I vdiq djali në Kosovën e pasluftës, babai padit shtetin gjerman – kërkon mijëra euro dëmshpërblim

I vdiq djali në Kosovën e pasluftës, babai padit shtetin gjerman – kërkon mijëra euro dëmshpërblim

Udo Horn nga Neupetershejni, një fshat i Kotbusit në Gjermani, ka nisur një ‘luftë’ ligjore kundër Republikës Federale të Gjermanisë. Për djalin e tij, i cili vdiq më 31 janar të vitit 2000 në Kosovë, ai po kërkon kompensim të plotë në bazë të Ligjit për Ushtrinë.

Ai dhe bashkëshortja e tij kërkojnë të drejtën e dëmshpërblimit prej 40,000 eurosh – për të cilat ata janë të bindur se u takojnë. Por, Ministria Federale e Mbrojtjes nuk është pajtuar ende.

Kushtet për dëmshpërblim, sipas shtetit gjerman, nuk u plotësuan në rastin e Hornit. Kërkesa e tij u refuzua, shkruan LR Online, një gazetë lokale nga rajoni i Kotbusit.

Ministria Federale e Mbrojtjes argumenton se vdekja e djalit të Udo Horn nuk mund të konsiderohet si pasojë e shërbimit ushtarak, për sa i përket të drejtave të pensionit.

Në fillim të vitit 2016, Udo Horn paraqiti një padi ndaj shtetit në gjykatën administrative të Kotbusit. Sidoqoftë, ende nuk është mbajtur gjykimi, transmeton Insajderi.

Sipas Ministrisë Federale të Mbrojtjes, André Horn vdiq nga Meningjiti – një infeksion i rëndë bakterial; një sëmundje që shkaktohet nga një lloj bakteri i veçante, i cili prek shtresat mbrojtëse që veshin trurin.

Udo Horn nuk e beson këtë. Ai vazhdon të besojë se djali i tij vdiq si pasojë e helmimit me metale të rënda. Në vitet 2001, 2005 dhe 2013 ai kishte ngritur kallëzime penale kundër Ministrisë së Mbrojtjes. Në vitin 2014, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Berlinit ndërpreu procedurat “në mungesë të dyshimit fillestar të veprës penale”. /Insajderi.com