I kërkohet Edi Ramës që gjatë vizitës në Rusi të kërkojë njohjen e pavarësisë së Kosovës

I kërkohet Edi Ramës që gjatë vizitës në Rusi të kërkojë njohjen e pavarësisë së Kosovës

Presidenti i Këshillit të Ambasadorëve shqiptarë, Besnik Mustafaj, e cilëson si mjaft të rëndësishme vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Rusi, në cilësinë e drejtuesit të OSBE-së.

Në takimin që do të ketë me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov, Mustafaj thotë se Rama duhet të kërkojë njohjen e pavarësisë së Kosovës, raporton “A2news”.

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, që e vizitoi Rusinë në vitin 2006, thotë se takimi i Ramës me Lavrovin duhet të shërbejë edhe për t’i hapur rrugë dialogut mes dy vendeve.

Mustafaj nuk e kursen as një këshillë për Edi Ramën: “Të mos mendojë se ky është një rast për protagonizmin e tij personal. OSBE-ja nuk është organizatë protagonistësh”.

Takimi i Ramës me Lavrovin është parashikuar më 26 shkurt. Parandalimi i përshkallëzimit të konfliktit në Ukrainë, të cilën Shqipëria e ka ndër prioritetet e kryesimit të saj të OSBE-së, pritet të jetë ndër temat kryesore të takimit. /Insajderi.com