Pushtetari Haki Abazi përballë Amerikës që e quan ndikim rus kundërshtimin e “Kosova e Re”

Më shumë se sa ekonomik, zyrtarët e shtetit amerikan po e konsiderojnë si politik projektin 1.3 miliardësh të ndërtimit të termocentralit të ri në Kosovë. "Është interes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të ndalur ndikim rus në Kosovë", ka konfirmuar Matthew Palmer, përfaqësues special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor. Mirëpo, nuk dihet se a do të finalizohet ky projekt nga Qeveria e re e Kosovës. Një prej tre njerëzve kryesor të qeverisë së re është Haki Abazi, kundërshtuesi i madh i ndërtimit të këtij termocentrali. Ai ende nuk ka komentuar deklaratat e Palmer, të cilat bien ndesh me angazhimet disavjeçare të Abazit.

Pushtetari Haki Abazi përballë Amerikës që e quan ndikim rus kundërshtimin e “Kosova e Re”

Termocentrali “Kosova e Re”, projekti për ndërtimin e impiantit të energjisë, sipas zyrtarëve të lartë amerikanë është interes politik i parandalimit të ndikimit rus në Ballkan.

Kosova konsiderohet si vija ndarëse ndërmjet lindjes dhe perëndimit. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ekziston rreziku i shtrirjes së ndikimit rus në Kosovë përmes investimeve në energji.

Kjo temë është ngritur edhe në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në tetorin e vitit të kaluar.

Në një dëgjim në Nën-komitetin për Evropë dhe Bashkëpunim të Sigurisë Rajonale të Senatit Amerikan, përfaqësuesi Special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, paralajmëroi për rrezikun e ndikimit rus në Kosovë.

Duke raportuar para Ron Johnson, senatorit të Uiskonsinit që udhëheq me këtë nën-komitet, Palmer shprehej se Termocentrali “Kosova e Re” është investim strategjik amerikan i cili ndalon shtrirjen e ndikimit rus në Kosovë.

“Nëse ky projekt dështon, Kosova mund të detyrohet të marrë në konsideratë alternativa që përfshijnë energjinë me burim nga Rusia”, u shpreh Palmer në pyetjen e drejtuar nga senatori i Nju Xhersit, Robert Menendez.

Sipas Palmerit, shumë kombe të Ballkanit dhe pjesa më e madhe e Evropës Juglindore preken drejtpërdrejt ose indirekt nga politikat dhe furnizimi me energji nga Rusia.

“Ato [shtete] të cilat janë gazifikuar, mbështeten pothuajse ekskluzivisht nga furnizimi rus”, theksoi Palmer.

Për të ndaluar shtrirjen e ndikimit rus në Kosovë, sipas përfaqësuesit të Departamentit të Shtetit, duhet të ruhet pavarësia energjetike e Kosovës – të përdoret linjiti.

“Për të ruajtur pavarësinë e saj energjetike, Kosovës i duhet një gjeneratë e re, dhe ‘Kosova e Re’ është opsioni më praktik, më efikas dhe më i mundshëm. Mbështetja e këtij projekti është tërësisht në interesin e Shteteve të Bashkuara”, tha Palmer.

I pyetur në lidhje me koston e Termocentralit “Kosova e Re” dhe refuzimin e Bankës Botërore për të mbështetur këtë projekt, Palmer nënvizoi se ky projekt ndërlidhet me sigurinë kombëtare të Kosovës.

“Përveç kostos, siguria kombëtare afatgjatë e Kosovës varet nga sigurimi i furnizimit të plotë dhe të besueshëm të energjisë”, u shpreh Palmer në Nën-komitetin për Evropë dhe Bashkëpunim të Sigurisë Rajonale të Senatit.

Megjithatë, në Kosovë kanë qenë të zëshëm kundërshtuesit e projektit, të cilët e kanë kritikuar “Kosovën e Re” për arsye mjedisore, si dhe atyre që ndërlidhen me kontratën e pretenduar si të dëmshme ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe firmës “Contour Global”.

Marrëveshja komerciale ndërmjet Contour Global dhe Qeverisë së Kosovës u nënshkrua më 20 dhjetor të vitit 2017, nën kundërshtimet e opozitës së atëhershme dhe një pjese të shoqërisë civile.

Kundërshtuesit e projektit e kanë quajtur termocentralin, i cili do të kushtojë 1.3 miliard euro, si të dëmshëm për qytetarët dhe mjedisin.

Ndërkaq, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka ngritur dyshime se me Termocentralin “Kosova e Re” mund të rriten tarifat e energjisë elektrike për së paku 40 për qind.

Fushata kundër termocentralit të ri, roli kyç i Haki Abazit

Kundërshtuesi kryesor i projekti është KOSID, një konsorcium i organizatave të shoqërisë civile në Kosovë.

Konzorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) përbëhet prej instituteve dhe organizata të medieve, deri tek organizatat të cilat punojnë me komunitete lokale.

Bashkë-themelues i KOSID është Haki Abazi, i cili për rreth dhjetë vjet ka udhëhequr me fondet milionëshe në Kosovë të fondacionit “Rockfeller Brothers Fund”, e kishte quajtur “kancer të qytetarëve” projektin për termocentralin.

KOSID-i i udhëhequr nga Abazi, ka zhvilluar fushata të financuara kundër Termocentralit “Kosova e Re”.

Në muajin gusht të vitit të kaluar, ish-drejtori i Rockefeller Brothers Fund u bashkua me Lëvizjen Vetëvendosje – organizatë politike që po ashtu e ka kundërshtuar ashpër projektin “Kosova e Re” – për t’u emëruar zëvendëskryeministër i Kosovës në qeverinë Kurti gjashtë muaj më vonë.

Kanë kaluar saktësisht një muaj prej formimit të qeverisë dhe rreth dy javë prej se Gazeta Online Insajderi ka kërkuar sqarime nga zëvendëskryeministri Abazi për fushatën që kishte udhëhequr kundër projektit, por përveç një premtimi, nuk ka pranuar ende përgjigje.

I pyetur nga gazeta lidhur me konstatimet për rrezikun e ndikimit rus në Kosovë të Matthew Palmer, zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit, zëvendëskryeministri Abazi ka premtuar përgjigje sa më të shpejta për gazetën, por ndonëse kanë kaluar 16 ditë ende nuk ka kthyer përgjigje.

“Kemi pranuar pyetjet tuaja dhe do te përgjigjemi sa më shpejtë që është e mundur dhe kërkojmë mirëkuptim meqë kemi një valë të angazhimeve në këtë fillim mandati që kërkojnë përkujdesjen tonë urgjente”, ka thënë zëvendëskryeministri Abazi, në një përgjigje me shkrim për gazetën.

Abazi nuk ka kthyer përgjigje as për qëndrimin e qeverisë Kurti për marrëveshjen e nënshkruar në fund të vitit 2017 ndërmjet qeverisë dhe kompanisë amerikane Contour Global, për ndërtimin e këtij termocentrali i cili do kushtojë 1.3 miliard euro.

Në përgjigjet me shkrim, numri tre i ekzekutivit megjithatë ka konfirmuar se qeveria ende nuk ka marrë vendim përfundimtar për termocentralin.

“Gjithashtu një pjesë e pyetjeve tuaja ende nuk kanë vendim përfundimtar dhe me qëllimin që të informojmë qytetarët sa më drejtë e me korrektësi është e nevojshme që vendimet të jene të plota”, ka thënë zv/kryeministri Abazi.

As rrjeti i OJQ-ve, KOSID, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e gazetës për fushatën kundër Termocentralit “Kosova e Re”.

Disa javë pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet qeverisë dhe Contour Global-it, KOSID-i thoshte se ky projekt nuk do të sigurojë pavarësi të furnizimit energjetik dhe do të minojë rrugëtimin e vendit drejt proceseve integruese.

KOSID shprehej se me nënshkrimin e marrëveshjes “nuk përfundon procedura për fillimin e ndërtimit të termocentralit, por vetëm thellohet problemi dhe e bënë procesin edhe më kompleks”.

Ministria e hedh dhe e tërheq nga diskutimi dokumentin që parasheh ndërtimin e “Kosovës së Re”

Në Ministrinë e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike e publikuan dhe e tërhoqën brenda dy ditësh nga diskutimi dokumentin që parasheh ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Më 20 shkurt të këtij viti,  Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike ka hedhur në diskutim publik Planin Kombëtar të Veprimit për Efiçiencë të Energjisë 2019-2021.

Bazuar në dokumentin e publikuar nga Qeveria më 20 shkurt, termocentrali “Kosova A” do të çaktivizohej dhe zëvendësohej me termocentralin “Kosova e Re” në periudhën 2020-2023.

Ky dokument, i quajtur Plani Kombëtar i Veprimit për Efiçiencë të Energjisë 2019-2021, doli në konsultim publik të mërkurën e 20 shkurtit. Ishte paraparë të qëndronte i hapur për komente në Platformën e Konsultimeve publike deri më 3 mars të këtij viti.

Mirëpo, vetëm dy ditë më vonë, dokumenti është tërhequr nga Platforma e Konsultimeve publike –e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Termocentrali “Kosova e Re”, ishte paraparë të fillohet të ndërtohet në këtë vit, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023. Jetëgjatësia e tij është llogaritur të jetë 40 vjet.

Kosova, llogaritet se ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe si i tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike./Insajderi.com