Shpikja e banorëve në Hade dhe Shipitullë që me arra të përfitojnë nga shteti

Banorët e Hadës dhe Shipitullës në mungesë së lejeve për ndërtimin e shtëpive kanë shpikur një ide tjetër që gjatë shpronësimit të fitojnë sa më shumë para nga Qeveria e Kosovës. Në pjesën ku së shpejti pritet shpronësimi ata kanë filluar mbjelljen e arrave dhe hapjen e bunarëve në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë nga shteti i Kosovës.

Shpikja e banorëve në Hade dhe Shipitullë që me arra të përfitojnë nga shteti

Shaip Mjekiqi banor i fshatit Hade, është një bujk i çuditshëm. Ai kultivon një nga frytet e thata të lisit, që njihet si arrë por nuk planifikon asgjë sesi t’i shesë ato edhe pse ka mbjellë rreth 3 mijë trupa të arrave.

Nga shteti nuk pret subvencionim apo nga grandet e Ministrisë së Bujqësisë. Ai nuk brengoset nëse trupat e  mbjella do të japin ndonjëherë frytet. Për të është e rëndësishme që trupat e arrave të mbesin “në këmbë”. Vetëm të mos rrëzohen.

Me këtë “investim” që del të jetë një nga shpikjet më të reja tek grupet e interesit të qytetarëve sesi të përfitohet sa më shumë nga shteti, kur shteti ka interes për tokën tënde.

Madje ai është i sigurt se Qeveria e Kosovës do ta shpronësojë tokën e tij që gjendët në Zonën e shpallur me interes nacional për vendin.

70 ari tokë sa i ka Mjekiqi në Zonën kadastrale Hade dhe Shipitullë që është e përcaktuar t’i shërbejë KEK-ut për nxjerrjen e qymyrit, Mjekiqi ka vendosur të mbjellë arra.

Insajderi ishte në vendin e ngjarjes në punishten e Mjekiqit që është vetëm sa për sy e faqe, ku investimi në mbjelljen e trupave të arrave është bërë vetëm sa për t’ia rritur çmimin apo vlerën e tokës së tij, kur do të shpronësohet.

Çmimi i shpronësimit të tokave të përdorura nga qytetarët janë shumë më të shtrenjta sesa për shpronësimin e tokave të pa investuara në to. Këtë e di mirë edhe Mjekiqi. Nuk është hera e parë që ka përfituar nga shpronësimi. Ai kishte përfituar nga një proces i tillë, shuma të majme parash nga buxheti i shtetit, kur në fillim të këtij viti, kishte nisur faza e parë e shpronësimit në Hade dhe Shipitullë.

Ai i thotë Insajderit se tash në fazën e dytë pret edhe më shumë para nga shteti, pasi ka “investuar në arra”.

“Ky shpronësim ka me ndodhë deri tek mbi tokën time ku jemi tash, pra edhe kjo tokë tash do të shpronësohet në të ardhmen, tash për tash jemi duke i mbjellë këto arra”, thotë Mjekiqi teksa bënë me dorë në drejtim të 3 mijë trupave të arrave.

Megjithatë para kamerës së Insjaderit, Mjekiqi ka refuzuar të tregoj të vërtetën përse po mbjellë arra. Ai para kamerës thotë se po i mbjellë për nevoja personale, ndërsa më pas pranon se këto po i bëjnë për përfitime gjatë shpronësimit.

“Po i mbjellim me i ngrënë për nevojat tonat”, deklaronte ai, ndërsa më pas pranonte se mbjelljen e fidaneve të arrave po e bënë me qëllim të përftimit, teksa nuk ngurron të sqaroj se e gjithë ajo pjesë e paraparë për shpronësim është e mbjellur me trupa të arrave dhe ka hapur bunarë.

“Mundeni me dal nga ajo pjesë andej është krejt e mbjelltë me arra edhe e haptë me bunarë”, shpjegonte banori i Hadës dhe Shipitullës. Po ashtu ai sqaronte se sipas informacioneve që posedojnë banorët për një trup të arrës do të paguhen për 15 euro, ndërsa për një bunarë gjatë shpronësimit mund të paguhen nga 1 mijë e 500 euro deri në 2 mijë euro.

Këtu mund ta shikoni videon.

“Njëherë ka qenë plan të shpronësohet e gjithë fshati ndërsa më pas është vendosur që të shpronësohet deri tek këto arrat e mija që bëjnë pjesë në 120 hektar tokë që do të shpronësohen”, është shprehur ai.

Mjekiqi thotë se në bazë të informacioneve që ai posedon arra mund të paguhet varësisht nga madhësia e trupit të saj.

“Njëherë për njëherë nuk kemi informatë se sa do të paguhet apo si do të paguhet. Për ata që kanë pas të mbjellur diçka në tokë paguhet ekstra, shembull një arrë paguhet 15 euro, por varet nga madhësia e saj”, potencon Mjekiqi toka e të cilit bënë pjesë në pothuajse të gjitha arrat në këtë zonë që i janë bashkuar mbjelljes së arrave dhe hapjes së bunarëve me qëllim të përfitimit sa më të madh.

Shpikjen e përfituesve nuk e di askush

Por për gjithë këtë investim të banorëve të Hadës dhe Shipitullës nuk është në dijeni Inspektorati i Komunës së Obiliqit.

Burim Ismaili, drejtor në Inspektoratin e Komunës së Obiliqit thotë se për mbjellën e pemëve në atë zonë dhe hapjen e bunarëve nuk ka dëgjuar asnjëherë më parë. Ai thotë se nuk mund ta di nëse ky veprim i banorëve është i ligjshëm apo jo.

“Ne si drejtori e Inspektoratit nuk e kemi informata se janë duke u mbjellur pemë apo janë duke u hapur bunarë. Nuk mund ta konstatoj tash për tash nëse janë të ligjshme apo jo”, ka thënë Ismaili.

Ismaili thotë se në bazë të shpronësimit të fazës së parë do të paguhen banorët ekstra edhe për arrat e sapo mbjellura. Ai mendon kështu në bazë të shpronësimit të fazës së parë.

“Në të kaluarën janë paguar, por tash nuk e di nëse do të paguhen. Nuk i di saktë shumat që kanë qenë por e di saktë se janë paguar gjithçka çka është shpronësuar. Unë mendoj që nëse shpronësohen do të paguhen edhe për pemë, ndërsa për ndërtime i kemi ndalë”, ka deklaruar Ismaili për Insajderin.

Por jo vetëm Komuna e Obiliqit nuk di asgjë për këtë rast. Edhe Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë informacion për investimet e banorëve me qëllim të përftimit personal. Donjeta Gashi zyrtare për informim në Qeverinë Haradinaj, ka thënë se për këtë çështje është ngarkuar Ministria e Punëve të Brendshme, ajo e Planifikimit Hapësinor dhe Komuna e Obiliqit.

“Ministria e Punëve të Brendshme, ajo e Planifikimit Hapësinor dhe Komuna e Obiliqit ka tre muaj që kanë marrë obligim nga Qeveria për parandalimin e abuzimit me pronat që do të shpronësohen. Qeveria do të kërkoj raport të detajuar për çështjen në fjalë dhe për të cilin do ju njoftojmë”, ka deklaruar Gashi.

Në anën tjetër Korporata Energjetike e Kosovës, pas interesimit të Insajderit ka treguar se gjatë regjistrimit të pjesës lindore, në pjesën perëndimore më saktësisht në tokat bujqësore të pa banuara kanë vërejtur mbjellja e fidaneve dhe hapjen e bunarëve me qëllim të përfitimit nga procesi i shpronësimit.

“Gjate kësaj faze komisioni ka qenë i koncentruar në regjistrimin e pronave në pjesën lindore në të cilën kryesisht gjenden hapësirat e banuara. Për më tepër, KEK-u falënderon të gjithë banoret për sjelljen korrekte gjatë procesit të regjistrimit. Megjithatë, vlen të theksohet se përderisa komisioni ka qenë i përqendruar në regjistrimin e pjesës lindore, në pjesën perëndimore ku gjenden tokat kryesisht bujqësorë e të pa banuara, kemi vërejtur se disa individë të caktuar kanë filluar me mbjelljen e fidaneve dhe hapjen e puseve me qëllim përfitimi nga procesi i shpronësimit”, thuhet në një përgjigje të KEK-ut.

Më tej KEK-u thekson se menjëherë ka kërkuar nga Komuna e Obiliqit dhe Ministria e Planifikimit Hapësinorë të parandaloj shpikjen e banorëve që mund ta rëndoj ecurinë e zhvendosjes së banorëve.

“KEK-u menjëherë ka kërkuar (me shkresë zyrtare dhe fakte të bashkangjitura) nga institucionet relevante si Komuna dhe MMPH që të ndërmerren hapat e menjëhershëm në parandalimin e kësaj dukurie e cila mund të dëmtojë rëndë ecurinë e procesit të zhvendosjes që si pasoje do të ngritë në nivel të konsiderueshëm koston e prodhimit të energjisë elektrike”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut për Insajderin.

Aktualisht nuk dihet ende sa ka kushtuar deri më tani shpronësimi i banorëve të Hadës dhe Shipitullës si dhe as sa do të kushtojë. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pranuar deri më tani pyetje në Kuvendin e Kosovës nga Arbërie Nagavci dhe Hykmete Bajrami për koston e shpronësimit, të cilat përgjigje nuk kanë marrë asnjëherë.

Sipas raportimeve në media shuma që besohet t’i ketë kushtuar buxhetit të shtetit, shpronësimi i banorëve të Hadës dhe Shipitullës në fazën e parë ka qenë rreth 25 milionë euro./Insajderi.com

Këtu mund ta shikoni videon.