I akuzoi për lidhje me grupe mafioze, KShC i reagon kryeministrit Haradinaj

I akuzoi për lidhje me grupe mafioze, KShC i reagon kryeministrit Haradinaj

Paralajmërimi i kryeministrit Ramush Haradinaj se do të ndërmarrë hapa në lidhje me vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) për tërheqjen e akreditimit të universiteteve publike të Mitrovicës, Pejës dhe Prizrenit, ka nxitur reagimin e KShC-së.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka reaguar ndaj deklarimeve të Haradinajt, duke thënë se çdo ndërhyrje e paligjshme nga politika do të denoncohet në organet e drejtësisë.

“KShC shpreh shqetësimin për manipulimin e opinionit publik dhe përdorimin e vendimeve të KShC-së për lojë politike dhe thotë se do të rezistojë ndaj çdo ndërhyrje në pavarësinë e AKA-së dhe vendimmarrjen e KShC-së, ku çdo ndërhyrje të paligjshme nga politika do ta denoncojnë në institucionet e drejtësisë”, thuhet në reagimin e KShC-së.

Për më tepër, KSHC përkujton se ka një sërë standardesh të bazuara në Standardet dhe Udhëzimet për Sigurimin e Cilësisë në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë 2015, që synojnë garantimin e cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë, konform standardeve evropiane.

“KShC merr vendime mbi rekomandimet e ekspertëve sipas mandatit që ka dhe legjislacionit në fuqi. Ekspertët janë nga ENQA, miratuar nga KShC, ndërsa përzgjedhja e ekspertëve për vlerësim të IAL-ve dhe programe të studimeve, është përgjegjësi e drejtorit dhe stafit të AKA-së. Përzgjedhjen e ekspertëve për IAL-të dhe programet e ka bërë AKA”, thuhet më tej në deklaratë.

Kryeministri Ramush Haradinaj u shpreh dje se është i papranueshëm vendimi i KShC për mbylljen e tri universiteteve publike të Mitrovicës, Pejës dhe Prizrenit.

“Është i papranueshëm vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e tri universiteteve publike; atij në Pejë, në Mitrovicë dhe në Prizren”, shkroi Haradinaj në Facebook të hënën. Tha se e konsideron të padrejtë mohimin e mundësisë për regjistrim të studentëve.

“Ndaj këtij rasti do të veprojmë menjëherë, duke ndërmarrë hapa konkretë në zgjidhjen e kësaj situate”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, sot, Haradinaj deklaroi se brenda Këshillit Shtetëror të Cilësisë ka grupe mafioze.

“E di që kanë me na kritiku sepse është institucion i pavarur por e dimë çfarë mafie ka aty”, u shpreh Haradinaj gjatë një konference për media të martën.

KShC është organ i vetëm për vendim-marrje dhe politikë-bërje në çështjet e akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL-ve) dhe programeve të studimeve në Republikën e Kosovës, mandat ky i dhënë nga Ligji për Arsimin e Lartë. /Insajderi.com