Shantazhi i Milaim Zekës ndaj Mustafës që çoi në përplasjen e tyre në komisionin hetimor

Shantazhi i Milaim Zekës ndaj Mustafës që çoi në përplasjen e tyre në komisionin hetimor

Me përplasje ka nisur sot mbledhja e komisionit hetimor në lidhje me gjendjen në PTK, në të cilën po intervistohej ish-kryeshefi i Telekomit Agron Mustafa.

Mustafa fillimisht prezantoi një letër ndaj deputetit Milaim Zeka siç tha ai të deponuar në Agjencinë Kundër Korrupsion dhe në Kuvend.

Ai ka kërkuar largimin e Zekës nga komisioni, pasi sipas Mustafës, Zeka është përfitues e 100 mijë eurove nga Telekomi.

“Milaim Zeka ka interesa personale në Telekomin e Kosovës, i cili ka përvetësua fonde, 100 mijë euro ndër vite. Dhe për këtë arsye për shkak të konfliktit të interesit nuk mund të jetë pjesë e komisionit hetimor deputeti Zeka”, theksoi Mustafa duke shtuar se kjo letër është për shkak të kërcënimeve dhe shantazheve që janë bërë nga Zeka.

Zeka përmes mesazheve në Facebook e pati kërcenuar dhe shantazhuar Mustafën, lidhur me një shumë prej 50 mijë eurove të cilën ai e kërkonte si formë financimi nga Posta.

Insajderi para dy vitesh pati raportuar lidhur me këto mesazhe kërcënuese e shantazuese.

Milaim Zeka, fillimisht e kishte dorëzuar një projekt në PTK. Donte mbi 50 mijë euro donacion në emër të gazetarisë. Mirëpo, pas refuzimit të projektit, ai e kishte zhantazhuar ish -drejtorin Agron Mustafa duke i thënë se nëse nuk i jep para, do të shkruante për të.

Zeka, i kishte thënë Mustafës së “plotë skandale ia kishte fshehur” hatri i Kadri Veselit. Tash e tutje nuk do ta kursente më. Mustafa, nga ana tjetër i kishte thënë Zekës, se krejt çka ka për të t’i bëjë publike.

Zeka, që ka pasur në pronësi portalin “Pa rrotlla” dhe ka qenë autor i një emisioni të transmetuar në Radio Televizionin Publik, ka shantazhuar drejtorin e PTK-së, Agron Mustafa se nëse nuk ia jep një donacion pesë shifror “do të shkruaj që kapaku i kokës do t’i lëvizte”.

“Dije që kam shumë sene të randa për ty, që bash kapaku i kokës ka të livrit prej vendit. Tash e mas kena me fol përmes medieve, vazhdo ti me keqpërdor paranë publike qysh ty të teket, po nuk ka me të shku larg”, kishte kërcënuar Zeka, Agron Mustafën.

Shantazhin për përfitime financiare Zeka e ka kryer në dhjetor të vitit 2015. Paraprakisht, kishte dorëzuar një projekt në PTK-në të cilin donte ta mbështeste financiarisht kjo ndërmarrje publike.

Insajderi pati publikuar bisedat e Zekës më Mustafën nëpërmjet rrjetit social “Facebook”. Zeka, insiston se PTK-ja duhet t’i japë donacion atij e jo KTV-së e protalit Indeksonline.

Zeka që ka promovuar vetën si gazetar të ndershëm e pohon vetë se ka ndalur lajme kundër Agron Mustafës, hatri i Kadri Veselit. Por, pas refuzimit për t’i dhënë para, i thotë se do të shkruaj për të.

“Besoj që e kam merituar me ma dhanë një përgjigje për projekt që e kam dorëzua, ose po, ose jo. Plotë lajme i kam stopu hatri i tina, po nuk ke me mujt më lujtë me pare të qytetarëve të Kosovës, bash qysh të qohet ty k… Nuk ke lanë hajni pa i dhanë pare. Ti po mundohesh mi ble mediat. Dije që kam shumë sene të randa për ty, qe bash kapaku i kokës ka me të livritë prej vendit”, i kishte shkruar Zeka, Mustafës më më 15 dhjetor 2015 në ora 20 e 7 minuta.

Zeka vazhdon duke e shantazhuar Mustafën se tash e tutje do të flasin vetëm nëpërmjet medieve. E kërcënon se nuk “do t’i shkojë shumë larg”.

“Tash e mas kena me fol përmes medieve. Vazhdo ti me keqpërdor paranë publike qysh ty të teket po nuk ka me të shku larg. Ta dish që kam shumë sene të randa për ty, prej rrahjeve, kërcënimeve e deri tek maltretimi i femrave, të cilat ti i shantazhon dhe i dhunon edhe publikisht”, i shkruante Zeka, Mustafës.

Drejtori i PTK-së, në anën tjetër i kishte thënë Zekës së krejt çka ka për të t’i bëjë publike.

“Krejt çka ki Milaim, qysh s’t’kom thanë najherë mos me bo, urdhno dil në publik. Për tona që i ki. Se nuk bi pre e shantazheve dhe kërcënimeve tua të pareshtura që sa kohë”, i kishte tënë Mustafa, Zekës.

Udhëheqësi i emisionit “Pa rrotlla” i kishte thënë Mustafës së ai nuk di të shantazhojë, ani se në të njëjtën kohë e bënte një gjë të tillë.

“Unë nuk di me shantazhu, ti din. Ti që edhe Faton Shoshit edhe KTV-së i jep sponzorime, e mu jo sepse nuk ta marrë k… në gojë. Shantazh është kur dikujt ia krijon një histori falce, po jo kur e ke”, insistonte Zeka. “Ti je mësu me ble me njerëz jo me kriju partneritet me njerëz”.

“Shumë tu kanë rrit ty brinat, po kanë me tu sharrit”, kërcënonte Zeka.

Shantazhi i Milaim Zekës – ose më jep para, ose të kërset koka prej shkrimeve