E zgjedhur inspektore shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, rreth dy vite më parë, mjekja stomatologe Ajla Zymberi-Çeshko, u detyrua të hi" />

Rilicencimi i ordinancës së saj private – Antikorrupsioni heton inspektoren e Ministrisë së Shëndetësisë

Ajla Zymberi-Çeshko, inspektore shëndetsore, vazhdon të punojë ende në klinikën e saj private "Amsar Dent", pronësinë e së cilës e ka kaluar në emër të bashkëshortit të saj. Klinika që ishte licencuar për herë të parë në vitin 2009, siç mëson Insajderi, është rilicencuar sërish pas qershorit të vitit 2017 – kur Zymberi-Çeshko ishte zgjedhur inspektore. Agjencia Kundër Korrupsion ka nisur hetimet lidhur me këtë rast

Rilicencimi i ordinancës së saj private – Antikorrupsioni heton inspektoren e Ministrisë së Shëndetësisë

E zgjedhur inspektore shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, rreth dy vite më parë, mjekja stomatologe Ajla Zymberi-Çeshko, u detyrua të hiqte dorë nga pozita si pronare në ordinancën private “Amsar Dent”.

Më 5 qershor të vitit 2017, Ajla Zymberi-Çeshko u rekrutua nga Ministria e Shëndetësisë për të kryer detyrën e Inspektores së Shëndetësisë, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.

Pasi u zgjedh inspektore, ajo u detyrua të hiqte dorë nga pozita si drejtoreshë e klinikës private të saj  “Amsar Dent” pas rekomandimit të Bordit për Licencim të Profesionistëve Shëndetësor, mëson Insajderi nga burime brenda Ministrisë.

Rekomandimi i Bordit për Licencim erdhi, pasi mbajtja e dy pozitave nga Ajla Zyberi përbënte konflikt interesi.

Mirëpo, Ajla Zymberi vazhdon të punojë si doktoreshë në ordinancën stomatologjike “Amsar Dent”, teksa pozitën e drejtorit të ordinancës ia ka kaluar bashkëshortit të saj, Muhamed Çeshko.

Sipas të dhënave të publikuara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), emri i Ajla Zymberi-Çeshkos figuron ende si përfaqësuese e klinikës  “Amsar Dent” – e cila ndodhet në lagjen Kalabria në Prishtinë.

Ligji për Konfliktin e Interesit e parasheh që zyrtari i lartë, që është pronari i aksioneve, gjegjësisht pjesës së kapitalit në një ndërmarrje, gjatë ushtrimit të funksionit publik, duhet t’i transferojë të drejtat e administrimit ose menaxhimit, apo drejtimit tё ndërmarrjes tek ndonjë person i besuar.

Sipas këtij ligji, pronari e ruan të drejtën e përfitimit por nuk  mund të ushtrojë vetë asnjë
veprim tjetër mbi këtë pronë.

“Zotërimi pasiv i aksioneve ose i pjesëve në kapital – gjendja në të cilën pronari ruan të drejtën e përfitimit të fryteve të pronësisë, por nuk mund të ushtrojë vetë asnjë veprim tjetër mbi këtë pronë. Të gjitha veprimet e tjera si administrimi apo menaxhimi dhe drejtimi i ndërmarrjes kryhen nga personi i besuar nga pronari në emër të vet por për llogari të zyrtarit të lartë mbi bazën e një marrëveshje të lidhur ndërmjet tyre”, thuhet në këtë ligj.

Klinika “Amsar Dent” ishte licencuar për herë të parë në vitin 2009, por siç ka mësuar Insajderi nga burime brenda Ministrisë së Shëndetësisë, ajo është rilicencuar sërish pas qershorit të vitit 2017 – kur Zymberi-Çeshko ishte zgjedhur inspektore.

Insajderi ka kontaktuar me Ajla Zymberi-Çeshkon, lidhur me këtë çështje. E pyetur rreth rilicencimit të klinikës të cilën ajo e ka themeluar dhe situatës së konfliktit të interesit në këtë rast, Zymberi-Çeshko ka zgjedhur të mos flas zyrtarisht. Ka thënë se nuk dëshiron ta komentojë këtë çështje.

As Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë sqarime lidhur me këtë rast, ndonëse gazeta ka dërguar pyetje në adresë të saj rreth një javë më parë.

Anti-Korrupsioni heton Ajla Zymberi-Çeshkon për konflikt interesi

Pas interesimit të Gazetës Online Insajderi lidhur me rastin e inspektores shëndetësore Ajla Zymberi-Çeshko, Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) ka nisur hetime ndaj saj për mundësinë e konfliktit të interesit.

Në një përgjigje me shkrim për Insajderin, Anti-korrupsioni ka bërë të ditur se do ta trajtojë rastin e inspektores Zymberi-Çeshko.

“Agjencia Kundër Korrupsionit ju njofton se informatën në fjalë e ka pranuar”, thuhet në përgjigjen e Anti-korrupsionit, teksa vazhdon:

“Konform dispozitave të Ligjit Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, Nenit 20 të Ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetin përgjegjës në Ministrinë e Shëndetësisë, situatën e mundshme të konfliktit të interesit në rastin konkret do ta shqyrtojë dhe trajtojë në vazhdim”, thuhet në përgjigjen e AKK-së. /Insajderi.com