I riu nga Drenasi që posedon mbi dy mijë video të luftës shprehet i gatshëm për të bashkëpunuar me shtetin

I riu nga Drenasi që posedon mbi dy mijë video të luftës shprehet i gatshëm për të bashkëpunuar me shtetin

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pritur të martën në takim Esat Shalën, të riun nga Krajkova e Drenasit, i cili që nga paslufta në mënyrë vullnetare ka koleksionuar mbi dy mijë video-incizime të masakrave të kryera nga regjimi serb në Kosovë, përcjell Insajderi.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për medie, Shala është shprehur i gatshëm për bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë lidhur me adresimin e krimeve të luftës.

“Në këtë takim u njoftuam për punën e tij vullnetare në mbledhjen e dëshmive për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë e po ashtu folëm për bashkëpunimin në iniciativën për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë ministrja Haxhiu, thuhet në njoftimin e MD-së.

“Në emër të Ministrisë, ministrja e falënderoi Esatin për punën e bërë deri më tani në dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë si dhe u dakorduan për bashkëpunim në arritjen e synimeve për adresimin e këtyre krimeve”, thuhet tutje në njoftimin për medie./Insajderi.com