Insajderi ka siguruar listën e plotë të zyrtarëve policorë që dyshohet se mbajnë në mënyrë të dyshimtë edhe statusin e invalidit të luftës. Bëhet fjalë për 185 zyrtarë të Policisë së Kosovës të cilët po hetohen nga Prokuroria dhe IPK-ja. Në mesin e tyre ndodhet edhe emri i Vesel Veselit, që dyshohet se abuzoi seksualisht me një nxënëse 16-vjeçare nga Drenasi.
Kanë kaluar gati 20 vjet e në Policinë e Kosovës vazhdojnë të shërbejnë zyrtarë që janë vetë deklaruar invalidë të luftës, ndonëse vitin e kaluar Prokuroria e Shtetit dhe Inspektorati Policor kishte hapur hetime për këta zyrtarë të dyshimtë.
Insajderi ka siguruar listën e plotë të zyrtarëve policorë që dyshohen se kanë fituar statusin e invalidit të luftës. Bëhet fjalë për 185 zyrtarë të Policisë së Kosovës të cilët po hetohen nga Prokuroria e Shtetit dhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).
Shumica e tyre kanë shkallën e invaliditetit 20 për qind, por ka të tillë që kanë edhe shkallë më të lartë. Ata ende po vazhdojnë të shërbejnë në Policinë e Kosovës, raporton Insajderi.
Përmes një hetimi që vitin e kaluar e kishte nisur ish-prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, dyshohej se rreth 200 zyrtarë të Policisë së Kosovës, në mënyrë të dyshimtë kishin fituar statusin e invalidit të luftës, me qëllim përfitimin e pensionit invalidor brenda institucionit të Policisë.
Prokuroria kishte njoftuar Inspektoratin Policor dhe kishte kërkuar nga ky institucion të ndërmarrin masa për suspendimin e këtyre zyrtarëve.
Ndërkaq, në Inspektoratin Policor të Kosovës nuk kanë dhënë asnjë sqarim lidhur me këtë çështje ndonëse gazeta ka pritur rreth dy javë për përgjigje.
Por, vitin e kaluar Inspektorati Policor i Kosovës, në korrik të vitit të kaluar, kishte njoftuar se i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e 94 zyrtarëve policorë të dyshuar si invalidë të luftës.
Dokumentacioni në të cilin ishte bazuar IPK-ja për të nxjerrë rekomandimin e tyre për suspendim, kanë qenë vërtetimet që këta pjesëtarë të Policisë kishin dërguar në institucionet kosovare për të fituar statusin e invalidit të luftës, gjatë procesit për identifikimin e veteranëve të UÇK-së.
Por, tash e një vit, Policia e Kosovës nuk ka marrë asnjë hap lidhur me këtë çështje.
Insajderi ka kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës në lidhje me invalidët e luftës brenda Policisë së Kosovës, por zëdhënësit e këtij institucioni kanë thënë se PK nuk mund t’i hetojë këta zyrtarë. Kanë thënë se për këtë çështje, ata duhet të marrin rekomandime nga IPK-ja para se të ndërmarrin hapa.
Në një intervistë dhënë T7 në muajin mars të këtij viti, drejtori i Policisë, Rashit Qalaj kishte konfirmuar kërkesën e IPK-së drejtuar Policisë për suspendimin e mbi 100 zyrtarëve të Policisë me status të invalidit të luftës.
“Një numër i madh kanë qenë me invaliditet të lartë, dhe për shkak të rrezikut për organizatën IPK ka kërkuar që të suspendohen..”, kishte thënë Qalaj.
Ashtu siç është kërkuar, Qalaj kishte bërë të ditur 148 ish-luftëtarët janë dërguar në kontrolle mjekësore.
“Menaxhmenti i policisë së Kosovës ka vendosur që të tërë… ekzaminimi ka dal që të gjithë këta janë shëndosh dhe mirë…”, kishte deklaruar ai.
E pas këtij procesi, të njëjtit po vazhdojnë të shërbejnë në këtë institucion. “Janë në punë sepse nuk paraqesin asnjë rrezik”, kishte pohuar drejtori i Policisë.
Edhe Vesel Veseli ndodhet në listë
Në mesin e zyrtarëve policorë që janë vetë deklaruar si invalidë të luftës, ndodhen punonjës administrativ e eprorë të këtij institucioni.
Në listën të cilën e ka siguruar Insajderi ndodhet edhe Vesel Veseli, polici nga Drenasi që shkaktoi skandalin më të madh të Policisë së Kosovës.
Veseli, i cili mbante postin e zëvendës shefit të hetimeve në Stacionin Policor në Drenas, dyshohet se kishte abuzuar seksualisht me një nxënëse nga Drenasi në vitin 2017.
Siç kishte raportuar Insajderi në shkurt të këtij viti, një nxënëse nën moshën 16-vjeçare nga Drenasi, kishte shkuar në polici për të denoncuar profesorin e saj, por në vend të gjetjes së ndihmës, ajo kishte gjetur një “padron” skllavërues policor.
Pas marrjes së deklaratës, fotografimit të zhveshur të viktimës dhe ekspertizës mjekoligjore, Vesel Veseli, nën kërcënim dhe shantazh e kishte detyruar të bënte seks me të.
Pas shfrytëzimit seksual për më shumë se një vjet, vajza kishte mbetur shtatzënë. Veseli e kishte detyruar vajzën ta abortonte në klinikën e gjinekologut, Fehmi Ahmeti në Prishtinë.
Historia e dhunës kishte marrë fund në shkurt të këtij viti kur Vesel Veseli ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.
Pas tre muajsh në paraburgim, Vesel Veseli u lirua nga paraburgimi në muajin maj. Tash e disa muaj është duke u mbrojtur në liri.
Lista e plotë e zyrtarëve policor që janë vetë deklaruar si invalidë të luftës: