Universiteti “politik” i Thaçit merr vendim kundërstatutar

Entuziazmi dhe ngutja asokohe e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për hapjen e universitetit "Ukshin Hoti" në Prizren, ka bërë që ky universitet të gjendet në situatë të palakmueshme. Madje, duke marrë edhe vendime kundër Statutit në mënyrë që të funksionojë.

Universiteti “politik” i Thaçit merr vendim kundërstatutar

Vendimi i fundit të cilin e ka marrë Këshilli Drejtues i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, ua ka mundësuar kandidimin dhe zgjedhjen në pozitën e dekanit edhe atyre personave që kanë gradën e ‘profesorit asistent’.

“Lejohet zgjedhja e dekanëve edhe me thirrje akademike profesor asistent, ata të cilët kanë përvojë pune të rregullt së paku tri vite në Arsimin e Lartë”, thuhet në vendimin e 20 marsit të këtij viti.

Këshilli Drejtues i Universitetit e ka arsyetuar shkeljen e Statutit, duke thënë se kanë mungesë të stafit me gradën e ‘profesorit të asocuar’, ashtu siç kërkohet.

“Duke pasur parasysh domosdoshmërinë për miratimin e vendimit i cili e lejon zgjedhjen e dekanëve edhe me thirrje akademike profesor asistent për shkak se Universiteti “Ukshin Hoti: nuk ka mësimdhënës të mjaftueshëm me thirrje akademike profesor të asocuar siç e kërkon neni 68 alineja 2 e Statutit të UPZ-së. Prandaj mbi këtë bazë, Këshilli Drejtues i Universitetit “Ukshin Hoti” vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Por, Statuti i UPZ “Ukshin Hoti” është i qartë, për pozitën e dekanit kërkon që kandidati të ketë së paku gradën e ‘profesorit të asocuar.

“Kandidati për postin e dekanit dhe prodekanit duhet të jenë individë me kualifikime relevante akademike dhe të kenë aftësi dhe përvojë në udhëheqje, së paku thirrjen e profesorit të asocuar”, thuhet në pikën 2 të nenit 68 të Statutit të UPZ-së.

Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Universiteti rreth kësaj situate, por deri më tani nuk ka kthyer përgjigje.

Qehaja: Ky vendim ka për qëllim sistemimin e njerëzve kundërligjshëm

Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard, ka thënë për Insajderin se Statuti i këtij Universiteti e specifikon shumë qartë gradën e personit për t’u zgjedhë në postin e dekanit.

“Zgjedhja e dekanëve sipas statutit të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, atë të nenit 68, bëhet nga Senati me 2/3 e votave dhe atë me propozim të Këshillit të Fakultetit, me pikët 2 të këtij neni që specifikon domosdoshmërinë që kandidati së paku të ketë thirrjen e profesorit të asocuar”, ka thënë Qehaja për Insajderin.

Sipas tij, në nenet e Statutit ku është mbështetur Këshilli Drejtues, nuk i japin kompetencë të tillë.

“Neni 17  dhe 23 të statutit të cilit sipërfaqësisht i referohet vendimi nga Këshilli Drejtues nuk i jep këtë kompetencë këshillit”, ka vlerësuar Qehaja.

Madje, një gjë e tillë, sipas Qehajes, mund të bëhet vetëm me ndryshimin e Statutit.

“Një përjashtim i tillë mund të vijë vetëm nëse Senati vendos që të ndryshojë Statutin, dhe assesi nga ndonjë organ tjetër me vendime ad-hoke – dekani i përzgjedhur në këtë formë është jo legjitim”, ka thënë Qehaja.

Ai ka thënë se situata sikurse kjo e vendimit të Këshillit Drejtues të UPZ-së, rikujton punësimet klanore që janë bërë nëpër universitete të tilla publike.

“Kjo situatë na rikujton punësimet klanore dhe partiake të bëra në këto universitete publike për tashmë vite me radhë, e që paturpësisht vazhdojnë të bëhen edhe me vendime të tilla publike dhe të kundërligjshme për të rehatuar individë pa kredenciale akademike”, ka thënë tutje Qehaja.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe ish-dekani i këtij Universiteti, Shkëlqim Millaku, i cili ka thënë se ky veprim është skandaloz.

“Këshilli drejtues nuk respekton Statutin. Këto zgjedhje do të jenë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Millaku në një reagim publik.

Ai ka thënë se vendimin do ta dërgojmë në organet kompetente për interpretim ligjor.

“Ky vendim do ta rrezikojë tërë procesin zgjedhor”, ka shtuar ai.

Për më tepër, Universiteti Publik i Prizrenit “Ukshin Hoti” ka nisur punën në vitin 2010 pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për themelim, në kohën kur Hashim Thaçi ishte kryeministër./Insajderi.com