Zëvendësministri Rexhep Kadriu i përfshire edhe në një aferë tjetër

Zv/ministri i Infrastrukturës Rexhep Kadri, është përfshirë në një tjetër ndërhyrje nga posti i tij politik. Ai ka angazhuar një kompani për kryerjen e elaboranteve socio-ekonomike, ndërsa kërkohej nga zyrtari i kësaj ministri që ta shpallte konkursin formalisht. Kompania që zgjodhi zv/ministri do ta kryente këtë punë. Ardian Begaj është ankuar për presion nga Kadriu. Ka refuzuar kryerjen e punëve me direktivat e tij dhe më pas është shkarkuar.

Zëvendësministri Rexhep Kadriu i përfshire edhe në një aferë tjetër

Numri i zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës që kane pasur telashe me zëvendësministrin Rexhep Kadriu është i madh.

Përveç rastit të publikuar në media të dy zyrtarëve që e kanë denoncuar atë të sekretarit Betim Reqica, Insajderi ka zbuluar se është edhe një rast tjetër i dyshimtë, për kryerjen e elaboranteve socion-ekonomike.

Ardian Begaj ka drejtuar për kohë të gjatë Njësinë e Implantimit të projekteve të BERZH-it brenda Ministrisë së Infrastrukturës. Atij i është bërë presion nga Kadriu që të marrë vendim që favorizojnë një kompani private.

Insajderi ka siguruar komunikimet përmes e-mailit që Begaj i kishte dërguar tek ish-sekretari Nebih Shatri. Ankohej për ndërhyrje në punën e tij nga zëvendësministri Kadriu.

Madje, sipas ankesës, politikani Kadriu i kishte treguar njësisë së BERZH-it se tashme e kishte përzgjedhur vetë një kompani private për të bërë vlerësimin e shpronësimeve.

Në komunikimin zyrtarë përmes e-maileve, zv/ministri njofton se ka angazhuar një kompani për kryerjen e elaborateve socio-ekonomike. Ardian Begaj kishte refuzuar të hapte konkursin formal pasi që zv/ministri kishte negociuar jo zyrtarisht me një kompani.

“Është e saktë që kemi mbajtur takimin, por ju kisha lutë që të bëni kërkesën për inicim të procedurës së tenderimit sepse neve si MI na nevojitet të kontraktojmë një kompani për kryerjen e elaborateve socio-ekonomike”.

“Është mirë sipas detyrës zyrtare dhe si pas përgjegjësive tuaja të kryeni sa më shpejt se nuk mundemi ne të kryejm elaboratin”, thuhet në kërkesën e parë të sekretarit të atëhershëm Shatrit, ndaj Ardian Begajt.

Në përgjigjen e Begajt ndaj Shatrit, ai refuzon që të hapë konkursin që i bie të jetë formal nga kjo ministri, pasi që kompaninë e ka përzgjedhur zv/ministri Kadriu.

“Pasi që sot në mëngjes kërkuat nga njësia për implementimin e projekteve të financuara nga kredia me BRZH-in, për ti përgatitur procedurat e incizimit të tenderimit për plotësimin e elaborateve të shpronësimeve edhe me dy komponentët”.

“Njësiti për implementimin e projekteve të BERZH-it ju njofton që kemi pasur një takim me zv/ministrin z. Rexhep Kadriu ditën e premte datën 16.02.2018 në zyrën e zv/ministrit. Në këtë takim zv/ministri na informoj që ju (NIZP) nuk keni nevojë mu marrë me këtë çështje pasi që një kompani që ai e ka angazhuar është për përfundimin e sipër të këtyre elaborateve plotësuese të shpronësimeve sipas kërkesës së BERZHI-it”, thuhet në përgjigjen e Begajt.

Sipas të njëjtës përgjigje, kompania e angazhuar nga zv/ministri brenda 15 dite do t’i dorëzonte elaborantet plotësuese të shpronësimit dhe se ministria nuk ka më nevojë të merret me këtë çështje.

“Gjithashtu në takim zv/ministri tha që kjo kompani brenda 15 dite që t’i dorëzojë këto elaborate plotësuese të shpronësimeve dhe se njësia implementuese nuk ka pse të merret me këtë çështje. Ai në takim na tha që edhe kërkesën së bashku me këto elaborate që ai ka porositur, ai do t’i dërgojë në MMPH për procedura të shpronësimeve”.

“Prandaj i nderuar sekretar të gjendur në këtë situatë nuk e dimë se si të iniciojmë procedura tenderuese për këtë çështje kur veç është duke punuar një kompani në këtë drejtim sipas asaj që u tha më sipër”, thuhet në përgjigjen e Begajt.

Gjatë ditës së djeshme, ishte publikuar nga mediat një tjetër përfshirje e zv/ministrit Kadriu në tenderë. Ai kishte kërkuar që të favorizohej një kompani nga Gjilani, prej nga është edhe vet zv/ministri.

Në një dokument të publikuar anëtarët e komisionit të ministrisë që po merreshin me vlerësimin e ofertave të tenderit, janë ankuar se zëvendësministri Rexhep Kadriu, po bën presion për të vepruar në favor të kompanisë “IPE-Controls”./Insajderi.com