fbpx

Skandali i Dekanit të Ndërtimtarisë  

Dy veprime të Naser Kabashit, dekanit të Fakultetit të Ndërtimtarisë, nxitën pakënaqësi tek disa firma konkurrente në tenderin që peshon rreth 7 milionë euro. Kabashi nga pozita e dekanit rekomandonte anëtarë për komisionin vlerësues të tenderit ndërsa në prapaskenë, biznesi i tij, nënshkroi marrëveshje me firmat konkurrente. Ministria e Shëndetësisë shpalli fitues të tenderit kompaninë “Al Trade”, që ka marrëveshje me biznesin e Kabashit.  

Skandali i Dekanit të Ndërtimtarisë   

Naser Kabashi, dekan i Fakultetit të Ndërtimtarisë, është përfshirë në një skemë të dyshimtë në tenderin multi milionësh të Ministrisë së Shëndetësisë për ndërtimin e objektit të Klinikës Emergjente.

Ai në cilësinë e dekanit i ka rekomanduar dy veta për anëtarë të komisionit vlerësues të tenderit. Rekomandimin e ka bërë me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Por në prapaskenë vetë Kabashi kishte interes biznesor në këtë tenderë publik. Është aksionar në laboratorin IBMS.

Firmat konkurrente në tenderët e ndërtimit janë të obliguara që të kenë marrëveshje me një laborator që është i certifikuar për të bërë testimin e materialeve ndërtimore.

Dy prej firmave konkurrente-“Olti Trasing” dhe “Al Trade – kanë marrëveshje bashkëpunimi me laboratorin e Kabashit.

Insajderi.com ka siguruar marrëveshjen që laboratori IBMS ka nënshkruar me firmën “Olti Trasing”, më datën 5 qershor të vitit 2015.

Olti

Insajderi.com, po ashtu, ka siguruar edhe marrëveshjen me firmën “Al Trade”, që është nënshkruar më 21 maj 2015.

al trade

Ky tender është anuluar dy herë. Fillimisht, më 21 shtator 2015, ishte shpallur fitues kompania “Olti Trasing”. Herën e dytë, më 26 nëntor 2015, ishte shpallur fitues kompania “Çlirimi”. Ishte anuluar sërish.

Anulimet janë bërë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit që ka konkluduar se Ministria e Shëndetësisë ka shpallur fitues kompani që nuk kanë plotësuar kushtet.

Herën e tretë, më datën 5 shkurt 2016, është shpallur fitues kompania “Al Trade”. Oferta e kësaj kompanie peshon 7 milionë e 968 mijë e 844 euro.

Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka dhënë përgjigje nëse ishte e njoftuar me faktin se kompania e Kabashit kishte interes afarist në këtë tender.

Por lidhur me këtë kishte dhënë përgjigje një zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë gjatë seancës që zhvillohej në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Në vendimin e OSHP-së, të publikuar më 12 janar të këtij viti, thuhet se disa kompani që garuan në këtë tender ngritën si shqetësim vendimin e MSH-së për të kërkuar ndihmë nga dekani Kabashi.

Ish-kryetari i OSHP-së, Hysni Hoxha, kishte kërkuar nga zyrtari i ministrisë, i pranishëm në seancë, që të jepte një koment lidhur me këtë ankesë.

Berat Marmullaku, zyrtar i prokurimit, deklaroi se ministria i është drejtuar Kabashit në cilësinë e personit zyrtar e jo personit privat.

Ndërsa Kabashi, i kontaktuar nga Insajderi.com, ka deklaruar se nuk mund të bëhet lidhje mes veprimeve të tij si dekan dhe vendimeve që merren në IBMS, biznesin ku është aksionar.

Insajderi.com ka siguruar kërkesën që Ministria i ka bërë Kabashit.

Bazuar në përmbajtjen e kërkesës del se Kabashi ishte i informuar për tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Siç jeni në dijeni Ministria e Shëndetësisë aktualisht ka në procese të ri-vlerësimit tenderin “Ndërtimi i Qendrës Emergjente ne QKUK. Ju lutem të na dërgoni dy propozime për anëtar të komisionit (njëri inxhinier i arkitekturës kurse tjetri inxhinier i ndërtimtarisë). Ju lutem të më lejoni të ju falënderoj për mbështetjen e Juaj të vazhdueshme”, thuhet në kërkesën që i është bërë nga Zyra e Prokurimit.

Letra

Kabashi, me gjithë përmbajtjen e kësaj shkrese, insiston se nuk është i informuar dhe se nuk i kanë interesuar asnjëherë procedurat e prokurimit në këtë tenderë.

“Kur unë kam propozuar komisionin as që më ka interesuar se kush konkurron dhe për çka bëhet fjalë dhe nuk kam e obligim të informohem për procedurat e mëtejme të aktivitetit të prokurimit”, deklaroi Kabashi.

Ai beson se e ka kryer me përgjegjësi punën e tij si dekan i fakultetit të ndërtimtarisë.

“Thjeshtë është përgjigje në kërkesën e parashtruar dhe mendoi është obligim institucional”, ka thënë ai.

Kabashi largon nga vetja përgjegjësinë për marrëveshjet e nënshkruara nga laboratori IBMS. Thotë se kjo është përgjegjësi e menaxherit të laboratorit.

“Sa i përket ndërlidhjes me IBMS, më duhet të sqaroj se kompanitë bëjnë marrëveshje bashkëpunimi me laboratorin (që është formalitet që kompanitë e kërkojnë). Menaxheri i IBMS-së mund të nënshkruajë marrëveshje me shumë kompani meqenëse aktiviteti i laboratorit është minor për aktivitetin e kompanisë së ndërtimit- është vetëm kontrollues i materialeve”, thotë Kabashi.

 

Ndonëse Kabashi nuk sheh ndërlidhje, këtë e parasheh ligji për parandalimin e konfliktit të interesit. Ky ligj kërkon shmangien e zyrtarëve nga gjendja e mundshme e konfliktit të interesit. Kjo thuhet qartësisht në nenin 7 që flet për parimet e veprimit dhe mos veprimit të zyrtarit të lartë.

“Zyrtari i lartë nuk duhet të lejojë që interesat e tij private të bien në konflikt me funksionin e tij. Ai duhet të shmang konfliktin e interesit pavarësisht nëse ai është real, apo i mundshëm”, thuhet në pikën 8 të këtij neni.