fbpx

Qytetari nga Istogu bën 350 kallëzime penale, amerikanët ankohen se po kërcënohen me jetë nga ai

Ibrahim Rugova nuk ishte djali biologjik i babait të tij, Ukës. Izet Demaj kishte fuqi të kontrollonte gjithçka në Policinë e Istogut dhe në Prokurorinë e Pejës. Këto janë vetëm disa nga pretendimet absurde të Isa Mulajt që nuk i dokumentoi asnjëherë. Pretendimet e Mulajt janë edhe më shumë. I vetëm Mulaj ka dorëzuar 350 kallëzime penale duke përfshirë, vrasje, masakra dhe raste të tjera. Institucionet tona  janë duke u marrë ende me pretendimet e tij.

Qytetari nga Istogu bën 350 kallëzime penale, amerikanët ankohen se po kërcënohen me jetë nga ai

Për vite me radhë Policia e Kosovës, prokuroritë dhe Inspektorati Policor i Kosovës, kanë trajtuar hiç më pak se 350 kallëzime penale nga një person i vetëm. Isa Mulaj nga rrethi i tij dhe në dokumentet zyrtare konsiderohet si njeri që i nevojitet një ekzaminim mjekësor tek psikiatri është duke e angazhuar ende Prokurorinë e Gjilanit dhe institucione të tjera në Kosovë.

Prokuroria e Gjilanit është duke u marrë me një rast që Isa Mulaj pretendon se ka shkelje ligjore. Kjo prokurori po vazhdon të merret me rastet e Mulajt përkundër që ndaj këtij personi është konkluduar se merret me trillime dhe shpifje ndaj rasteve që kërkon të hetohen, në veçanti policëve dhe prokurorëve.

Prokuroria e Gjilanit në një përgjigje për Insajderin ka konfirmuar se janë duke trajtuar rastin që është paraqitur nga Isa Mulaj. Pretendimi i tij i radhës është se ai ka informacione për gjashtë persona që kanë keqpërdorur pozitën e tyre.

“Duke u bazuar në pyetjet e referuara nga ana e juaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, ka pranuar dhe është duke trajtuar kallëzimin penal, të parashtruar nga Isa Mulaj, përmes të cilit i njëjti ka pretenduar se gjashtë (6) persona të dyshuar, janë përfshirë në veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Konflikti i interesit’”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Gjilanit.

Por ky është vetëm një nga 350 kallëzimet penale që Mulaj ka paraqitur tek institucionet e Kosovës. Pretendimet e tij janë se i di autorët e masakrës së Banjës së Pejës. Policin Izet Demaj që humbi jetën gjatë një grabitje në një bankë në Istog e konsideronte si njeriun që kontrollon gjithçka në Policinë e Kosovës në Istog dhe ka autoritet të plotë tek prokurorët në Pejë.

Kosovari që kërcënon ambasadën amerikane dhe punëtorët e USAID-it

Njeriu që në raportin e veçantë për të cilësohet se merret me trillime, kishte kërcënuar seriozisht punëtorët e Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe punëtorët e USAID-it.

Në fakt që nga viti 2008 për të janë dorëzuar disa kallëzime penale, ku ai dyshohej të jetë i përfshirë në kërcënime, vjedhje dhe raste të tjera.

Në raportin e shkurtit të këtij viti nga Policia e Kosovës, tregohet se Mulaj kishte kërcënuar punëtorët e ambasadës amerikane si dhe kishte këmbëngulur në çfarëdo forme të takohet me drejtoreshën e USAID-it.

Raporti thotë se Mulaj ka tentuar në çfarëdo mënyre për ta takuar drejtoreshën e USAID-it, madje edhe duke shkuar në forume të ndryshme ku shefja e  USAID-it gjendet aty.

“Isa Mulaj ende vazhdon të bëjë thirrje telefonike në Ambasadën Amerikane dhe USAID, duke kërkuar takim me shefen e USAID-it. Mulaj ka vite që shqetëson, ngacmon punëtorët e misionit të USAID-it amerikan me kërkesa të ndryshme duke thirrur në telefon, duke shkuar në forume të ndryshme në mënyrë denigruese shpifëse kundër zyrtarëve vendor dhe Amerikan të USAID, dhe politikanëve të USAID-it në Prishtinë”, thuhet në raportin e veçantë për Mulajn që ka siguruar Insajderi.

Mulajt përkundër që i është bërë e qartë disa herë se nuk mund të takohet me shefen e USAID-it, ai sipas raportit vazhdon të insistojë në mënyra të ndryshme. Në raport theksohet se është person që i duhet një këshill psikologjike, ani pse nga shkrimet e tij vlerësohet me një inteligjencë mbi mesatare.

Insajderi ka kontaktuar Mulajn për këtë rast dhe për pretendimet e tij të tjera. Ai shprehet i habitur se për të thuhet se ka kërcënuar ambasadën amerikane dhe USAID-in. Ai pretendon se një zyrtar i USAID-it ka marrë para në emër tij.

Thotë se ish-ambasadori amerikan, Christopher Dell e ka futur në burg për shkak se nuk i ka ndalur kallëzimet penale.

“Këtë po e dëgjoj për herë të parë. E vërteta është se unë e kam paditur Luan Gashin dhe një pjesë të personelit të USAID-it për shantazhimin dhe deklarimin e rrejshëm të mbylljes së OJQ-së sime, Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike (INEPRA). Luan Gashin që ka punuar në USAID, e kam zënë me pelë për dore duke u marrë me korrupsion dhe përfitim ilegal të fondeve të USAID-it në kurriz timin. Atë e kam raportuar tek Inspektori i Përgjithshëm i USAID-it në Uashington dhe ata kanë filluar menjëherë ta hetojnë rastin se keqpërdorimi ka qenë i rëndë”.

“Dellin vazhdimisht e kam kritikuar dhe ia kam qitur të palarat në shesh, dhe për këtë më ka burgosur, pra ata kanë qenë prokurorë, gjyqtarë, ekzekutues të vendimeve dhe kjo punë s’ka lidhje me kanosje”, pretendon Mulaj.

Me kërcënime nga Mulaj kishte hasur edhe një grua nga shoqëria civile. Besa Luzha ishte kërcënuar publikisht nga Mulaj vite më parë, ani pse ajo thotë se nuk e di arsyen e qartë. Mulaj e kishte përfshirë Luzhen si një treshe djallëzore.

“Sa kem bashkëpunuar ‘FES’ me ‘KFOS’ dhe ‘Riinvest’ ai e lidhte mua si një treshe djallëzore sipas tij kundër tij. Por unë nuk kam pas asgjë me të. Madje e pata përkrahur një analizë të tij”.

“Por kishte sjellë një hulumtim tek drejtoresha gjermane dhe kur ishte refuzuar ishte vërejtur një sjelle e çuditshme edhe pse i kishim treguar se nuk jemi të interesuar për këtë lloj studimi. Ai ishte nervozuar”, ka deklaruar Luzha për Insajderi.

Megjithatë ajo thotë se pasi kishte lajmëruar rastin në Policinë e Kosovës Mulaj nuk i ishte afruar dhe as nuk e kishte kërcënuar më. Kishte pasur ndalesë nga Policia e Kosovës që ta komunikonte me Besa Luzhën.

Përkundër se në raportet e Policisë, ceket ankesa e Luzhës, Mulaj mohon pretendimet e tilla. Sipas tij ajo është manipuluar nga Muhamet Mustafa.

“Mirëpo, tek ajo shantazhon Muhamet Mustafa, i cili me shpifjet e tij, në mes tjerash, më ka pas denoncuar në policinë e Prishtinës, edhe për veprimtarinë time në Bosnjë, ku ta di unë, se ndoshta gjenocidin atje nuk e ka bërë Radovan Karaxhiqi dhe Ratko Mlladiqi, por Isa Mulaj. Me këso marrëzira dhe trillime të Muhamet Mustafës është trulluar edhe Besa Luzha, e cila më thoshte se ‘tash po bindem se ajo që po thonë njerëzit për ty, është e vërtetë!’”, thotë Mulaj në pretendimet e tij.

“Krimet” që i di Isa Mulaj

Isa Mulaj kishte angazhuar për një kohë të gjatë prokurorët. Pretendimet e tij ishin se ai din autorët e vrasjes së masakrës së Banjës, ngacmime seksual si dhe për tentim vrasje ndaj tij. Pretendimet e Mulajt shkonin edhe më tej duke thënë se Izet Demaj kontrollon Policinë e Kosovës në Istog dhe Prokurorinë e Pejës.

Në vitin 2008 Isa Mulaj kishte pretenduar se ka informacione për gjetjen e një çante me para dhe ajo është marrur nga një polic i Kosovës. Sipas tij në atë çantë ishin 30 mijë euro para të gatshme. Ky rast që kishte iniciuar Mulaj ishte hetuar, por që Mulaj nuk kishte dhënë dëshmi të mjaftueshme.

Në raportin e veçantë për Mulajn thuhet se ai në këtë kallëzim penal nuk kishe paraqitur asgjë konkrete.

Pretendimet e Isa Mulajt për çantë me para nuk janë vetëm të vitit 2008. Ai pretendon se një çantë me para prej 50 mijë eurove do ta merrte polici Izet Demaj nga banka ku u vra. Sipas tij, paratë që do t’i merrte polici Izet Demaj po bëheshin për shpëlarje parash.

Kur është pyetur Mulaj se si kishte ardhur tek informatat e tilla ai nuk ka një përgjigje të qartë. Vazhdon ta involvoi policin e ndjerë në ‘krime’.

“E kemi kuptuar përmes çantave me para që qarkullojnë nëpër Istog nga policia e Istogut. Njëri prej rasteve është i asaj çantës me 300 000 euro të “gjetur” nga Sami Shala përballë stacionit policor”.

“Një burim tjetër që vërteton se çfarë pushteti kishte Izeti ndaj Prokurorisë së Pejës, është kur pas vrasjes së tij, policia speciale e Pejës, sigurisht me urdhër të Prokurorisë, torturon një fëmijë 12 vjeçar të familjes së Kamer Metajt në Shushicë të Poshtme”, ka vazhduar me pretendime Mulaj në përgjigjen për Insadjerin.

Mes tjerash në një përgjigje të Mulajt ai thotë se kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova kishte festuar vdekjen e Izet Demajt. Sipas tij Rugova kishte festuar me raki dhe mish vrasjen e Demajt.

Një rast tjetër të paraqitur nga Mulaj, thuhet se një person ka dashur ta vrasë atë. Thotë se personi që deshi ta vrasë është i afërt me dy prokurorë.

Ai thotë se personi me iniciale K.A, kishte dashur ta vrasë për shkak se e kishte paditur për uzurpim të tokës.

“Sepse e kam paditur për uzurpim të jashtëligjshëm të pronës, uzurpim të jashtëligjshëm të ujit të pijes duke i lënë 32 familje të fshatit Mojstir pa atë ujë, për rrahje brutale private shkaku i atij burimi të ujit…”, vazhdon më tej përgjigja e Mulajt.

Mulaj në deklarimin e tij për Insajderin përmend edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës që sipas tij kanë marrë pjesë në masakrën e “Banjës”. Por as për këto pretendime Mulaj sikurse edhe për këtë rasti ai nuk ka ofruar asnjëherë dëshmi.

Në raportin e veçantë për Mulajn thuhet se ai vazhdon të merret me shkrime të trilluar. Një prej tyre përmendet edhe qëndrimi i tij se Ibrahim Rugova. Sipas këtij raporti ai e paraqit familjen Rugova si racë të devijuar.

Pretendimet e tij janë se kinse familjarët dhe kushërinjtë e Rugovës kanë qenë dhe janë racistë kundër ish-presidentit historik të Kosovës për shkak se nuk është nga babai i tij bilogjikisht./Insajderi.com