I dënuari për vrasje në Shqipëri e vë në alarm Policinë britanike

I dënuari për vrasje në Shqipëri e vë në alarm Policinë britanike

Policia e Bexley në Britaninë e Madhe i ka bërë apel qytetarëve për gjetjen e një shqiptari të dyshuar për vrasje. Hektor Mahmutaj u arrestua më 11 janar 2018 nga oficerët e Met’s Extradition Unit me kërkesë të autoriteteve shqiptare në lidhje me akuzat për vrasje në Shqipëri.

Por më 27 mars, 43-vjeçari ia mbathi dhe shkeli kushtet e lirimit me kusht. Policia britanike bëri thirrje që kushdo që e sheh apo di vendndodhjen e tij të kontaktojnë me policinë.

Hektor Mahmutaj rezulton i dënuar me 25 vite burg në Shqipëri për vrasjen e një fermeri. Ai qëlloi për vdekje Gentjan Jahaj në korrik të vitit 1997. Mahmutaj është në listën e personave më të kërkuar nga Interpolit për akuzat për vrasje me paramendim, prodhimin dhe posedimin e armëve ushtarake dhe municioneve.