“I lutem shtetit që të na kthejë fëmijët, po vdesin nga uria”, thirrja prekëse e gjyshes për mbesat nga kampi

“I lutem shtetit që të na kthejë fëmijët, po vdesin nga uria”, thirrja prekëse e gjyshes për mbesat nga kampi

Në lidhje telefonike me studion e A2, një gjyshe e cila ka 3 mbesa në kampin Al Hawl bëri një lutje për shtetin shqiptar.

“Fëmijët po vdesin nga uria, 2-3 herë u ka rënë të fiktë. I lutem shtetit që të na i kthejë, po qajnë përditë”, tha gjyshja.

I ftuar në emision, gazetari i A2, Jul Kasapi tha: “Ka ardhur momenti që të bëhet diçka me patjetër. Shteti nuk mund të presë më. Duhet bërë diçka për të gjithë ata njerëz që ndodhen në kamp. Aty nuk jetohej dot, ishte Ferr. Duhet bërë diçka konkrete”.

Në lidhje me iniciativat personale të të afërmve për të shkuar në kamp, drejtori i programeve në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Gjergji Vurmo, tha: “E di që është shumë e vështirë, jam i sigurtë se në një situatë të tillë të erren sytë, por kjo nuk është mënyra e duhur për të shpëtuar ata njerëz. Duhet të jetë mision i shtetit shpëtimi i tyre”.

 

Gazetari që ka qenë në kamp shpjegoi se misionet personale janë të pamundura.

“Nëse je i afërt, është e pamundur të shkohet. Pas kalimit të një procedure nga inteligjenca kurde, një person të lajmëron në 12 të natës ditën dhe orën e paraqitjes në kamp. Aty më pas merresh në pyetje. Kam pasur kontakte me shumë familjarë dhe bëj thirrje të mos merren përsipër iniciativa të tilla për të shkuar vetë atje. Situata nuk është fare e qetë, është e rrezikshme. Ishim vetë prezent kur pati bombardime. Nëse përpiqesh të nxjerrësh nga kampi të afërmit, duhet të kuptojmë që është kamp në mes të shkretëtirës, ku ka celula të ISIS. Janë iniciativa të pavlera. Jam besimplotë që shteti duhet dhe do të bëjë diçka. Duhet vepruar tani”, deklaroi gazetari i A2.