Rashit Qalaj – mban në punë 337 policë në kundërshtim me gradat – dëmton buxhetin për 200 mijë euro në vit

Njomza Salihi

Rashit Qalaj – mban në punë 337 policë në kundërshtim me gradat – dëmton buxhetin për 200 mijë euro në vit
Burimi i fotografisë: Rashit Qalaj në ceremoninë e gradimit, 05.04.2019 | Foto: Policia e Kosovës


Saga e skandaleve të tij nuk ndalet. Vazhdon… ky është episodi i radhës. 337 zyrtarë policorë punojnë në kundërshtim me gradat e përcaktuara sipas Ligjit, kështu ka urdhëruar drejtuesi i tyre, Rashit Qalaj. Duke favorizuar dikë dhe duke degraduar tjetër kë – ai dëmton buxhetin e Policisë për rreth 200 mijë euro në vit.

 

Numri një i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, rreth dy javë më parë e konfirmoi në një formë se zyrtarët policorë s’mund t’i lë pa punë. Sidomos ata me sëmundje kronike.

“Paramendoni çka do të ndodhte sikur një polici me sëmundje qoftë të zemrës, qoftë me kancer ne të ja ndërpresim marrëdhënien e punës dhe i njëjti duke mos pasur mjete për ekzistencë të bënte vetëvrasje”, tha Qalaj, më 19 shkurt 2020 në Klan Kosova.

I njëjti jo vetëm që s’i lë pa punë zyrtarët e tij, por shumë nga ata po me urdhër të tij punojnë në kundërshtim me gradat që kanë.

Njerëz të afërt me të marrin paga për gradat që s’i kanë. Gazeta Insajderi e ka siguruar listën e plotë të këtyre zyrtarëve.

I tillë është Jeton Rexhepi. Ai ka gradën e Nënkolonelit, por mban pozitën e Kolonelit. Pozitën e Kolonelit e mbajnë edhe Granit Fetahu dhe Ahmet Isufi, pavarësisht se janë Nënkolonelë.


Jeton Rexhepi i cili është Nënkolonel, por mban pozitën e Kolonelit | Pamje nga një intervistë e tij

Rashit Qalaj dhe Jeton Rexhepi | Foto: Facebook

 

Në këtë listë gjendet Bashkim Spahiu, i cili ka gradën Major, por mban pozitën e Nënkolonelit.

Spahiu është djali i tezës së Lavdim Osmanit, udhëheqësit të Krimeve Ekonomike në Prishtinë i cili rreth një muaj më parë u zu në flagrancë nga Inspektorati i Policisë së Kosovës duke u marrë haraç.

Ndërsa, një nga policët më problematik, por edhe më me ndikim në veri, Zeljko Bojiq, ka pasur gradën Rreshter, ai ishte promovuar në gradë të Togerit pa konkurs. Personi që është ndjekur penalisht dhe ka qenë i dënuar tash mban pozitën e Nënkolonelit. Bojiq, si shef i Stacionit Policor në veri, ishte akuzuar edhe për bashkëpunim të ngushtë me Listën Serbe.

Ndryshe paga e një koloneli është 1230 euro, vetëm në këtë kategori buxheti është dëmtuar për rreth 18 mijë e 400 euro në vit.

Nënkoloneli merr 1030 euro pagë mujore, keqpërdorimi këtu ka shkuar deri në 34 mijë e 740 euro në vit, ndërsa një Major merr 837 euro pagë, buxheti i Policisë nga kjo kategori e “emërimeve” është dëmtuar për 19 mijë e 440 euro.

Nga krejt ky proces që është bërë me dijeninë e Rashit Qalajt – buxheti i Policisë ka humbur rreth 200 mijë euro në vit, shkruan Gazeta Insajderi.

Sipas Ligjit të Policisë, Nenit 45, sistemi i gradimit për zyrtarët policorë rregullohet në këtë formë:  polic i ri, polic, polic i lartë, rreshter, toger, kapiten,  major, nënkolonel, kolonel.

Në kundërshtim me këtë ligj edhe 232 zyrtarë të tjerë mbajnë pozitë më të lartë në krahasim me gradat. Ndërsa, 105 policë të Qalajt po me urdhër të tij, mbajnë pozita më të ulëta sesa që u takojnë.

Gazeta Insajderi ka siguruar listën e plot 337 zyrtarë policorë që brenda institucionit të Policisë veprojnë në shpërpushje me gradat.

Avancimi, por edhe degradimi i këtyre zyrtarëve policorë ka ndodh përkundër se në vitin 2019 është aprovuar struktura e re organizmave e Policisë.

Gazeta Insajderi ka çuar pyetje në drejtim të Zyrës për Media të Policisë, por edhe në adresën e Rashit Qalajt, por të njëjtit për rreth një javë s’kanë dhënë as edhe një përgjigje për të gjitha çështjet e lartcekura.

Qalaj gradon edhe policët që kanë probleme me Ligjin

Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, më 5 prill të vitit të kaluar, ka graduar 19 kolonelë, 13 nënkolonelë, 45 majorë dhe 59 kapitenë.

“Sot është ditë e veçantë për Policinë e Kosovës. Sot do të avancojmë në grada një numër të kapitenëve, majorëve, eprorëve që kanë dhënë mund në trajnime përkatëse”, pati thënë Qalaj atë ditë.

“Së bashku me kolegët tanë, të mbajmë rend dhe ligj, të mbrojmë pronën, të mbrojmë kufirin shtetëror, të parandalojmë aksidentet e trafikut, t’i hetojmë veprat penale, e po ashtu t’i japim shpresë popullit të Kosovës dhe detyra kryesore e secilit prej nesh është detyrë patriotike që të mundësojmë gjithsecilin që të ndihet si në shtëpinë e tij”.


Rashit Qalaj në cermoninë e gradimeve, 5 prill 2019 | Foto: Policia e Kosovës

 

Në mesin e atyre që mendohet se do ta ruajnë shtetin – Rashit Qalaj ka graduar edhe tetë policë që kanë probleme me ligjin edhe atë pavarësisht njoftimit të Inspektoratit Policor që e ka marrë vetëm një ditë para ceremonisë së gradimeve.

Gazeta Insajderi e ka siguruar njoftimin e Inspektoratit Policor drejtuar personalisht Rashit Qalajt. Aty tregohet në detaje secili polic për çka hetohet.

Kështu Hamit Rukiqi dhe Fazli Fazliu kanë marrë gradën e Kapitenit, përkundër se të dy hetohen për privim të kundërligjshëm të lirisë, lidhur me rastin e depërtimit të gjashtë shtetasve turq, zbulon Insajderi.

Saim Jonuzi e ka marrë po ashtu gradën e Kapitenit, përkundër se Rashit Qalaj është njoftuar nga Inspektorati Policor se i njëjti hetohet për mashtrim në rastin e invalidëve të luftës.

Po për të njëjtën vepër hetohen edhe Avni Zabeli dhe Mahmut Salihu të cilët e kanë marrë gradën Major.

Në anën tjetër pjesëtarët  Arsim Berisha dhe Valdet Bujupi kanë graduar si Nënkolonelë. Edhe këta të dy hetohen nga drejtësia për mashtrim në rastin e veteraneve të luftës, zbulon Insajderi.

Ndërsa gradën e Kolonelit e ka marrë polici Lumni Graishta, i cili po ashtu hetohet për mashtrim në rastin e veteranëve.

Insajderi edhe për këtë çështje ka çuar pyetje në drejtim të Policisë, por Gazeta ende s’ka marrë përgjigje.

Saga e skandaleve të Rashit Qalajt

Rashit Qalaj edhe në një rast tjetër e kishte kundërshtuar rekomandimin e Inspektoratit Policor.

Papërgjegjësia e tij doli në pah në ditën kur ish-policja, Valdete Bllaca, dyshohet se e vrau nënën, babain, dy vëllezërit, dhe më pas edhe veten. E njëjta kishe probleme psikike, por vazhdonte punën aktivisht.

Inspektorati Policor i kishte rekomanduar drejtorisë së Përgjithshme të Policisë se këta pjesëtarë duhet të suspendoheshin për shkak se ishin të pajisur me armë zjarri dhe mund të paraqesin rrezik.

Problem për të cilin më 2018-në ishte alarmuar ky institucion i sigurisë.

Inspektorati policor kishte identifikuar 94 policë me probleme të tilla dhe kishte rekomanduar Policinë që të njëjtit të suspendoheshin, shkruan Insajderi.

“Arsyeja e rekomandimit është, për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore duke iu referuar dokumentacionit të tyre që i kanë paraqitur pranë komisionit mjekësor të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Institutit të Psikiatrisë Forenzike. Për shkak të dokumentacionit të tyre shëndetësor të paraqitur pranë komisionit mjekësor të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është dëshmuar se të njëjtit kanë probleme shëndetësore të natyrës psikike”, thuhej në përgjigjen e IPK-së.

Pavarësisht alarmit, drejtoria e Përgjithshme e PK-së kishe refuzuar ta bëjë një gjë të tillë – Policët me probleme të shëndetit mendor vazhdojnë të dalin çdo ditë në punë.

Qalaj në një rast tha se nuk mund të bëjë suspendimi e tyre derisa Kosova nuk ka Ligj për Pensionim të Parakohshëm.

Nëse Drejtori i Policisë thotë se nuk mund t’i suspendojë të sëmurët psikikë, ai ka mund të mos bëjë edhe diçka tjetër – por ka vepruar ndryshe.

Gazeta Insajderi ka zbuluar rreth një muaj më parë Rashit Qalaj ka ndihmuar që të shtypen protestat e opozitës në Shqipëri.

Insajderi ka zbuluar poashtu se Sandër Lleshaj, ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, kishte gënjyer publikisht shqiptarët lidhur me blerjen e 500 granatave me gaz lotsjellës, e kishte mbajtur fshehur faktin që ishte marrë huazim nga Policia e Kosovës.

Kjo është bërë nëpërmjet një marrëveshje të dyshimtë të nënshkruar mes Rashit Qalajt, drejtorit të Policisë së Kosovës dhe Ard Veliut, drejtorit të Policisë së Shqipërisë.

Për shkak të ndjeshmërisë, rregullat në blerjen e armëve e gazit lotsjellës janë specifike. Në momentin e kontraktimit, blerësi-Policia e Kosovës, nuk lejohet që t’ia huazojë dikujt tjetër. Është përdorues i fundit i armës dhe mban përgjegjësi se si e përdorë atë.

Mirëpo, ky rregull është thyer nga Rashit Qalaj, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Ai ka vendosur që t’ia huzojë 500 granata me gaz Policisë së Shqipërisë.

Ndikimi i drejtorit të Policisë është vërejtur edhe në një rast tjetër.

Një grup i madh njerëzish në poste udhëheqëse të Policisë së Kosovë ndërlidhen me një emër të fuqishëm të politikës: Elmi Reçicën, deputetin e fuqishëm të PDK-së dhe ish-numrin 2 të SHIK-ut. Ata janë emëruar në pozita drejtuese në kohën e qeverisjes së PAN-it, koalicion që udhëhiqej nga Partia Demokratike e Kosovës.

Reçica krejt kë veprime duket se i ka bërë nën dijeninë e Qalajt, mikut të mishit dhe birrave, shëtitjeve dhe ecjeve nëpër mal.

Gazeta Insajderi ka siguruar disa fotografi, të cilat zbulojnë afërsinë e Qalajt me politikanin e fuqishëm të PDK-së, Elmi Reçicën dhe vartësit e tij në SHIK.

Në një ndejë qejfi, rreth një tryeze me mish e birra, Rashit Qalaj po u bënte atmosferë, mysafirëve specialë, Elmi Reçicës dhe të tjerëve.


Rashit Qalaj dhe Elmi Reçica teksa ushqehen me mish dhe birra | Fotografi e siguruar nga Insajderi

 

Në fotografinë e dytë që ka siguruar gazeta, dëshmohet se drejtori i policisë Rashit Qalaj dhe Elmi Reçica kanë realizuar edhe udhëtime të përbashkëta.


Rashit Qalaj teksa udhëton me Elmi Reçicën | Fotografi e siguruar nga Insajderi

 

Afërsia e tyre është dëshmuar edhe në një fotografi tjetër ku shihet Qalaj dhe Reçica, bashkë me shumë të tjerë teksa shijojnë natyrën. 


Rashit Qalaj dhe Elmi Reçisa teksa shijojnë natyrën | Fotografi e siguruar nga Insajderi

 

Shiko edhe dokumentarin e InDoks: Policia e Përgazt

insajderi.com