VV-së i “skadon” afati – LDK nuk merr përgjigje as këtë javë

E diela e kësaj jave ka qenë dita finale për Lidhjen Demokratike të Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Këto dy parti, tash e sa muaj po tentojnë në mënyra të ndryshme t’i harmonizojnë qëndrimet e ta bëjnë koalicionin për qeverisjen e proklamuar si Qeveria Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje këtë ultimatum të vendosur nga i pari i LDK-së, Isa Mustafa, nuk e ka marrë fare seriozisht. VV, që doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit, nuk ka folur ditën e sotme për vazhdimin e bisedimeve me LDK-në ndërsa ajo çka është parë , ka qenë lideri i saj, Albin Kurti dhe nënkryetari, Glauk Konjufca, në një ndejë në Pejë.

Ata duken fare të relaksuar e të buzëqeshur pa e lodhur mendjen për ultimatumin e Mustafës në arritjen e koalicionit. Fotografitë kanë qarkulluar në rrjete sociale të publikuar nga aktivistë të kësaj partie ndërsa qëllimi i ndejës sipas VV-së, ka qenë i rastësishëm.

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë deklaruar për medie se ditën e sotme nuk është planifikuar ndonjë takim me Lidhjen Demokratike të Kosovës ndërsa sipas tyre, mbetët të shihet në fillim të javës së ardhshme.

E në kampin tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka përçuar mesazhe politike e ka paralajmëruar oferta të reja drejtuar VV-së.

Nënkryetari i saj dhe njëherësh, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka zgjedhur llogarinë e tij në Facebook, t’i dërgojë “selame” zyrtarëve të VV-së.

Ai në një status ka deklaruar se një ndarje e drejtë dhe e balancuar e pushtetit mbi parimet e mirëbesimit, do ta bëntë Lëvizjen Vetëvendosje udhëheqëse të Qeverisë dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës timoniere të Parlamentit. Sipas Hazirit, kjo marrëveshje do t’i jepte fuqi koalicionit.

“Do t’i jepnin mirëbesim dhe shkathtësi për t’u përballur me situatën politike, pasi agjenda politike është jashtëzakonisht e rëndë karshi faktorit ndërkombëtar, karshi opozitës së organizuar, karshi Qeverisë së re. E kaluara në bashkëqeverisje ka dëshmuar qartë se ne jemi gardianë të interesave të kësaj republike përmes LDK’së dhe vetëm përmes LDK’së. Partitë e tjera politike nuk i shohim si armiq, por si rivalë politikë”, ka shkruar tutje nënkryetari Haziri.

Ai ka potencuar se do të ketë nevojë të punohet 24 orë në ditë e 7 ditë në javë, për t’ua kthyer besimin qytetarëve, mërgimtarëve dhe ndërkombëtarëve. Apeli i tij në këtë shkrim ka qenë që të ketë durim pasiqë sipas tij, këto konsultime të brendshme e mundësojnë eleminimin e çdo pengese apo “bombe” të kurdisur, të mandatit 4+.

Gazeta Online Insajderi pas shkrimit të Hazirit, ka tentuar të kontaktojë me zyrtarë të VV-së  dhe të marrë një qëndrim lidhur me këto deklarime, por këta të fundit, kanë qenë totalisht të paqasshëm.

Ndërkohë, kandidati për kryeministër, Albin Kurti, po hynë në 10 ditëshin e fundit për formimin e Qeverisë. Ai e kishte marrë mandatin nga i pari i vendit, Hashim Thaçi.

Pas përfundimit të afatit shprehur nga LDK-ja për formimin e Qeverisë, kjo parti mbetet javën që vjen ta merr një vendim lidhur me negociatat me VV-në dhe në një formë, ta gjej apo jo rrugën e duhur për arritjen e marrëveshjes.

Takimi i fundit mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës thuhet se ka ndodhur ditë më parë në shtëpinë e këtij të fundit në Prapashticë ndërsa sipas informacioneve, ngërçi është i njejtë dhe të dy partitë, nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët për krijimin e Qeverisë.