Hykmete Bajrami jep detaje sesi u vodhën 2.1 milionë euro

Hykmete Bajrami jep detaje sesi u vodhën 2.1 milionë euro

“Ashtu siç kam njoftuar edhe më herët ne po i ndërmarrim të gjitha hapat ligjor. Pas 3 minutave që unë jam informuar kam raportuar në polici. Ky është një krim ekonomik, i realizuar përmes një krimi kibernetik. Ka pasur qasje të paautorizuar, janë tejkaluar autorizimet ligjore, dhe është bërë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe janë thyer passëorde. Nuk është kërkuar për asnjë transaksion nënshkrimi im as i drejtorit të thesarit. E gjitha ka ndodhur përmes një falsifikimi. Ne i kemi njoftuar organet e drejtësisë përfshirë prokurorinë, departamentin për krime kibernetike dhe ekonomike, njësinë për inteligjencën financiare dhe AKI”.

Këto detaje ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, i dha gjatë raportimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Bajrami ndër tjerash në raportim tha se nuk është kërkuar nënshkrimi i saj e që krimi është i gjurmueshëm.

“Ka gjurmë se nga cili kompjuter janë bërë nga cili zyrtarë janë bërë, ku kanë shkuar dhe nga cila kompani madje janë ndarë nëpër subjekte. Krimi është i gjurmueshëm. Me këtë rast po merren të gjitha organet. Prej 2009 ka ndodhur delegimi i pagesave në mënyre elektronike. As nuk është kërkuar nënshkrim nga ana ime. Është bërë pa autorizim, ka tejkalim dhe keqpërdorim i të detyrës zyrtare dhe është krim ekonomik dhe kibernetik”, tha Bajrami. /Insajderi.com