Për arsye që ende nuk janë bërë të ditura, EULEX-i ka arrestuar kryetarin e OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati. Arrestimi ka ardhur pasi fillimisht ka ndodhur bastisja e zyrave të OVL-së nga pjesëtarë të armatosur të EULEX-it. Derisa bastisja po vazhdon, veteranë të luftës janë grumbulluar para objektit ku ndodhen zyrat.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, është arrestuar dhe nxjerrur i prangosur nga zyrtarët e EULEX-it, të cilët bastisën zyrat e OVL-së, njofton Insajderi.
Lajmi për arrestimin e Gucatit u bë fillimisht i ditur nga nënkryetari i OVL-së, Nasim Haradinaj.
“Zoti Gucati më thirri më tha ‘hajde se më kanë arrestuar e po më dërgojnë për në Hagë’, por ende nuk u kry procedurat për arrestimit kështu janë duke më pritur edhe mua se edhe unë duhet të jem aty. Unë jam në Deçan, e tash jam nis për në Prishtinë”, ka pohuar Haradinaj.
Megjithatë ende nuk ka një njoftim zyrtar nga EULEX-i për arsyen e arrestimit të Gucatit. Gjithashtu nuk është bërë e ditur as arsyeja e bastisjes së zyrave të OVL-së.
Zyrtarët policorë të EULEX-it kanë rrethuar fillimisht dhe më pas kanë bastisur zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës.
Bastisja e zyrave të OVL-së vjen disa ditë pasi nga kjo zyrë u zbuluan dosje që më vonë u vërtetua se janë të Gjykatës Speciale.
Nga OVL thoshin se dosjet nuk i kanë marrë ata, porse dikush po ua sjellë.
Atë dikush ata e quanin “Rrufeja”, duke aluduar se ikte shumë shpejt pasi sillte dosjet.
Një herë edhe publikuan një video që tregon një person të maskuar që shkonte te zyra e OVL-së dhe linte grumbullin me dokumente.
Ambientet e veteranëve të UCK-së ditë më parë u vizituan edhe nga personel i Gjykatës Speciale./Insajderi.com