Viti i bereqetshëm i dhëndrit të Nait Hasanit – pas 180 mijë eurove fiton edhe një subvencion nga shteti

Një projekt tjetër i Luan Kryeziut, dhëndrit të deputetit të PDK-së Nait Hasani ka fituar subvencion nga shteti i Kosovës. Pasi në shkurt Kryeziu kishte fituar 180 mijë euro, ai në mars të këtij viti ka marrë mbështetje edhe për një projekt tjetër filmik. I njëjti projekt është shpërblyer nga MKRS dhe Qendra Kinematografike.

Viti i bereqetshëm i dhëndrit të Nait Hasanit – pas 180 mijë eurove fiton edhe një subvencion nga shteti

Luan Kryeziu, dhëndëri i Nait Hasanit ka fituar përsëri para nga taksapaguesit e Kosovës për t’ia subvencionuar projektin filmik “Njeriu me këmishë”. Në mars të këtij viti, regjisori Kryeziu ka marrë lajmin e mirë se projekti i tij filmik do të subvencionet nga Ministria e Kulturës, Rinis dhe Sporteve (MRKS).

Me të njëjtin projekt, Kryeziu pas katër muajsh ka marr përkrahje edhe nga Qendra e Kinematografisë së Kosovës (QKK), e cila është në vartësi të MKRS-së.

Juria në përbërje të Arzana Kraja, Visar Krusha, Ilir Bajri, Bujar Luma, Lura Limani, Alban Muja, Besa Luci, mori vendim që të subvencionohet në kategorinë e Postproduksionit për film të metrazhit të gjatë artistik, projektin e dhëndrit të Hasanit.

“Njeriu me këmishë” vjen me skenar e regji të Luan Kryeziut, ndërsa producent ka Agron Kryeziun.

Ky projekt u financua në kuadër të konkursit për vitin 2019-të nga QKK, institucion ky që një vit më parë projektit “Lojë jete” të dhëndrit të Nait Hasanit nuk i kishte dhënë dritën jeshile për tu jetësuar.

Mirëpo “Lojë jete” kishte marrë një mbështetje më të fortë se QKK-ja. Ai projekt më 13 shkurt të këtij viti kishte gjetur mbështetje nga Qeveria e Kosovës, të cilët ia ndanë shumën prej 180 mijë eurove.

Ato para ishin ndarë nga rezervat shtetërore, ndërsa Qeveria shkeli Ligjin për Kinematografinë e Kosovës, sipas të cilit është Qendra Kinematografike e Kosovës ajo që i vlerëson projektet dhe vendos për subvencionimin e filmave me mjetet që ndahen nga shteti për këtë fushë, e jo Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Nait Hasani, asokohe, pati akuzuar mediet ku pati thënë se i vjen keq për nivelin e gazetarisë lidhur me raportimin e vendimit të dyshimit që dhëndëri i tij, regjisori Luan Kryeziu ka arritur ta “bind” Qeverinë e Kosovës t’i ndajë një subvencion në shumë prej 180 mijë euro nga rezervat e shtetërore.

Hasani, për Gazetën Insajderi kishte thënë se nuk është marr me këtë çështje dhe nuk ka pas asnjë kontakt lidhur me skandalin në të cilin është përfshirë dhëndëri i tij, Luan Kryeziu.

“Unë i lexova të gjitha gazetat edhe më vjen keq për nivelin e gazetarisë, unë tanë kohen jam marr çështjen e ligjeve as që kam pas kontakte për këtë. Mendimi është për turp, por lere më për tjerët që mendojnë më tutje”, kishte thënë Hasani për Insajderin.

Për mos financimin nga QKK-ja projekti që i kushtoi shteti 180 mijë euro, për Gazetën Insajderi, kishte folur drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës Arben Zharku.

“Vitin e kaluar pjesë e konkursit të QKK-së, ka qenë edhe projekti “Lojë jete”, ku juria shtatë anëtarësh nuk e ka votuar mjaftueshëm që të arrijë të financohet. Nga 15 projekte që kanë aplikuar në kategorinë për film të metrazhit të gjatë artistik, juria ka mbështetur 6 projekte, ndërsa projekti “Lojë jete”, ka qenë i radhitur i 12-ti në listë. Ky është komenti i vetëm që mund ta bëjmë për faktin se nuk i komentojmë vendimet e qeverisë apo institucioneve tjera që nuk janë në kompetencë tonën”, kishte theksuar Arben Zharku – drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Regjisori i cili në krijimtarinë e tij e ka të suksesshëm vetëm filmin “Heroi”, përfitoi në mënyrë të kundërligjshme nga Qeveria e Kosovës, 180 mijë euro për realizimin e filmit “Lojë jete”, ndërsa përveç këtyre mjeteve ai i përfitoi edhe dy projekte të tjera nga institucionet e Kosovës.

Kujtojmë se marsin e vitit të kaluar regjisori Luan Kryeziu, bëri bujë nëpër mediat vendore me deklaratën e tij për filmin me Adem Jasharin. Ai pati deklaruar se aktori serb Rade Šerbedžija, ka kërkuar ta luajë rolin e Heroit Kombëtar por që Kryeziu nuk e ka pranuar. Këto deklarata u hodhën poshtë nga aktori Šerbedžija, i cili pati  thënë se ai asnjëherë nuk është ofruar për këtë rol dhe se Kryeziu ka gënjyer vetëm për të tërhequr vëmendjen kah projekti i tij. /Insajderi.com