Dëshmitarët: Transport serbësh e prostitutash për në Shqipëri

Njëri dëshmitar pretendon se si në dy raste kishte dërguar kufoma serbësh të vrarë në Kosovë për t’i varrosur në Shqipëri. Disa trupa ishin varrosur në rrethinën e Kukësit, e disa në atë të Tropojës. Ky dëshmitar është zhdukur në vitin 2003. Dëshmitari tjetër ka folur për dërgim serbësh e prostitutash për të Burrel e Fushë-Krujë.

Dëshmitarët: Transport serbësh e prostitutash për në Shqipëri

Dëshmitari i parë për “trafikim të njerëzve” ka folur për kontigjentin e parë të të rrëmbyerve, nga marrja e tyre, deri tek dorëzimi.

Ai ka treguar se pasi kishin arritur në Prizren, kishte parë një grup të ndarë prej pesëmbëdhjetë serbësh të rrëmbyer.

“Në mesin e burrave që i njihja ishte Vlastimir Stevanoviq nga Prizreni. Ai kishte punuar si kamerier në klubin e ushtrisë në Prizren. Ishte tip thatanik, rreth të tridhjetave”, ka thënë dëshmitari para hetuesve të Hagës teksa ka përshkruar dukjen dhe veshjen e të rrëmbyerve. Ka thënë se pak prej tyre kishin uniformë.

“Më thanë se ishin pjesëtarë të rrëmbyer të Ushtrisë dhe MUP-së. Njërin prej ushtarëve të UÇK-së e pyeta se çfarë do të bënin me ta. Ai më tha se do të copëtonin dru në Shqipëri. Grupi kaloi në Shqipëri, nga Malet e Pashtrikut”, ka thënë ai.

Për vete ka thënë se kishte shkruar në Kukës nëpërmjet pikës kufitare të Morinit. Ka thënë se trafiku ishte i ngarkuar dhe askush nuk i kishte ndalur në kufi.

“Refugjatët po ktheheshin dhe kishte shumë kamionë që vinin dhe shkonin në të dyja anët. Në Kukës arritëm rreth orës katër të pasdites. U kthyem në drejtim të veriut dhe atje i dërgova serbët. Pastaj u kthyem në Prizren”, ka thënë ai në dëshminë e tij e cila është përmbledhur në raportin hetimor.

23 korrik 1999

Dëshmitari ka folur për një dërgesë tjetër të kryer më 23 korrik 1999. Ka thënë se këtë e kishte bërë me të njëjtin njerëz të UÇK-së që e kishte bërë udhëtimin e parë. Kishte udhëtuar me të njëjtin kamion.

“Kësaj herë shkuam më larg, sesa herën e parë, në rrugën drejt Suharekës. Ne arritëm rreth 1.5 kilometra para se të hyje në Suharekë. Pastaj u kthyem në të majtë, në një fshat përskaj rrugës. Atje na priti një grup i UÇK-së, të prirë nga I. T.”, ka thënë ai.

Ka treguar se kishte parë kufoma, të mbështjella në batanije të ushtrisë. Kundërmonin erë gjaku. Ka thënë se sapo ishin vrarë. Kishte edhe gra.

“Derisa trupat e pajetë po ngarkoheshin në kamion, pjesëtari i UÇK-së që ishte arrogant ma tha: ‘Këqyri mirë këta. Vëllau im kishte përfunduar në Trepçë”, ka thënë dëshmitari. Kjo deklaratë në raport shpjegohet se trupat e disa shqiptarëve të vrarë prej serbëve, ishin djegur në kompleksin industrial të Trepçës.

Ata kishin hedhur pluhur “Kapori”, që përdoret për dezinfektim dhe eliminimin e erës.

“Pastaj vazhduam të njëjtën rrugë drejt Kukësit. Aty arritëm rreth orës 12.30 të drekës. Kësaj herë u ktheva në drejtim të jugut. Ma merr mendja se trupat e pajetë ishin të personave nga rrethina e Suharekës, Gjilanit dhe Rahovecit”, ka thënë ai.

Ka treguar se atje kishin takuar një anëtar të Shërbimit Informativ të Kosovës me emrin E.C i cili sipas tij deri në vitin 1991, ka qenë në MUP-in serb në Prishtinë. “Njerëzit nga Golf 2 e shkarkuan kamionin. Ata përdoren përsëri maska dhe dorëza. Kur mbërritëm ne, 15 gropa tashmë ishin hapur. Dy trupa u hodhën në një gropë. Na u deshtë një orë e gjysmë për ta kryer punën”, ka thënë ai.

Vendi e ka përshkruar si të izoluar më shumë drunj.

Dëshmitari ka thënë se ishin kthyer sërish në Prizren për të vazhduar për në Pejë.

Dëshmitari ka folur për një dërgesë tjetër më 2 apo 3 gusht 1999. Pasdite kishte pranuar një telefonatë nga ai që e identifikon vazhdimisht si arrogant dhe i pasjellshëm.

“Më tha se duhet të transportoja një ngarkesë. Erdha në Kapishnicë të Pejës. Një kamion-frigorifer i tipit ‘Mercedes’ ishte aty”, pretendon ai.

Dera e kontejnerit ka thënë se ishte mbyllur me dry dhe zinxhirë. Ekipi ishte i njëjtë. Ai ka treguar se kishte shkruar në Tropojë nëpërmjet Morinit. Atje ka thënë se varret ishin të hapura. Për një orë e gjysmë ka thënë se kishin varrosur trupat e serbëve të vrarë.

“Kësaj herë ishte e vështirë për mua. Vendi ku ishin hapur varret ndodhej lart në male dhe rruga ishte e thepisur. Aty po na prisnin tre burra. Kësaj herë nuk e di se sa trupa të pajetë u hodhën në varre. Gjatë gjithë kohës qëndrova në kabinë”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmia e dëshmitarit të dytë

Dëshmitari i dytë anonim ka thënë se kishte udhëtuar të paktën dy herë për në Shqipëri, në atë që tashmë njihet si “shtëpia e verdhë”.

Udhëtimi i parë ka thënë se kishte ndodhur në tetor të 1998-ës. Ka thënë se kishte dërguar katër ose pesë serbë nga Kukësi në një shtëpi në jug të Burrelit. Ia kishte dorëzuar eprorit të UÇK-së, B. V. I njohur me nofkën kinezi.

Dëshmitari e ka përshkruar shtëpinë si kullë, si shtëpi të madhe tradicionale, të ndarë në dy pjesë. Ka thënë se shtëpia ndodhej në fund të një rruge të përbaltur, rreth njëzet minuta larg rrugës kryesore, në jug të Burrelit. Ai ka thënë se shtëpia ishte e ngjyrosur me një të verdhë të butë dhe pronari nuk ishte i të njëjtit fis si banorët tjerë të fshatit.

“Të rrëmbyerit ishin mbajtur në një kasolle prapa shtëpisë”, ka thënë dëshmitari. Dërgesa e dytë ka thënë se ishte kryer në maj, ose në fillim të qershorit të vitit 2000.

Ka thënë se kishte dërguar njëzet femra kryesisht sllavisht-folëse, nga Evropa Lindore dhe nga ish-Bashkimi Sovjetik, nga një lokacion në Shqipërinë Veriore në një shtëpi në veri të Burrelit.

Zhdukja e dëshmitarit

Dëshmitari e ka përshkruar kamionin pa dritare që nuk kishte ajrosje të mirë. Ka thënë se kur ishte hapur dera, ishte detyruar të ndihmonte shumë vajza, të cilat ishin pothuajse të asfiksuara.

Aty ka thënë se e kishte shkarkuar kamionin.

“Pesë femra ishin ndarë prej grupit dhe ishin dërguar në një shtëpi në jug të Burrelit”, thuhet në raportin hetimor.

Dëshmitari ka thënë se më vonë ishte urdhëruar të shoqëronte një makinë, që po bartte gjymtyrë trupi dhe organe në aeroportin e Rinasit, afër Tiranës. Ka thënë se ishte urdhëruar të kthehej prapë te shtëpia, që më vonë të ndihmonte varrosjen (ose rivarrosjen) e mbetjeve mortore, që ishin vënë në qese të zeza.

Raporti thotë se dëshmitari ka ofruar një tjetër përshkrim të shtëpisë, vendit përreth dhe në fund ishte udhëzuar nëpërmjet telefonit për të arritur deri tek zona.

“Kur i janë paraqitur fotografitë të dhjetë shtëpive të ndryshme, burimi e ka identifikuar shtëpinë e dyshimtë. Ka thënë se mbetjet mortore ishin varrosur në shumë lokacione afër shtëpisë”, thuhet në raport.

Dëshmitari është zhdukur në rrethinën e Klinës, në mars të 2003-ës. Prej atëherë nuk duhet më për fatin e tij.

Një anëtar i familjes së tij u ka thënë hetuesve se besojnë se ai ishte vrarë për shkak të borxheve të pashlyera.

“Familja nuk e ka gjetur trupin e tij dhe as nuk e ka raportuar zhdukjen e tij tek autoritetet, nga frika e hakmarrjes. Ne nuk kemi qenë në gjendje të sigurojmë një përshkrim të plotë të udhëtimeve të tij në shtëpinë/klinikë”, thuhet në raport.

Përshkrimi i udhëtimit

Dëshmitari ka thënë se për herë të parë ishte udhëtuar që të shkonte në Krivarekë, në mes të gushtit. Atje kishte marrë disa persona për t’i dërguar në Shqipëri.

“I mblodha këta njerëz, katër burra serbë. Ishte pasdite e vonë dhe ne shkuam për në Prizren”, ka thënë ai.

Në kabinë ka thënë se ishte me një ushtar të UÇK-së, derisa dy të tjerë i ruanin serbët, të cilët i kishin duart e lidhura pas shpine dhe ishin të lidhur për kamionin.

“I njihja ata djem, pasi që së bashku kishim qenë në UÇK. Serbët nuk i njihja. Serbët ishin në fund të njëzetave dhe në fillim të tridhjetave. Më dukeshin fshatarë, bazuar në pamjen dhe rrobat e tyre. Na thanë të mos flisnim me ta, por gjatë rrugës ata vazhdimisht na pyesnin se ku po i dërgonim”, ka thënë ai.

“Po ju dërgojmë të preni dru dhe të punoni në ferma”, u kishte thënë njëri, tregon dëshmitari.

Ai ka treguar se kishte marrë udhëzime për të mos i lënduar serbët.

“Në Prizren na thanë të mos i rrihnim të rrëmbyerit dhe t’i trajtonim mirë. Ishte hera e parë që dëgjoja një gjë të tillë dhe kjo më habiti, meqë më herët ne mund t’i rrihnim…”, ka thënë ai.

Udhëtimi për në Fushë- Krujë

Në vendin ku kishin fjetur në Prizren ka thënë se kishte shumë prostituta. Të nesërmen ka thënë se kishin shkuar në Shqipëri. Në kufi ka thënë se kishte shumë njerëz duke u kthyer në Kosovë. Ka thënë se kishin kaluar pa problem.

“Arritëm në Kukës, ku nuk qëndruam gjatë dhe shkuam në një vend të quajtur Bicaj. Aty u ndalëm dhe u takuam me dy persona me ngjyrë… mbase arabë…. Nuk jam fort i sigurt për nacionalitetin e tyre”, ka thënë dëshmitari.

Bashkë me ta ka thënë se kishin vazhduar për në Burrel, ku e kishin kaluar natën.

“Aty kishte më shumë femra, njerëz, serbë. Po mbaheshin në njëfarë depoje. Nuk jam i sigurt se sa njerëz ishin në atë depo, por dëgjova zëra. Ma merr mendja se ishin 6 apo 7, e mbase edhe dhjetë. I dëgjova ata duke folur serbisht”, pretendon ai.

Ditën tjetër ka thënë se i kishte dërguar në një shtëpi në Fushë-Krujë. Aty ka thënë se kishte parë mjek.

Në të gjitha udhëtimet ka thënë se u jepej një çantë me dokumente, të cilët i jepeshin mjekut kur të dorëzoheshim të rrëmbyerit.

“Ishte natë kur mbërritëm dhe po na prisnin disa njerëz. Ishte një mjek shqiptar. I shikoi të rrëmbyerit, posaçërisht pjesën e mesme të trupit dhe i pyeti nëse i kishin rrahur. Ne u tallëm me ta. Ata i morën, derisa unë shkova në një shtëpi tjetër për të fjetur. Ditën tjetër u ktheva në Kosovë”, ka thënë ai./Insajderi.com

Nesër: Udhëtimet tjera të dëshmitarit  #2.