“I pasiguruar dhe pa kontratë pune” – Lavdim Behrami flet për djalin e axhës së tij që vdiq tragjikisht

“I pasiguruar dhe pa kontratë pune” – Lavdim Behrami flet për djalin e axhës së tij që vdiq tragjikisht

Visar Behrami dje është gjetur i vdekur nën rrënojat e hotelin “Adriatik” në Mitrovicë, ku po kryente punën e tij të përkohshme, pa siguri, pa kontratë pune dhe pa asnjë mjet mbrojtës, shkruan Insadjeri.

Djali i axhës së tij, Lavdim Behrami ka thënë për Insajderin se djali i axhës së tij nuk ka punuar rregullisht.

Lavdimi thotë se Visari ka punuar vetëm kur punëdhënësi i tij ka marrë ndonjë punë ose tender.

“Visari ka punu kohë pas kohe, kur punëdhësi ka marrë ndonjë punë, tender a diçka. Në ditën krikike ka qenë duke punu në atë objekt pa mjete mbrojtëse të punës të cilat nuk i ka pasë. Siguri në punë nuk ka pasë kurrë. Standardet e punës kanë qenë nën nivel”, ka thënë Lavdimi.

Ai ka treguar se si Visari është ‘detyruar’ të punojë pa kontratë pune dhe në ditë festash siç ka qenë dita e djeshme.

“Ka ndodhë edhe kjo; ka punu në rrethana të tilla. Plus ka qenë ditë feste. Por ky është realiteti ynë i hidhur. S’ka pasë as kontratë pune, as të përkohshme e as të përhershme”, është shprehur Lavdimi.

Visarin, Lavdimi do ta kujtojë si djalë të urtë e punëtor.

“Ai djalë ka qenë punëtor. Djalë i urtë; ka punu për familje”, ka thënë Lavdimi.

Indoks ka realizuar dokumentarin “Ndërtim mbi gjak”  për punëtorët kosovarë, me theks të veçantë për ata në sektorin privat. Ky dokumentar është fokusuar në vdekjet e punëtorëve në sektorin më të rrezikshëm në vend, ndërtimtarinë.