Tenderi i dyshimtë 10 milionësh i ATK-së për kompaninë nga Armenia

Modernizimi i proceseve dhe sistemit teknologjik të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) ka mbetur pezull tash e dy vite shkaku i një tenderi 10 milionë eurosh; një procedure të dyshimtë në të cilën janë përfshirë dy konsorciume të huaja 

Tenderi i dyshimtë 10 milionësh i ATK-së për kompaninë nga Armenia
Burimi i fotografisë: Vahram Merangulyan, pronar i firmës 'IUNetworks LLC' - 23.11.2019 - 14:18

Më 25 shtator, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) shpërbleu me kontratë të majme një konsorcium nga Armenia, pas një procedure tenderuese që zgjati më shumë se dy vite. 

Mirëpo, përpjekjet e ATK-së për të modernizuar proceset dhe sistemin e teknologjisë informative të administratës nuk kanë përfunduar ende me sukses. Shkak është një procedurë tenderuese e tejzgjatur dhe dyshimet mbi parregullsitë që e kanë shoqëruar atë. 

ATK ndau 10 milionë euro më 28 gusht të vitit 2017 – kur nisi zyrtarisht procedura tenderuese – për “Modernizimin e Sistemit të Teknologjisë Informative për Nevoja të AK-së”, përmes një procedure konkurruese me negociata. 

Gjashtë konsorciume iu përgjigjën ftesës së ATK-së për aplikim në këtë tender, i cili u zhvillua përmes tri procedurave: të parakualifikimit, të tenderimit dhe të negociatave. Vetëm dy – një armen dhe një austriak – kaluan deri në fazën e tretë.

Konsorciumi fitues nga Armenia kryesohet nga firma “IUNetworks”, derisa përbëhet edhe nga dy kompani të tjera: “Mikrobiz”, “PBC Sh.P.K dhe “Tax Accounting Group”.

“IUNetworks” është firmë me bazë në Yerevan të Armenisë, me mbi 250 të punësuar, e cila udhëhiqet nga biznesmeni armen, Vahram Merangulyan. 

Ndërkaq, konsorciumi austriak përbëhet nga firma austriake “Qualysoft Gmbh”, si dhe firmat: “WedoIT Solutions”, “Infinica”, “Infosoft System” e “Ikub Info”. 

Në një njoftim për dhënie të kontratës më 25 shtator të këtij viti, ATK shpalli fitues konsorciumin armen ndonëse oferta e këtij grupi kompanish kishte çmim më të shtrenjtë se sa oferta e konsorciumit austriak. 

Dallimi mes çmimit të ofertave ishte rreth 270 mijë euro. Oferta e konsorciumit fitues ka vlerë prej 9,793,561.00 euro, ndërkaq oferta e konsorciumit austriak ka vlerë prej saktësisht 9,500,000.00 euro. 


Dosja e tenderit për “modernizimin e sistemit të teknologjisë informative” të ATK-së

Megjithatë, sipas dosjes së tenderit në të cilën është shpallur fituese konsorciumi i udhëhequr nga firma armene “IUNetworks LLC”, Administrata Tatimore të Kosovës e ka cilësuar si të papërgjegjshme ofertën e konsorciumit austriak – ndonëse ky konsorcium ofroi çmim rreth 300 mijë eurosh më të volitshëm sesa koncorsiumi fitues.

Disa ditë pas eliminimit nga tenderi, më 14 tetor, konsorciumi austriak – i kryesuar nga firma “Qualysoft Gmbh” – është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OshP). 

Të mërkurën e 20 nëntorit, gjykata e tenderëve ka marrë vendim pro ankesës së konserciumit austriak dhe kundër dhënies së tenderit për konsorciumin armen. 

“Aprovohet si pjesërisht e bazuar ankesa e grupit të operatorëve ekonomikë ‘Qualysoft Gmbh’, ‘Infinica Gmbh’, ‘Infosoft systems’ dhe ‘ikubINFO’ lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull: ‘modernizimi i Sistemit të Teknologjisë Informative sipas kërkesave të AK-së’”, thuhet në vendimin e OShP-së. 

Konsorciumi austriak: Ofruam çmim 300 mijë euro më të ulët sesa fituesi 

Konsorciumi i kryesuar nga firma austriake “Qualysoft Gmbh”, në ankesën që ka deponuar në gjykatën e tenderëve, pretendon se ATK ka shkelur tri nene të Ligjit të Prokurimit Publik në rastin e dhënies së kontratës 10 milionë euroshe. 

Në ankesën të cilën e ka siguruar Gazeta Online Insajderi, konsorciumi austriak vë në pah parregullsi të pretenduara të Administratës Tatimore të Kosovës përgjatë procedurës tenderuese dhe përparësitë e ofertës së saj në raport me ofertat e firmave të tjera konkurruese. 

Në njoftimin për dhënie kontrate, të datës 25 shtator, Administrata Tatimore e Kosovës rendit rreth 200 arsye për eliminimin e konsorciumit të kryesuar nga “Qualysoft Gmbh”. E cilëson të papërgjegjshme ofertën e këtyre firmave.

Mirëpo, ndryshe thotë konsorciumi austriak. Thekson se ekzistojnë vetëm dy arsye kryesore për eliminimin e saj nga gara. 

“E para: Gjatë demonstrimit të softuerit ATK ka kërkuar që ai pothuajse të jetë i gatshëm dhe kjo është e pamundur pasi që ne nuk mund ta kishim kostumizuar 100 për qind pa e ditur nëse do ta fitojmë apo jo tenderin”, thuhet në ankesën e “Qualysoft Gmbh” dhe tri firmave të tjera, teksa vazhdon:

“E dyta: Pyetjet e dërguara kanë qenë të drejtuara në atë formë ndaj nesh që ATK e ka ditur se ne nuk mund të përgjigjemi me Po ose Jo, pasi që zgjidhjet në teknologjinë informative janë të ndryshme, dhe ne me metoda të tjera arrijmë tek rezultatet të cilat i ka kërkuar ATK-ja”, thuhet tutje në ankesë.


Vendimi i OShP-së për tenderin milionësh të ATK-së

Përparësi e madhe e ofertës së konsorciumit austriak, siç pretendohet në ankesë, është çmimi më i volitshëm për 300 mijë euro i ofertës së tyre.

Ky konsorcium pretendon se ekziston edhe një përparësi tjetër e rëndësishme e ofertës së tyre, kundrejt asaj të konsorciumit fitues. 

“Oferta jonë është më e lirë për nga çmimi për afro 300 mijë euro dhe softueri i ynë është aktualisht në përdorim në Shqipëri dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Pra ky softuer është i dëshmuar dhe në funksionim të plotë me referenca reale, të cilat janë njohur edhe nga organizatat kredibile evropiane”, pretendon konsorciumi i eliminuar nga tenderi i ATK-së.

“Qualysoft Gmbh” është një firmë austriake me bazë në Vjenë, e cila udhëhiqet nga Stefan Resl. Pjesë e konsorciumit të kryesuar nga kjo kompani janë edhe një kompani me bazë në Prishtinë, “Infosoft Systems” dhe një tjetër me bazë në Tiranë, “ikubINFO”. 

ATK thotë se shpërbleu “tenderin më të përgjegjshëm me çmimin më të ulët” 

Konsorciumi armen ka plotësuar kriteret e kërkuara në kontratën për “Modernizimin e Sistemit të Teknologjisë Informative të ATK-së”, ka thënë Administrata Tatimore e Kosovës. 

Institucioni i tatimeve, në një përgjigje për Gazetën Insajderi, është shprehur e bindur në përzgjedhjen e kompanisë së duhur për modernizimin e proceseve dhe sistemit teknologjik të ATK-së. Ka thënë se oferta e konsorciumit armen është shpallur fituese e tenderit, shkaku i “përgjegjshmërisë” së ofertës së saj. 

“Autoriteti kontraktues ka shpërblyer me njoftim për dhënie të kontratës tenderin e përgjegjshëm me çmimin më të ulët, duke respektuar kriterin për dhënie të kontratës”, ka thënë në një përgjigje për Insajderin, Zyra për Komunikim e ATK-së.

ATK ka deklaruar se, sipas vlerësimit të një komisioni profesional, tenderi prej afër 10 milionë eurosh nuk ka mundur t’i takojë konsorciumit austriak, i cili “është dorëzuar i papërgjegjshëm sepse nuk ka plotësuar specifikimet teknike të kërkuara në dosjen e tenderit”.

Në lidhje me stërzgjatjen e procedurave, Administrata Tatimore e Kosovës është arsyetuar me specifikat e tenderit. 

“Aktiviteti për lëndën në fjalë ka qenë kompleks dhe me specifika të veçanta”, i ka thënë ATK, Gazetës Online Insajderi. “Procedura e ndjekur është Procedurë konkurruese me negociata  e  zhvilluar në tri faza”.

ATK ka më shumë se dy vite që përpiqet të modernizojë sistemin e teknologjisë informative të saj, që ka mbetur i vjetërsuar. 

Qëllimi bazë i këtij projekti është modernizimi i proceseve biznesore, lehtësirave per përmbushjen e tatimeve nga tatimpaguesit, ofrimi i shërbimeve elektronike me synim zëvendësimin e shërbimeve me letër.

Gjithashtu, procesi pritet të lehtësojë menaxhimin e proceseve ne mënyrë me efikase dhe inteligjente. /Insajderi.com