoj që këto nuanca janë sharmi i demokracisë domethanë kjo është vlerë dhe LDK po ju jep shembull partive tjera”, thotë Driton Selmana, Deputet i LDK-së

“Nuk ka asnjë përplasje në LDK. LDK-ja është duke funksionuar siç është më së miri. Kryetari është kthyer dhe besojmë që në zgjedhjet e ardhshme ne do të jemi partia e parë”, thotë Gazmend Muhaxheri, Kryetar i Pejës

“Nuk ka grupe brenda LDK-së, ka ambicie të ndryshme. Ka një koordinim jashtëzakonisht të mirë në mes të Kryesisë së LDK s Grupit Parlamentar, strukturave tjera të Partisë dhe unë nuk shoh asnjë lloj grupimi a divergjence në objektivat që i ka LDK-ja. Objektiv kryesor është që vendi të ketë një Qeveri kredibile që mund ti zgjidh problemet e mëdha”, thotë për InDoks Imri Ahmeti, Kryetar i Lipjanit

“Unë besoj në që LDK ka shkollë politike, dialogu i brendshëm politik , jo në dëm të demokracisë, por do të jenë si instrumente që e rregullojnë procesin zgjedhor të LDK-së. Konkurrenca do të jetë dhe unë pres që së paku të jenë dy kandidatë”, thotë Lutfi Haziri, Kryetar i Gjilanit.

E kur Gazmend Muhaxheri, kohë më parë tha që është i gatshëm që të bëje kandidat ëpr kryeministër, pati një stuhi brenda LDK-së. Së paku mediale, nga brenda mund të jetë edhe më shumë. Si e shpjegon për këtë dokumentar tash ai këtë situatë, pasi kanë kaluar disa javë?

“Unë mendoj që LDK e ka kryetarin dhe s’ka garë të brendshme për Kryetar. Ndërsa për kryeministër kam dashtë të dëshmojë që janë 10 ose 15 në kryesi dhe jashtë Kryesisë së LDK-së. Mesazhi ka qenë që ti përcjell opinionit publik dhe militantëve të partisë që LDK nuk është që nuk ka kandidat për Kryeministër, por ka shumë”, thotë Muhaxxheri dhe shton se ai mund të jetë “njëri nga kryeministrat e mirë të këtij vendi”.

Këtu mund ta gjeni të plotë dokumentarin “Beteja e Pacifistëve”.

E për këto deklarime të Muhaxherit ka një koment edhe kryetari i Lipjanit, që në ato ditë rrëmuje me deklarime nëpër media ishin fotografuar me Kryetarin Isa Mustafa.

“Janë një ofertë më shumë para njerëzve para strukturave që LDK nuk do të ketë kufizim në kandisim. Të gjithë brenda LDK-së kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen”, thotë Ahmeti për InDoks.

E Lutfi Haziri, që i është përmendur dëshira për tu bërë kryetar i LDK-së e sheh më ndryshe këtë situatë.

“Disponimi në LDK është jashtëzakonisht i mirë, edhe ai politik edhe ai njerëzor…. dallimet politike nuk na armiqësojnë e nuk na largojnë nga njëri-tjetri dhe ai diskurs besoj që ka me ia shtuar vlerën zgjedhjeve të viti 2019. Unë personalisht nuk preferojë që të shpall kandidatura, pa pasur një ambient e kalendar zgjedhor., thotë Lutfi Haziri, Kryetar i Gjilanit.

Ai është dorëzuar para Isa Mustafës.

“Isa Mustafa është kryetar i LDK-së, është udhëheqësi i vetëm i LDK-së, ne e ndihmojmë si nënkryetarë dhe solidariteti jonë edhe politik edhe njerëzorë me të është 100 %”, thotë Haziri.

Kandidatë deri tash të mundshëm pos Muhaxherit e Hazirit është përmendur edhe Agim Veliu, një njeri i fuqishëm i LDK-së që kontrollon bastionin  e kësaj partie në Podujevë.

Për Jehona Lushaku-Sadriun, kandidatë për postin e kreut të LDK-së, po edhe kandidat eventual për kryeministër duhet të jetë krejt dikush tjetër.

“Nga emrat e përfolur nuk besoj që ndonjëri prej tyre është. Unë besoj që ka njerëz brenda partisë që munden me dhanë ma shumë edhe që i takojnë ta gjejnë, por nga këta që është diskutuar vështirë që është njëri nga ta”, thotë ajo.

LDK-ja ka gjasat më të mira që të marrë fitojë zgjedhjet e radhës, kurdo që ato shpallen, por pse është kështu?

“Partitë tjera janë dobësuar, partitë e luftës janë dobësuar, partikularizmi që e kanë mbështet ekstrem, dënimin e blloqeve tjera sociale, privatizimin, përfitimin prej tij, përkrahje e grupeve partikulare si ish të burgosurit, veteranët e tjerë, bash me popullatën që ata janë prit me përfaqësu shtresën rurale, të varfër aty po rritet pabarazia”, thotë Mustafa

Mustafa sheh për LDK-në edhe një avantazh tjetër që i vije nga Vetëvendosje, por në përgjithësi thotë që LDK në pushte nuk është lajm.

“Plus tash erdhi edhe ndarja e Vetëvendosjes edhe kjo ja hap në një far forme rrugën LDK ës që me ardhë në pushtet si partia kryesore”, thotë ai

Për deputetin e ri të LDK-së, Kosova e LDK tash janë të lidhura edhe më ngushtë.

“Unë mendoj që fati i Kosovës lidhet me fatin e LDK-së sepse mënyra sesi kanë performuar partitë e tjera politike populli sikur e kanë humbur shpresën që në këtë vend mund ndonjëherë që jeta jeta e mirë institucionale”, thotë Driton Selmanaj, Deputet i LDK-së.

Për Imri Ahmetin ngritja e LDK-së dhe fitorja e saj eventualisht nuk lidhet fortë me ndarjen e Vetëvendosjes.

“Nuk besoj që në kudër të fatkeqësisë së dikujt tjetër duhet ta ndërtojë ardhmërinë e vet kushdo qoftë, qoftë si individë, qoftë si subjekt. LDK është rigjenerua në shumicën e degëve dhe po nisem nga dega në Lipjan por edhe në strukturat qendrore dhe kjo ka ndërtuar një kohezion të brendshëm politik që po duket që po ndikon pozitivisht edhe te qytetarët e Kosovës”, thotë Imri Ahmeti, Kryetar i Lipjanit

Por, çka pritet prej LDK-së të shohim në të ardhmen, pos konferencave për dialog dhe deklarimeve se janë maturuar?

“Do të jetë betejë e elefantëve brenda lidershipit të LDK-së”, thotë për InDoks Lutfi Haziri, Kryetar i Gjilanit.

Këtu mund ta gjeni të plotë dokumentarin “Beteja e Pacifistëve”

https://video.gjirafa.com/insajderi?video=indoks-beteja-e-pacifisteve-per-rtv-dukagjini&playlist=indoks-dokumentar-nga-insajderi