Rreth 2 milionë euro bëhen gati për kompaninë e të afërmve të Sami Lushtakut

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka paralajmëruar se javën e ardhshme do të nënshkruajë kontratë milionëshe me kompaninë “Security Code”, të udhëhequr nga njerëzit e rrethit të ngushtë të Sami Lushtakut

Rreth 2 milionë euro bëhen gati për kompaninë e të afërmve të Sami Lushtakut

Historia e kontratave milionëshe të lidhura mes Agjencisë së Privatizimit dhe kompanisë së të afërmve të Sami Lushtakut i ka bërë gjashtë vjet.

Agjencia e Privatizimit parasheh që partneriteti milionësh me kompaninë e sigurimit fizik “Security Code”, të udhëhequr nga afërmit e këtij politikani të zgjasë edhe për dy vjet.

Ky institucion ka vepruar kështu për çdo dy vjet, duke e kontraktuar të njëjtën kompani për të ruajtur zyrat dhe pasuritë shoqërore nën administrim të AKP-së.

Njoftimi i fundit për veprimin e ngjashëm është publikuar dje, më 20 tetor të këtij viti. Është publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Aty  tregohet se Agjencia e Privatizimit ka përzgjedhur kompaninë “Security Code”, për shkak të plotësimit të këtij kriteri: çmimi më i lirë i ofruar në këtë aktivitet prokurimi.

Në garë ishin edhe tre konkurrentë tjerë.  Kohëzgjatja e kontratës është dy vjeçare dhe oferta e “Security Code”, peshon deri në 1 milionë e 905 mijë euro.

Bazuar në njoftimin e publikuar në KRPP, kompania e Lushtakut kërkoi 2 euro e 10 cent për një orë punë, ndërsa kompania që kishte ofertën më të lartë në tenderë kërkonte 2 euro e 28 cent.

Kontrata mes palëve parashihet të nënshkruhet më 27 tetor të këtij viti, të enjten e javës së ardhshme.

Kompania “Security Code”, e cila pritet të nënshkruajë kontratën tradicionalisht është udhëhequr nga njerëz të afërt të kreut të Skënderajit.

Fillimisht pronar të kësaj kompanie ishin Milazim Lushtaku, djali i vëllait të Sami Lushtakut, dhe Esat Tahiri, ish-truprojë e kreut të Skënderajt.

Aktualisht në regjistrin e biznesit pronarë të kompanisë figurojnë dy veta tjerë: Ukshin Lushtaku, vëllai i Samiut dhe Valdrin Tahiri, djali i Esat Tahirit.

Megjithatë Esat Tahiri, ndonëse nuk figuron më si pronar, ai në njoftimin për dhënie kontrate të publikuar në KRPP figuron si person kontaktues për këtë tender milionësh.

Kompania fitoi qindra mijëra euro  nga tenderët e negociuar

Mbrapa kompanisë së preferuar nga Agjencia e Privatizimit  dyshohet se qëndron kryetari i fuqishëm i Skenderajt, Sami Lushtaku.

Mbi të rëndon aktakuza se ka kërcënuar Arben Gjukajn, drejtorin e KEK-ut, për të vendosur në favor të kësaj kompanie. Kompania kishte fituar tender në vlerë prej rreth 6 milionë eurosh nga KEK-u.

Ndërkaq, në të njëjtin proces gjyqësor akuzohen për mashtrim dy drejtuesit e kompanisë Esat Tahiri e Milazim Lushtaku.

Kjo kompani gjatë këtij viti ka fituar nga dy tenderë të negociuar që peshojnë nga mbi 200 mijë euro.

Insajderi pati raportuar në muajin maj se Agjencia Kosovare e Privatizimit fillimisht kishte shpallur tender të hapur për të kontraktuar një kompani të sigurimit fizik për ruajtjen e objektit të zyrës qendrore dhe objekteve të  ndërmarrjeve shoqërore nën administrim të shtetit.

Tenderi ishte hapur më 8 dhjetor të vitit 2015. Në faqen zyrtare të AKP-së dhe të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik nuk figuron asnjë njoftim zyrtar që tregon se tenderi i hapur është anuluar.

Por figuron vetëm njoftimi i datës 6 maj 2016 që tregon se kompania “Security Code” është shpallur fitues në tender nëpërmjet procedurës së negociuar.

Bazuar në këtë njoftim, kompania do të paguhet në vlerë prej 270 mijë e 250 euro për një periudhë tre mujore. Ngjashëm kishte ndodhur edhe në muajin gusht të këtij viti.

Kompania e Lushtakut fiton edhe 270 mijë euro nga shteti

Shkeljet e raportuara nga auditorët për milionat e fituara nga “Security Code”

Agjencia e Privatizimit tradicionalisht ka përzgjedhur për kontraktues kompanisë “Security Code”, përkundër vërejtjeve të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Për herë të parë ishte kontraktuar në shkurt të vitit 2010. Ishte dy vjeçare. Atëkohë, AKP-ja nuk kishte bërë publike shumën totale të kontratës.

Kur kishte skaduar validiteti i kontratës së parë, ishte kontraktuar sërish.

Kishte ndodhur në mars të vitit 2012 dhe kontrata kishte vlerën e mbi 1 milionë eurove.

Ngjashëm do të ndodhte edhe më 2014.  Kjo kompani kishte fituar sërish tenderin. Kohëzgjatja e kontratës ishte dy vite, deri më 2016. Vlera totale e saj kishte vlerën e 1 milionë e 800 mijë eurove.

Kompanitë tjera nuk fitonin në tenderë pasi që, sipas AKP-së,  në ofertat e tyre kishin llogaritur që të paguanin punëtorët nën shumën prej 230 eurosh në muaj.

Këtë kriter e kishte plotësuar  “Security Code”, i pati thënë Gazetës Jeta në Kosovë, Esat Tahiri, një prej drejtuesve të kompanisë.

Pikërisht në këtë pikë, kishin vërejtur parregullsi auditorët.

“Agjencia e Privatizimit nuk e kishte monitoruar kompaninë fituese nëse zbatonte në praktikë ofertën me të cilën e kishte fituar kontratën milionëshe. Për më tepër, AKP nuk kishte marrë siguri nga ofertuesi fitues se paga prej minimum 230€ në të vërtetë i paguhet të punësuarve”, thuhet në raportin e auditimit.

Auditorët kishin vërejtur parregullsi edhe në kontratat e viteve 2010 dhe 2012.

Për kontratën e vitit 2010, Auditori kishte konkluduar se AKP-ja nuk kishte kontroll funksional për të siguruar se pagesat përputhen me punën e kryer

Ndërkaq pas dy vitesh, më 2012, Agjencia e Privatizimit kishte paguar këtë kompani për shërbime të kryera pa pasur kontratë valide.

Drejtues të kësaj kompanie private dhe zyrtar të Agjencisë së Privatizimit kanë kundërshtuar në vazhdimësi konkludimet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm lidhur me kontratat e nënshkruara më 2010 dhe 2012. /Insajderi.com