fbpx

Xhami, park apo objekt afarist – Shkolla e kryeqytetit që pritet të rrënohet në prag të fillimit të vitit shkollor

Xhami, park apo objekt afarist – Shkolla e kryeqytetit që pritet të rrënohet në prag të fillimit të vitit shkollor

Fillimisht bëheshin plane që objekti do të rrënohet e të ndërtohet shkollë e re, pastaj park, xhami, ndërtime të larta e krejt në fund ka ardhë një ide tjetër për një qendër tregtare. Bëhet fjalë për objektin e Shkollës së Mesme “Ahmet Gashi” në Prishtinë. Ky objekt ndryshe njihet edhe si Shkolla Teknike. Pak metra më lartë se Shkolla e Mesme “Sami Frashëri”, që nga 14 gushti, dy javë para se të nis viti i ri shkollor, nxënësit, prindërit dhe profesorët nuk e dinë se ku do të mbajnë mësim.

Sipas një komisioni të cilët e kanë bërë vlerësimin e fizibilitetit të kësaj shkolle, rezulton të jetë rrezik i madh për nxënësit e profesorët që të mbajnë mësim aty. Thuhet se është rrezik që shkolla dita e ditës të shembet.

Mirëpo krejt ndryshe i kishin thënë punëtorët drejtorit të kësaj shkollë Ilmi Reçica. Asokohe sa ishin duke i bërë matjet, drejtori Reçica, tregon për Gazetën Insajderi, se i ishte thënë që kjo shkollë i ka themelet aq të forta sa do t’i qëndrojë kohës. Por, fjalët ndryshuan kur u shkruan në letër.

“Në dhjetor apo në janar, nuk jam shumë i sigurt, ka qenë një grup një komision i vlerësimit të fizibilitetit të shkollës, dhe sipas atij grupi që e kanë bërë vlerësimin ata kanë  konstatuar se shkolla gjoja se nuk i plotëson kushtet dhe i ka themelet e kalbura dhe duhet të rrënohet. Ata fillimisht kanë ardh tek unë, i kanë bërë matjet dhe punëtorët gjatë matjes kanë thënë se paska themele të forta dhe kjo shkollë është shumë e fortë. Në letër atje ka dalë ndryshe”, ka thënë fillimisht drejtori.

Në kohën kur komisioni e ka bërë vlerësimin e fizibilitetit, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, ishte Jonuz Salihaj. Ai kishte propozuar që ky objekt të rrënohej dhe të ndërtohet një objekt tjetër që do t’i përkiste kësaj shkolle. Por, shpejt u shkarkua Salihaj, dhe erdhi në krye të kësaj drejtorie, tashmë drejtoresha Shpresa Shala. Kjo e fundit, dy muaj pas marrjes së mandatit, kishte parë raportin e komisionit dhe kishte thënë që shkolla duhet të rrënohet dhe në vend të saj të baht një park.

Deri më 14 gusht nuk ka lëvizur asgjë sa i përket fatit të këtij objekti dhe nxënësve. Më 14 gusht, drejtori Reçica, i cili njëherësh ishte edhe kandidat për asamble nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, tha se u  është thënë që më 2 shtator t’i shpërndaj gjysmën e nxënësve në shkollën e mesme  “Sami Frashëri” dhe gjysmën tjetër në shkollën fillore “Emin Duraku”, në orarin e pasdites që ta mbajnë mësimin.

“Tash ka filluar reagimi i prindërve, i nxënësve dhe i profesorëve që po thonë që nuk dalin nga kjo shkollë.  Neve na është thënë që do të shkojmë në shkollën Gjin Gazulli, mirëpo deri të shkojmë atje do të na shpërndajnë nëpër shkolla të ndryshme.  Këtu kanë nis të flasin njerëz, dhe kemi informata të paverifikume ku kanë thënë që po na bëjnë presion që t’i lirojmë shtëpitë për ndërtim të lartë. Fillimisht na ka ardh një informacion se këtu do të ndërtohet një xhami. Ka pas reagime të ndryshme edhe për qendër tregtare, edhe park e kështu me radhë”, tha Ilmi Reçica.

Këtë gjë, sipas drejtorit nuk po e pranojnë prindërit.

“Kemi pasur mbledhje të Këshillit të Arsimtarëve, Këshillit Drejtues të Shkollës dhe Këshillit të Prindërve, ku këta të fundit thanë që nuk shkojnë në asnjë shkollë tjetër. E kemi problem të zhvendosemi pasi që, orari i mësimit do të mbahet gjithmonë pasdite dhe është problem edhe për transport për fëmijët edhe për të gjithë.

Unë si drejtor shkolle nuk kam fuqi të shtyhem me vendimet e shtetit, sepse nëse ata kanë vendos ashtu dhe nëse është ashtu nuk guxojmë të mendojmë ndryshe sepse nuk duam të rrezikojmë jetën e fëmijëve. Mirëpo nuk duhet që t’i ndërrohet destinacioni që sot të rrënohet shkollë, nesër të bëhet një park e pastaj të dalë një objekt krejt tjetër”, është shprehur Ilmi Reçica.

Për  fatin e mbi 1400 nxënësit e shkollës së mesme “Ahmet Gashi”, ende nuk dihet.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një përgjigje me shkrim, i ka thënë Gazetës Insajderi, se ende nuk është marr kurrfarë vendimi, asni pse, kanë mbetur vetëm pak ditë që kur fillon viti i ri shkollor. Ai i ka thënë gazetës se kjo është një dezinformatë e qëllimshme.

“Nuk është marrë kurrfarë vendimi për rrënim e aq më pak për objekte afariste. Në shkollën “Ahmet Gashi” është bërë testimi i statikës dhe vlerësimi është që është rrezik të mbahet mësim aty. Për shkak të sigurisë së nxënësve dhe mësimdhënësve, është menduar largimi nga objekti deri të bëhen testime tjera për të vlerësuar rrugën përpara”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka theksuar se në këtë moment janë duke e vlerësuar se si mund ta riorganizojnë mësimin deri të vlerësohet rrezikshmëria dhe të gjitha rrethanat tjera.

Gazeta Insajderi, i ka dërguar pyetje edhe drejtorit të Drejtorisë së Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave, Gëzim Mehmetit, për ta pyetur në lidhje me objektin në fjalë. Ai nuk ka kthyer përgjigje edhe pse gazeta e ka telefonuar dhe e ka pritur disa ditë.

Të enjten më 22 gusht, prindërit, profesorët bashkë me drejtorin, do të takohen edhe njëherë dhe do të dakordohen se cilët do të jenë hapat që do t’i ndërmarrin në vazhdim. Ata thonë se nuk largohen nga shkolla dhe se mësimin do ta mbajnë aty. /Insajderi.com