Politikë, nacionalizëm dhe korrupsion – katër kandidatët për veriun

Mitrovica e Veriut është një nga komunat në të cilat problemet politike mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar e kanë lënë anash përgjatë këtyre viteve. Së fundmi edhe problemet e menaxhimit të parave publike. Këto zgjedhje, tre kandidatë, premtojnë ta ndryshojnë këtë gjendje. Kush janë ata? [Artikulli është pjesë e projektit për monitorimin e zgjedhjeve lokale 2017, mbështetur nga Friedrich Erbert Stiftung (FES).]

Politikë, nacionalizëm dhe korrupsion – katër kandidatët për veriun

Mitrovica e Veriut është themeluar si komunë në vete në vitin 2013. Njëra ndër komunat më problematike në vend si pasojë e ndarjeve nacionaliste e shkaktuar nga ndarjet politike mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar. E tensionuar si vendbanim ku dominojnë serbët, sipas llogaritjeve të Qeverisë të vitit 2011, në veri janë rreth 3400 shtëpi me rreth 13 mijë banorë, derisa sipas një raporti të OSBE-së të vitit 2015, kjo komunë numëron rreth 30 mijë banorë, prej tyre 22530 serbë, 4900 shqiptarë, 1 mijë boshnjakë dhe të tjerë.

Pak kosovarë vizitojnë këtë komunë ndërsa kufiri me Serbinë në këtë qytet ka qenë edhe burim i kontrabandës që shteti nuk mundi ta ndalë. Për shkak të situatës politike, veriu i Mitrovicës ka qenë në fokus të investimeve evropiane por shteti nuk ka investuar aq shumë sa të ketë kontroll të plotë në këtë qytet.

Për këtë arsye, në këtë komunë funksionin edhe Universiteti, ku studiojnë kryesisht të rinjtë serbë dhe me planprogram të shtetit serb.

Mitrovica e Veriut ka një territor prej 11 kilometra katror. Ndryshe numri i votuesve të regjistruar në zgjedhje e fundit nacionale në këtë komunë ishte 22 mijë e 630, derisa pjesëmarrja në zgjedhje ishte pak mbi 33 për qind.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar listën me emrat e certifikuar të kandidatëve për kryetarë të komunave veriore, si dhe të kandidatëve për asambletë komunale. Për kryetar të Mitrovicës së Veriut garojnë dy serbë dhe dy shqiptarë.

Ky është kyetari aktual i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq nga Lista Serbe. 

Rakiq do të sfidohet nga dy kandidat të partive shqiptare në veri.

Betim Osmani nga AKR-ja

Gonxhe Çaushi nga Partia Demokratike e Kosovës.

 

Rakiq do ta ketë kundërkandidat edhe një serb, Oliver Ivanoviqin, lideri i SDP-së, i cili në një proces gjyqësor me akuza për “Krime lufte” është dënuar me 9 vjet burg. Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim dhe procesi ka filluar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Në listën e kandidatëve të SDP-së për Kuvendin e Mitrovicës së Veriut ndodhen edhe dy femra joserbe, Adelina Rashiti dhe Habibe Bushevac, ndërkaq dy kandidatë të tjerë, të cilët janë certifikuar dhe ndodheshin në listën e SDP-së, Tatjan  Ivaz dhe Dalibor Antiq, janë tërhequr pas një presioni të madh të Listës Serbe. Ata kanë lëshuar nga një deklaratë, sipas së cilës ata mbështesin Listën Serbe në zgjedhjet e 22 tetorit.

Pos Listës Serbe dhe SDP-së së Oliver Ivanoviqit në garë për Kuvendin e Mitrovicës së Veriut janë edhe katër parti politike shqiptare: Partia “Ura”, lëvizja “Vetëvendosje”, AKR-ja dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe koalicioni boshnjak “Vakat”.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq ka marrë pjesë ditë më parë në Paris në premierën e filmit të Boris Malagursky, “Kosova – një rast civilizimi”.

“Kosova është zemra e shtetit të Serbisë, kulturës, religjionit dhe jetës. Mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare është obligim për qytetarët e Serbisë që jetojnë në Kosovë e Metohi, si për paraardhësit ashtu edhe për pasardhësit”, ka shtuar ai.

Goran Rakiq, i cili më parë është zgjedhur edhe kryetar i Listës Serbe, ka thënë gjithashtu se mund të garantojë “100 për qind se Asociacioni i komunave të banuara me shumicë serbe do të formohet së shpejti”.

“Ky ka qenë kushti ynë, por njëkohësisht është edhe detyrim ndërkombëtar. Prishtina obligohet me Marrëveshjen e Brukselit, nënshkruese e së cilës është, që sa më parë të mundësojë formimin e Asociacionit të komunave serbe”, ka thënë Rakiq.

 

Trashet buxheti i Mitrovicës së Veriut

Goran Rakiq shihet si njeri i besuar i Beogradit, por si ka menaxhuar deri tash ai me komunën të cilën e drejton aktualisht?

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Mitrovicën e Veriut, të publikuar në qershor të viti 2017 del se Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2016, prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik.

ZKA ka gjetur megjithatë një varg parregullsish. Kështu për kontratën “Mbështetja për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme” e nënshkruar më 19.07.2016 në vlerë 399,489€, ishte paraparë që mjetet të sigurohen nga “Fondi zhvillimor”, derisa për implementimin e këtij projekti është kontraktuar Agjencia për Zhvillimin Rajonal – Veri (AZhR). Sipas raportit, me datën 25.07.2016 është bërë kërkesa për transfer (avanc) të mjeteve në vlerë 179,489€, derisa Komuna ka kryer transferin më 05.08.2016 në vlerë 175,775€ vetëm në bazë të kërkesës nga AZhR duke tejkaluar limitin e lejuar për dhënien e avansit (15%).

“Ne tërheqim vëmendjen se komuna nuk ka arritur të shpalos vlerat e sakta dhe të plota të pasurive komunale në PVF-të e vitit 2016. Nuk janë përfshirë objektet arsimore, si dhe blerjet e librave për bibliotekë. Kjo, për shkak se komuna nuk ka përfunduar procesin e inventarizimit dhe vlerësimit të pasurisë”, thuhet në raport.

Raporti konstaton se ekziston një numër i dobësive të qeverisjes brenda komunës, veçanërisht në lidhje me llogaridhënien, menaxhimin e rrezikut dhe cilësinë e raportimit menaxherial. Lista kontrolluese e vet-vlerësimit dhe menaxhimi i rreziqeve nuk janë plotësuar nga komuna.

“Në vitin 2016, komuna ka përdorur 84% të buxhet final me një përmirësim për 5% në krahasim më vitin paraprak. Kjo tregon një trend pozitiv në realizimin e buxhetit”, thuhet në raportin e auditorit.

Gjithashtu, edhe në aspektin e pajtueshmërisë më legjislacionin, auditimi ka shpalosë ekzistencën e disa dobësive të cilat përfshinë kryesisht prokurimin, si rezultat i mos zbatimit të rregulloreve të prokurimit, mungesa e rregullores për dhënien e subvencioneve dhe asaj për arkëtimin e të hyrave.

Pyetësori i vet-vlerësimit të komunës nuk është plotësuar nga menaxhmenti i komunës, kështu që ka vërtetuar se sistemet e kërkuara të menaxhimit të rrezikut nuk ishin ende funksionale. Kjo situatë ka ndodhur për shkak se nuk janë ndërmarr hapat fillestar në këtë fushë;

Sipas Auditorit, proceset efektive të monitorimit si dhe strategjia gjithëpërfshirëse e zhvillimit (përfshirë ndërlidhjen me palët e interesit si dhe sigurimin e strategjisë me kosto të plotë) nuk janë vendosur nga menaxhmenti i Komunës; dhe lidhjet në mes të planit të prokurimit dhe buxhetit si dhe përpilimi i raporteve adekuate në baza të rregullta kohore nuk janë vendosur, si dhe raportet nuk janë përpiluar gjithmonë në baza të rregullta kohore.

“Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së qartësisë brenda komunës që ka të bëjë me rëndësinë e kësaj liste kontrolluese dhe me atë se kush është zyrtari përgjegjës që i përdorë këto mekanizma për t’i mbështetur përmirësimet operative”, thuhet në raportin e Auditorit.

 

Sa i përket Komunës, prokurimi mbetet ende sfidues, për shkak se nuk po zbatohen rregulloret, duke rezultuar në vlerë të dobët për para si dhe në vonesat në përfundimin e projekteve. Në kontekst të sistemeve financiare, kontrollet mbi një sërë fushash të shpenzimeve kërkojnë përmirësim të mëtejshëm. Sipas ZKA-së, fushat kryesore ku nevojiten më shumë përmirësime janë realizimi i buxhetit, posaçërisht për kategorinë e investimeve kapitale, si dhe tek planifikimi dhe arkëtimi i të hyrave.

Auditori konstaton se në raport me planifikimin, arkëtimi të i hyrave vetjake duket i ulët dhe kjo tregon një performancë të dobët për komunën, mirëpo, krahasuar me vitet paraprake, shihet një ngritje e lehtë e arkëtimit të të hyrave.

“Kjo rritje ka të bëjë me arkëtimin nga një Leje e ndërtimit në vlerë 19,568€. Pavarësisht bartjes së të hyrave nga periudha paraprake dhe arkëtimit gjatë vitit aktual, komuna nuk kishte bërë asnjë shpenzim nga këto burime”, thuhet në raportin e Auditorit.

Aty thuhet se ndryshimi i buxhetit final në raport me atë fillestar ishte rritur për 2,173,173€, kurse ky ndryshim është si rezultat i buxhetimit të Fondit zhvillimor (2,031,619), donacioneve të jashtme (948,893), ndryshimet në të hyrat vetjake për vitin 2016 dhe buxhetimi i të hyrave të bartura (39,123) dhe zvogëlimet në Grantin Qeveritar (846,462).

Në vitin 2016, komuna ka përdorur 65% të buxhet final ose 4,413,590€, me një përmirësim prej 18% krahasuar me vitin 2015.

Auditori konstaton se buxheti për investime kapitale ishte rritur për 3,312,849€, si rezultat i implementimit të Fondit zhvillimor dhe donacioneve të jashtme. Buxheti për investime kapitale ishte shpenzuar 65%. Kjo është ndikuar nga alokimi i vonshëm i mjeteve nga Fondi Zhvillimor.

“Programi për Investime Publike përfshin projektet në vazhdim nga viti i kaluar dhe projekte të reja për vitin aktual dhe vitin vijues”, thuhet në raport, derisa zvogëlimi i buxhetit për paga dhe mëditje për 1,776,105€ është si rezultat i mos pagesës së pagave në sektorin e arsimit; dhe  Ndryshimet buxhetore për mallra shërbime, komunali dhe për subvencione janë bërë me rishikime buxhetore.

Edhe realizimi i buxhetit thuhet se nuk ishte në nivelin e pritur dhe mbi 1/3 e fondeve buxhetore kanë rezultuar në suficit. Kjo bëhet e ditur se ka ndodhur për shkak të alokimit të mjeteve nga Fondi Zhvillimor pas periudhës së rishikimit buxhetor.

“Kjo ka rezultuar edhe në realizimin e ulët buxhetor kryesisht te investimet kapitale. Përkundër një planifikimi të përmirësuar tek të hyrat, politikat e arkëtimit kanë qenë mjaft të dobëta, dhe si rezultat i kësaj plani i të hyrave vetjake ishte realizuar vetëm 39%”, thuhet në raport.

Të hyrat e realizuara nga Komuna në 2016 ishin në vlerë 44,005€ ndërsa ishin planifikuar 114,100€. Burimet e arkëtimit të hyrave vetjake janë të kufizuara vetëm në këto kategori: nga taksat administrative dhe nga taksat për certifikata të lindjes, martesës dhe vdekjes. Komuna ende nuk është duke mbledhur të hyrat nga tatimi në pronë, lejet e ndërtimit, si dhe shfrytëzimi i pronave publike.

Komuna ende shërbehet me rregullore të UNMIK-ut

Auditori konstaton se Komuna nuk është duke zbatuar ligjin për tatimin në pronë dhe ligjin për ndërtimet. Si pasojë, nuk ka realizuar të hyra nga tatimi në pronë, ndërsa nga lejet e ndërtimit ka dhënë vetëm një leje ndërtimi nga e cila janë inkasuar taksa në vlerë 19,568€, prandaj edhe niveli i mbledhjes së të hyrave vetjake është shumë i ulët; dhe

Komuna ende bën arkëtimin e të hyrave duke u bazuar në një vendim nga koha e UNMIK-ut. Për më tepër, ky vendim nuk parasheh të hyrat nga tatimi në pronë, lejet e ndërtimit, shfrytëzimin e pronave publike apo burime tjera të të hyrave komunale. Menaxhmenti i komunës, përkundër rekomandimeve të dhëna në këtë fushë, ende nuk ka arrite të përshtatë dhe të aprovoj një rregullore të re mbi taksat, ngarkesat dhe tarifat me legjislacionin në fuqi. Sipas komunës, rregullorja është në proces të hartimit të saj për tu dërguar pastaj për miratim në Kuvendin Komunal.

Auditori po ashtu konstaton se menaxhmenti ende nuk ka vendosur një strukturë organizative, sistematizim të vendeve të punës dhe harmonizimin e saj me nevojat dhe buxhetin e komunës.

Buxheti final për mallra dhe shërbime në vitin 2016 ishte 949,424€ dhe 22,349€ për shpenzime komunale, pra gjithsej 971,773€. Prej tyre ishin shpenzuar 919,747€. Ato kanë të bëjnë me furnizim me pajisje dhe inventar, materiale të zyrës, shërbime kontraktuese, derivate etj.

“Ne kemi konfirmuar se komuna ende nuk e ka nxjerrë një rregullore e cila i përcakton kriteret dhe procedurat për ndarjen e subvencioneve”, konstaton Auditori.

Në 11 mostrat e testuara në vlerë 70,847€ për dhënien e subvencioneve, nuk është vërejtur ndonjë kriter për mënyrën e dhënies dhe shfrytëzimit të atyre mjeteve.

“Nga të gjitha mostrat e rishikuara, kemi gjetur se përfituesit e subvencioneve në asnjë rast nuk kanë dërguar raporte kthyese për mënyrën e shfrytëzimit të atyre mjeteve”, thuhet në raport.

Buxheti final në vitin 2016 për investime kapitale ishte 3,764,330€, ndërsa ishin shpenzuar 2,407,749€ apo 64%, dhe atë kryesisht për investime në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, në objekte kapitale të shëndetësisë, arsimit etj. Komuna ka financuar projektet e saj nga fondet e grantit qeveritar (490,468€), fondit për zhvillim (1,441,201€) dhe nga donacionet (476,080€).

Nga shqyrtimi i nëntë kontratave për mirëmbajtjen e kanalizimeve dhe ndërrimit të shakteve të kanalizimit në vlerë 25,240€, auditori ka identifikuar se prokurimi është zhvilluar sipas procedurave me vlera minimale apo kuotim çmimesh pa procedurë të hapur për punë të ngjashme. Në këto rrethana, komuna ka mundur të ketë kontratë kornizë për mirëmbajtjen e infrastrukturës.

Për 5 kontrata të nënshkruara (1,562,407€) komuna nuk kishte përgatitur plan për menaxhimin e kontratave. Mungesa e planit për menaxhimin e kontratave, mund të ndikoj në mos realizimin e kontratave sipas kushteve të përcaktuara dhe me pagesa të parregullta.