Vëllai i ish-ministrit mori afër 5 mijë euro pagë nga shteti, pa shkuar në punë

Teksa këta qytetarët dhe opozita e kërkonin largimin e Nenad Rikalos gjatë mandatit të tij më shumë se dy vjeçar, ish-ministri i kishte bërë vend në institucionet shtetërore edhe vëllait të tij, Goranit. Insajderi ka siguruar dokumente që dëshmojnë se ish-ministri Rikalo e kishte punësuar si truprojë personale vëllain e tij, Goran Rikalon.

Vëllai i ish-ministrit mori afër 5 mijë euro pagë nga shteti, pa shkuar në punë

Vetëm një javë pasi Nenad Rikalo ishte emëruar ministër në kabinetin e Qeverisë Haradinaj në shtatorin e vitit 2017, figura e tij kishte ngjallur polemika tek qytetarët e opozita.

Rikalo, një pjesëtar i Listës Serbe, i cili nuk njihej shumë për aktivitetin e tij politik, në fakt mbahej mend për të kaluarën e tij gjatë luftës. Dhjetëra banorë të Prishtinës pretendonin se Rikalo i kishte maltretuar banorët shqiptarë të kryeqytetit gjatë luftës në Kosovë, më 1998-99.

Në këtë çështje – për të cilën Prokuroria Speciale e Kosovës nisi edhe hetime në fund të vitit 2017 – sipas banorëve të kryeqytetit, ishte i përfshirë edhe Goran Rikalo, vëllai i zyrtarit të Listës Serbe.

E teksa këta qytetarët dhe opozita e kërkonin largimin e Nenad Rikalos gjatë mandatit të tij më shumë se dy vjeçar, ish-ministri i kishte bërë vend në institucionet shtetërore edhe vëllait të tij, Goranit.

Insajderi ka siguruar dokumente që dëshmojnë se ish-ministri Rikalo e kishte punësuar si truprojë personale vëllain e tij, Goran Rikalon, në qershor të vitit të kaluar.

Në listën e pagave të Ministrisë së Bujqësisë, të cilën e ka siguruar Insajderi, dëshmohet se Goran Rikalo, i punësuar si truprojë e ish-ministrit Rikalo, merrte pagë nga shteti në vlerë prej 680 eurove në muaj pa qenë fare në Kosovë.

Ndonëse dokumenti i siguruar nga Insajderi dëshmon se Goran Rikalo merrte pagë prej 680 eurove nga Ministria e Bujqësisë, burime të Insajderit brenda kësaj ministrie kanë thënë se vëllai i ish-ministrit nuk punonte 40 orë në javë.

Madje, të njëjtat burime kanë pohuar se nuk e kishin parë Goran Rikalon asnjëherë në vendin e tij të punës.

“Ai jeton në Beograd. Anjëherë nuk e kemi parë në Ministri”, ka thënë për Insajderin një burim brenda Ministrisë.

E për të vërtetuar se Goran Rikalo, i cili kishte marrë pagë nga Ministria e Bujqësisë për 7 muaj (afër 5 mijë euro gjithsej), nuk e ka kryer punën për të cilën është paguar nga Qeveria e Kosovës, ekzistojnë dëshmi nga profili personal i Goran Rikalos në Facebook.

Përgjatë kohës sa ai do duhej ta kryente punën për të cilën paguhej nga paratë e taksapaguesve kosovarë, vëllai i ish-ministrit Rikalo duket se paratë e Qeverisë së Kosovës i shpenzonte diku tjetër. Ndonëse merrte pagë nga shteti i Kosovës, Goran Rikalo kryente pushime nëpër qytete italiane.

Siç dëshmohet nga fotografi të publikuara nga Goran Rikalo në rrjetin social Facebook, gjatë muajve korrik, tetor e nëntor, ai ndodhej në Itali. Në përshkrimin e njërës prej fotografive të publikuara nga Rikalo shkruante se ndodhej në pushime në qytezën bregdetare italiane, Peschiera del Garda.

“Pushime në Peschiera del Garda”, shkruante Goran Rikalo në Facebook, teksa në të njëjtën periudhë ai ishte i angazhuar si truprojë në Ministrinë e Bujqësisë.


Profili personal i Goran Rikalos, vëllait të ish-ministrit, Nenad Rikalo 

Insajderi ka tentuar të kontaktojë me Goran Rikalon dhe i ka dërguar pyetje atij, por vëllai i ish-ministrit të Bujqësisë nuk i është përgjigjur kërkesës së gazetës për sqarime lidhur me punësimin e tij si truprojë i vëllait të tij, ish-ministër.

Ministria nuk ofron dëshmi nëse vëllai i ish-ministrit shkoi ndonjëherë në punë

Ministria e Bujqësisë nuk ka ofruar dëshmi nëse Goran Rikalo, vëllai i ish-ministrit Rikalo, e ka kryer punën për të cilën është paguar nga Ministria në vlerë prej 680 eurove në muaj.

Në një përgjigje për Insajderin, Ministria ka thënë se “me prezencën e ministrit në ministri edhe përcjellësi Goran Rikallo konsiderojmë se ka qenë prezent” dhe ka konfirmuar se Goran Rikalo ka marrë pagë nga Qeveria e Kosovës prej qershorit të vitit 2018, deri në shkurt të vitit 2019.

Por, pavarësisht kërkesës së Insajderit për paraqitje të dëshmive lidhur me prezencën e rregullt të Goran Rikalos në Ministrinë e Bujqësisë, Ministria nuk ka ofruar asgjë përpos një përgjigjeje me shkrim.

“Goran Rikallo ka qenë i punësuar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si shofer /përcjellës i ministrit Nenad Rikallo nga data 11.06.2018 deri me Vendimin e ministrit për shkarkimin nga detyra të përcjellësit me datën  31.01.2019″, ka thënë Ministria e Bujqësisë.

“Me prezencën e ministrit në ministri edhe përcjellësi Goran Rikallo konsiderojmë se ka qenë prezent. Po ashtu, që nga muaji qershor 2018 deri me datën  31.01.2019 në listën e pagave, Goran Rikallo figuron me nënshkrimin e tij”.

Mijëra eurot që Nenad Rikalo i shpenzoi për dreka e darka

Mbi 10 mijë euro kanë shpenzuar gjatë vitit të kaluar ministri i i shkarkuar i Bujqësisë, Nenad Rikallo, për shpenzime të reprezentacionit, udhëtime jashtë vendit dhe mëditje.

Nenad Rikallo e zëvendësministrat Jeton Emini, Isni Kilaj, Shukri Maxhuni dhe Mevludin Krasniqi kanë shpenzuar mbi 10 mijë euro të taksapaguesve kosovarë për mëditje dhe udhëtime zyrtare jashtë vendit.

Sipas të dhënave zyrtare të cilat i ka siguruar Insajderi, ministri Rikallo – i shkarkuar në muajin shkurt të këtij viti – nuk është kursyer për udhëtimet zyrtare jashtë vendit. Ka harxhuar rreth 5 mijë euro për këtë kategori shpenzimesh.

Rikallo, po ashtu është paguar nga paratë e taksapaguesve kosovarë me 4 mijë e 388 euro për mëditje vetëm gjatë vitit 2018.

Përveç 10 mijë eurove në total që shpenzuan për mëditje dhe udhëtime jashtë vendit, ministri Rikallo dhe katër zëvendësat e tij kanë shpenzuar edhe rreth 5 mijë euro për shpenzime të reprezentacionit – dreka zyrtare e telefonata.

Rikallo, i vetëm ka shpenzuar mbi 5 mijë euro për dreka e darka zyrtare dhe telefonata. /Insajderi.com