fbpx

Prokuroria: Aktiviteti kriminal i Lutfi Haziri dëmtoi Gjilanin

Kryetari i Gjilanit akuzohet se ka vepruar në dëm të pasurisë publike duke punuar për interes të një kompanie private. Prokurori ka konkluduar se aktiviteti kriminal i Lutfi Hazirit i ka sjellë dëme prej 168 mijë eurosh buxhetit komunal të Gjilanit.

Prokuroria: Aktiviteti kriminal i Lutfi Haziri dëmtoi Gjilanin

Prokuroria Speciale kërkon dënim me burg për Lutfi Haziri, kryetarin e Gjilanit. Gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim parashihen në Kodin Penal, për veprën që pretendohet se e ka kryer kryetari i Gjilanit.

Ali Rexha, prokuror i Prokurorisë Speciale, më 30 gusht të këtij viti e ka dorëzuar aktakuzën në Gjykatën Themelore të Gjilanit-Departamentit për Krime të Rënda. Insajderi e ka siguruar aktakuzën kundër Lutfi Hazirit.

Aty ka përmbledhur pretendimet e tij kundër Hazirit. Ka konkluduar se Haziri ka zhvilluar aktivitet kriminal në dëm të pasurisë publike, në mënyrë që të dal përfitues biznesmeni Fitim Haziri, pronar i firmës NTP “S.O Bezi”.

Kryetari Haziri, sipas aktakuzës, e ka kryer me dashje dhe paramendim veprën penale- keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Biznesmeni Haziri, më 2014, ishte shpallur fitues në ankandin publik për dhënien në shfrytëzim të parkingjeve komunale.

Por, ende pa u bërë një muaj nga nënshkrimi i kontratës biznesmeni kishte kërkuar ndryshimin e saj.

Kreu i Gjilanit ia kishte bërë këtë favor biznesmenit. Ky favor i kishte sjellë përfitime të mëdha biznesmenit.

Prokurori konkludon se kryetari Haziri është dashur që ta refuzoj kërkesën e biznesmenit Haziri dhe ta ftoj për ta zbatuar në tërësi kontratën.

Në rast se biznesmeni nuk do të pranonte zbatimin e kontratës, Haziri është dashur që ta shkëpusë atë dhe të shpall tender të ri për dhënien në shfrytëzim të parkingjeve.

Por, Haziri, bazuar në aktakuzë, ka vepruar me dashje dhe paramendim në interes të përfitimit të kundërligjshëm të Fitim Haziri, duke i mundësuar që të mos paguajë qira për parkingjet që biznesmeni i ka vlerësuar si jo të leverdishme.

“Provat materiale të cilat janë listuar në faqen 3 të kësaj aktakuze në mënyrë shumë të qartë, të sigurt dhe bindëse dëshmojnë për një aktivitet kriminal të të pandehurit. Këto prova lidhen në mënyrë shumë të sinkronizuar njëra me tjetrën”, thuhet në aktakuzë.

Lutfi Haziri 1 (2)

Nënshkrimi i Hazirit që dëmtoi Gjilanin për 168 mijë euro

Kuvendi Komunal i Gjilanit, më 13 qershor 2014, kishin marrë vendim për të bërë shpalljen publike për dhënien me qira të parkingjeve brenda qytetit.

Fitues i ankandit ishte shpallur kompania e Fitim Hazirit. Kishte ofruar çmimin më të lartë në ankand publik.

Kontrata mes autoriteteve komunale dhe firmës fituese ishte nënshkruar më 1 gusht të vitit 2014. Parashihte që biznesmeni të paguante 54 mijë e 120 euro për shfrytëzimin e parkingjeve komunale.

Ende pa u bërë një muaj nga lidhja e kontratës, ishte Fitim Haziri që kërkoi ta ndryshoi atë.

Ai nuk kishte përfitim nga disa prej parkingjeve që gjendeshin në periferi të qytetit. Nuk dëshironte t’i shfrytëzonte dhe kërkonte nga autoritetet komunale që të mos paguante qira për ato parkingje.

Lutfi Haziri e kishte marrë seriozisht kërkesën e tij. Më 1 shtator të vitit 2014, kryetari Haziri kishte ngritur një komision për verifikimin e pretendimeve të biznesmenit Fitim Haziri.

Pas pesë javëve kryetari Haziri dhe biznesmeni Haziri kishin nënshkruar një aneks kontratë.

Fitim Haziri përfitoi dhjetëra mijëra euro nga kjo mundësi. Aneks-kontrata e obligonte që të paguante vetëm 20 mijë e 520 euro në vit për shfrytëzimin e parkingjeve.

“Me këtë aneks kontratë komuna e Gjilanit është dëmtuar në vlerë prej 168 mijë eurosh (për çdo vit nga 33 mijë e 600 euro) kur të merret parasysh se kontrata është nënshkruar për 5 vjet”, thuhet në aktakuzën kundër Lutfi Hazirit.

Ky veprim i Hazirit, sipas prokurorit, bie në kundërshtim me dispozitat e neneve 4 dhe 5 të Ligjit për Dhënie në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme.

Bazuar në këtë aktakuzë, përveç aneks-kontratës dyshohet se kanë ndodhur edhe parregullsi tjera gjatë procesit të dhënies në shfrytëzim të parkingjeve komunale.

Prokurori ka marrë për bazë kërkesën për hetim  ndaj Lutfi Hazirit, bërë nga dega e PDK-së në Gjilan, e cila pretendon se shpallja ishte bërë vetëm në Gazetën Bota Press-por jo edhe në faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit.

Kjo gazetë menaxhohet nga Bajrush Morina, i cili kishte kandiduar për deputet të LDK-së, por nuk kishte arritur të marrë votat e mjaftueshme.

Po, ashtu Riad Rashiti, ligjvënës lokal i PDK-së në Gjilan, i ka thënë prokurorit se kompania e biznesmenit Fitim Haziri kishte filluar menaxhimin e parkingjeve dhe kishte inkasuar mjete nga qytetarët, ende pa u nënshkruar kontrata.

Rashiti, po ashtu, është ankuar se Prokuroria Themelore në Gjilan nuk kishte hetuar qëllimshëm lëndën që ia kishte dorëzuar.

“E njëjta prokurori pas grumbullimit të provave rastin e ka mbyllur. Ushtruesi i kërkesës pretendon se Komuna e Gjilanit i ka bërë favore prokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe për këtë rasti është mbyllur”, thuhet në aktakuzë.

Rashiti pretendon se kryetari Lutfi Haziri e ka punësuar në Komunën e Gjilanit vajzën e prokurorit të rastit dhe se për këtë arsye Prokuroria e Gjilanit e kishte mbyllur rastin.

Përveç Rashitit, prokuroria ka intervistuar në cilësinë e dëshmitarit edhe Ramadan Ajvazin.

Ai është jurist dhe punon në drejtorinë për bujqësi dhe pylltari në Komunën e Gjilanit.

Ai ka qenë kryesues i komisionit për verifikimin e gjendjes reale të parkingjeve në qytet, pas kërkesës së bërë nga biznesmeni Haziri.

Ajvazi ka pohuar para prokurorit se kanë bërë një gabim në raportin final ku në vend që të konstatohet “Nuk shfrytëzohet”,  kanë shkruar “Nuk mund të shfrytëzohet”.

Prokurori ka vlerësuar se ka qenë e panevojshme të formohet komisioni për vlerësimin e arsyeshmërisë ekonomike të parkingjeve.

Kjo, sipas tij, ka mundur të ndodh vetëm në rast se do të prishej kontrata dhe do të hapej tender i ri.

Deklarimi i Lutfi Haziri në prokurori

Bazuar në këtë aktakuzë, Lutfi Haziri e ka mohuar kryerjen e veprës penale. Por, sipas prokurorit, nuk ka ofruar prova për të kundërshtuar pretendimet.

Haziri citohet të ketë thënë se ka bërë punë të mirë për Gjilanin, kur ka vendosur që të jepen në shfrytëzim parkingjet komunale.

Sipas Hazirit, autoritetet komunale me lidhjen e marrëveshjes me kompaninë private kanë shfuqizuar një memorandum jo legal.

Ai ishte lidhur në vitin 2009 mes autoriteteve komunale dhe Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Haziri ka shtuar se në këtë memorandum jo legal është përfshirë një palë e tretë. Nuk ka sqaruar më shumë këtë pohim dhe nuk ka përmendur askënd me emër.

Haziri, bazuar në aktakuzë, ka pohuar se pasur shumë kërkesa nga qytetarët për të vënë rregull në parkingje, pasi që ka pasur shumë ngatërresa.

Por, prokurori ka vlerësuar se përkundër përpjekjes për të vënë rregull në parkingje, nënshkrimi i aneks-kontratës nga Lutfi Haziri përbën vepër penale.

Nënshkrimi i aneks-kontratës është në kundërshtim me Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim të Pronave Komunale.

Neni 4 dhe 5 i këtij ligji obligojnë autoritetet që të respektojnë parimin e ligjshmërisë, trajtimit të barabartë, transparencës dhe ruajtjes e garantimit të interesit publik si dhe kërkojnë që të aplikohet konkurrencë e hapur mes tenderuesve.

“Lutfi Haziri me këto veprime nuk është sjell si nikoqir i mirë nga pozita e kryetar pasi që nuk e ka ruajtur pasurinë publike në mënyrën më të mirë, pasi që e ka favorizuar këtë operator ekonomik në dëm të operatorëve tjerë që kanë qenë të interesuar dhe që kanë marrë pjesë në tender lidhur me këto parkingje”, theksohet në këtë aktakuzë. /Insajderi.com