I vazhdohet paraburgimi të dyshuarit për vrasjen e gruas dhe vajzës në Gjakovë

Gjykata e Gjakovës e ka vazhduar për dy muaj masën e paraburgimit ndaj Pjetër Nrecajt, i dyshuar për vrasjen e dyfishtë në Brekoc të Gjakovës.

Pjetër Nrecaj dyshohet të ketë kryer veprën penale vrasje e rëndë, duke privuar nga jeta bashkëshorten dhe vajzën e tij.

Vrasja kishte ndodhur me 7 gusht të këtij viti.

Kërkesën për vazhdimin e paraburgimit e ka bërë prokurori Agron Matjani dhe Gjykata e aprovoi duke e lënë të dyshuarin Nrecaj në paraburgim deri më 5 nëntor të këtij viti.

Prokuroria në kërkesën e saj pretendon se paraburgimi duhet t’i vazhdohet për arsye se faza e hetimeve ende s’ka përfunduar dhe se ekzistojnë arsyet ligjore duke marrë parasysh lartësinë e dënimit për këtë vepër penale që është jo më pak se 10 vjet burgim apo burgim të përjetshëm.

“Po ashtu, i pandehuri mund të asgjësojë provat, mund të pengojë rrjedhën e hetimeve si dhe të ndikojë te dëshmitarët e rastit”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë së Gjakovës.

Pjetër Nrecaj akuzohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, dhe vajzën e tyre të mitur./kallxo.com