Shteti mbylli 140 lokale të licencuara të lojërave të fatit, amnistoi ato të paligjshmet

Insajderi ka zbuluar prapaskenat e aksionit të autoriteteve shtetërore për mbylljen e lokaleve të lojërave të fatit. E vërteta e rezultateve të këtij aksioni është tjetër. Nuk është ashtu siç e kanë paraqitur autoritetet shtetërore. Të dhënat që ka siguruar gazeta, tregojnë se shumica e lokaleve të mbyllura kanë funksionuar me leje.

Shteti mbylli 140 lokale të licencuara të lojërave të fatit, amnistoi ato të paligjshmet

Nga 235 lokale të lojërave të fatit të cilat i kontrolloi Administrata Tatimore e Kosovës në një aksion më 22 mars, i mbylli 183 të tilla me arsyetimin se të gjitha këto biznese funksiononin pa licencë.

Aksioni i përbashkët i ATK-së, Policisë së Kosovës dhe disa institucioneve të tjera shtetërore u paraqit në publik si një nga aksionet më të suksseshme kundër bizneseve të paligjshme të lojërave të fatit që është ndërmarrë ndonjëherë në vend.

Mirëpo, të dhënat e paraqitura në publik nga institucionet e përfshirë në këtë aksion kanë dallim me të dhënat e sakta.

Insajderi ka zbuluar prapaskenat e këtij aksioni, i cili dyshohet të jetë në kundërshtim me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës. Sipas të dhënave që ka siguruar gazeta, nga 183 lokalet e mbyllura nga ATK-ja më 22 mars, 140 prej tyre kanë funksionuar me licencë; përfshirë edhe 5 lokale të Lotarisë së Kosovës – po ashtu të licencuara.

“Nga 183 të mbyllura 140 janë mbyll me licenca, plus 5 të Lotarisë së Kosovës, plus 34 që janë kanë të zbrasta në momentin e kontrollës (pa paisje në lokal) dhe 4 pa licenca”, i ka thënë Insajderit një burim brenda ATK-së.

Nga këto të dhëna, konstatohet se vetëm 15 nga 183 lokalet e lojërave të fatit, të mbyllura nga ATK, kanë funksionuar pa licencë.

Ndërkaq, ATK ka insistuar se në momentin e ndërmarrjes së aksionit ndaj bizneseve të lojërave të fatit, vetëm 46 lokale kanë qenë të licensuara për të ushtruar veprimtari sipas ligjeve në fuqi, raporton Insajderi.

“Gjatë kohës kur është marr aksioni për mbylljen e lokalëve me date 22.03.2019 kanë qenë 46 subjektet të licencuara të lojërave të fatit 23 subjektet me Baste, 17 subjekte me Automate dhe 6 subjekte me Bingo totali gjithsej 46”, ka thënë për Insajderin, Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse e ATK-së.

Po ashtu, sipas përgjigjeve të Administratës Tatimore, me mbylljen e 183 lokaleve të lojërave të fatit janë konfiskuar “193 pajisje të kësaj veprimtarie”.

“Në aksionin e datës 22.03.2019 janë mbyllur 183 lokale të lojërave të fatit dhe janë konfiskuar 193 pajisje të kësaj veprimtarie, prej këtyre 16 automate janë pa licence.Numri i lokaleve të kontrolluara ka qenë 235”, thuhet në përgjigjen me shkrim të ATK-së për gazetën.

E, të dhëna të tjera ka prezantuar Policia e Kosovës, në një njoftim për media para rreth dy javësh. Ka thënë se në aksionin e 22 marsit janë kontrolluar 235 lokale, dhe janë mbyllur 222 prej tyre.

“Gjithashtu gjatë këtij plani janë sekuestruar 202 aparate të ndryshme të lojërave të fatit, një tavolinë rolet, 32441 €, 850$, 150 Franga”, kishte thënë Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media.

Insajderi raportoi disa javë më parë për padijeninë e Administratës Tatimore të Kosovës në lidhje me aksionin e 22 marsit, ku ishte i përfshirë edhe ky institucion.

ATK nuk e di pse i mbylli qindra biznese të lojërave të fatit.

Rreth dy javë pas këtij aksioni të përbashkët të Policisë së Kosovës, ATK-së dhe Prokurorisë së Shtetit, ATK nuk e pati asnjë shpjegim se prej nga erdhi urdhri për bastisjen e lokaleve të lojërave të fatit.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) nuk ka qenë në gjendje të japë sqarim se me çfarë urdhri janë mbyllur qindra biznese të lojërave të fatit. Në një përgjigje për Insajderin, ATK ia ka faturuar Policisë së Kosovës të gjithë aksionin e 22 marsit, ndonëse edhe 161 zyrtarë të Administratës Tatimore kishin marrë pjesë në aksion.

“Aksioni i datës 22 Mars 2019 ka qenë aksion i Policisë së Kosoves, dhe për çdo informacion rreth këtij aksioni mund të adresoheni ne polici. ATK vetëm ka mbështetur këtë aksion”, thuhet në një përgjigje me shkrim të ATK-së për Gazetën Online Insajderi.

Operacioni i 22 marsit ka përfshirë mbi 1 mijë zyrtarë të ndryshëm qoftë të policisë së Kosovës, Doganës dhe ATK-së.

Konkretisht 950 zyrtarë policorë, 161 zyrtarë të ATK-së dhe 77 të Doganës së Kosovës morën pjesë në këtë aksion. /Insajderi.com