Hyseni: Dialogu me Serbinë mund të përmbyllet brenda këtij viti

Hyseni: Dialogu me Serbinë mund të përmbyllet brenda këtij viti

Ish-kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, thotë se procesi i negociatave mund të përmbyllet edhe brenda këtij viti, transmeton Insajderi.

Ai shton se dialogu duhet të përmbyllet patjetër me njohje reciproke dhe të mos lëjë asnjë aspekt të pazgjidhur midis dy vendeve.

“Dialogu duhet të përmbyllet patjetër me njohje të ndërsjellë, përfundimi i këtij dialogu nuk duhet të lërë asnjë aspekt të konflikt mes Serbisë dhe Kosovë të pazgjidhur. Kemi momentin dhe nëse ne do të dimë ta shfrytëzojmë mund ta përmbyllim procesin Brenda këtij viti dhe nuk e shoh aspak të pamundur që Kosova dhe Serbia deri në fund të vitit të nënshkruajnë një marrëveshje përfundimtare”, ka thënë Hyseni për ‘Euronews Albania’.

Sipas tij, e kjo varet nga fakti se sa është i përgjegjshëm kryeministri Albin Kurti në zbatimin e marrëveshjeve dhe porosivë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Shpresoj dhe uroj shumë që qeveria e Kosovës ta kuptojë se sa e rëndësishme dhe e dobishme është për Kosovën që të vazhdohet aty ku ka mbetur, me atë kornizë të parimeve themelore që është shumë e qartë dhe të synohet harmonizimi i marrëveshjeje të përgjithshme që patjetër duhet të jetë dhe njohje reciproke”, deklaroi Hyseni.

Sipas ish-kryenegociatori nga takimi i 15 qershorit në Bruksel nuk pritet “asgjë spektakolare” pasi “efektivisht është vazhdim i dialogut që ka filluar në korrik të vitit të kaluar”.

“Kosova duhet të tregojë seriozitet në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk mund të trajtojë me mospërfillje marrëveshje e saj që i ka ratifikuar në Kuvend. Nuk funksionon kështu politika e jashtme e asnjë vendi, e sidomos politika e një vendi që ende nuk e ka përmbyllur statutin e vet”, shton ai.

Sipas Hysenit, Kosova “nuk mund ta luajë pavarësinë totale në politikën e jashtme”.

Ai theksoi se pakoja Ahtisari nuk është një marrëveshje ndërkombëtare, por një raport për zgjidhjen e problemit të Kosovës. E njëjta gjë vlen edhe me Rambujenë, e cila është tërësisht e tejkaluar dhe nuk ka nevojë të zbatohet asgjë nga ajo marrëveshje. /Insajderi.com