I burgosuri që vdiq në QKUK ishte i dënuar me 6 vite burg për dhunim seksual

I burgosuri që vdiq në QKUK ishte i dënuar me 6 vite burg për dhunim seksual

E enjtja ishte dita e fundit e jetës për të burgosurin Martin Nikulaj nga Istogu. I njejti po mbahej për më shumë se dy vite në Burgun e Dubravës për një dhunim që ishte kryer më 2 shkurt të vitit 2017.

Ai nuk arriti që ta priste as ditën e lirimit. 63 vjeçari ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).

Në Shërbimin Korrektues të Kosovësë kanë thënë se i burgosuri ka qenë nën tretman mjekësor që nga 29 marsi i këtij viti.

Zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi thotë se 63 vjeçari  ishte në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës që nga nëntori i 2017’ës.

Deklaron se ai ka qenë i dënuar me gjashtë vite burg për dhunim.

“Nga data 29.03.2019 ka qenë nën tretman te stafit dhe i vendosur ne stacionarin e burgut ku kishte vizita sistematike. Pas vizitave sistematike nga kardiologët në SP në Pejë është rekomanduar që të dërgohet në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK, ku dhe është dërguar menjëherë. Pas kontrollave dhe analizave, të hënën më 06 Maj është liruar për të u sjell prapë të premten për intervenim”, ka thënë Gashi.

Ai ishte arrestuar më 21 nëntor të 2017’ës, derisa lirimi i tij parashihej të bëhej më 21 nëntor të 2023’ës.

“Ka qenë i denuar për Vepren Penale Dhunim.I burgosuri veprën penale e ka kryer me 02.02.2017. Data e arrestit 21.11.2017 – data e lirimit 21.11.2023”, thuhet në përgjigjet e Gashit drejtuar Gazetës Express.

Ndërkohë, lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur sot në mëngjes Shërbimi Korrektues i Kosovës.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin publik se me datë 09 maj 2019 rreth orës 08:50, sipas informatave nga QKUK, në njësinë Qendrore të Kujdesit Intenziv ka ndrruar jetë i burgosuri M.N, i lindur më 1956”, thuhet në njoftimin e SHKK’së.

Në këtë institucion njoftojnë se i burgosurit ka qenë në mbajtje të dënimit në Dubravë dhe se ka pasur Anaurismae Aorta Abdominalis (AAA).

Trupi i të ndjerit  është dërguar për autopsi, për të verifikuar shkakun e vertetë te vdekjes.