Policia e Kosovës nuk ka arritur ende t’i identifikojë personat që të hënën në mesditë i vunë flakë një qeni, me arsyetimin se ishte i infektuar me koronavirus.
Krejt çka mund të themi deri tani është se rasti është duke u trajtuar, duhet ekzaminim i vendit e video për të gjetur kush e ka bërë këtë veprim, ka thënë për Insajderin Avni Zahiti, zëdhënës i stacionit të policisë në Mitrovicë.
“Nuk kemi diçka konkrete, janë duke e trajtuar çështjen ende nuk dihet se kush janë kryesit e këtij veprimi. Duhet pak kohë me trajtu rastin, duhet të ekzaminohet mirë vendi e videoja”, ka deklaruar Zahiti.
Ndryshe, rasti ka ndodhur në afërsi të hotelit “Vila Lux” në Mitrovicë.
Ky akt i tmerrshëm, i filmuar me kamerë amatore nga kryerësit e veprës, shfaq qenin e përfshirë nga zjarri. Në prapavijë dëgjohen zërat e atyre që dyshohen ta kenë kryer krimin, raporton Insajderi.
Njëri prej të dyshuarve, i identifikuar me emrin Blend, i ka thënë një aktivisti të të drejtave të kafshëve se “qeni ka pasur koronavirus”.
Tri ditë më parë, Qeveria e Kosovës u bëri thirrje qytetarëve që të eliminojnë kontaktet fizike me kafshët.
Në një konferencë për shtyp të premten, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kërkoi nga qytetarët të jenë të kujdesshëm në kontakte fizike me kafshët.
“Nëse keni kafshë shtëpiake largoni ato apo keni shumë kujdes”, u shpreh Vitia.
Kjo deklaratë e ministrit Vitia ngjalli reagimin e Odës Veterinare të Kosovës, të cilët i kërkuan ministrit të tërheq fjalët e tij për “largimin e kafshëve”.
Kryetari i kësaj ode, Arben Sinani, u shpreh nuk ka as një rast në botë ku nga kafshët janë prekur njerëzit, vetëm se flitet për infektimin e një qeni nga njerëzit, në Hong-Kong.
“Uroj të mos qëndroni pas deklaratës tuaj, sepse kjo shkakton panik tek popullsia dhe tek pronarët të cilët i dojnë dhe i mbajnë kafshët e shoqërimit!Shtrohet pyetja; -ku të shkojnë kafshët (qentë) që i largojnë pronarët?”, u shpreh kryetari i Odës së Veterinës.
Sinani ka thënë se deklarata të cilën e ka dhënë ministri, shpreson të jetë më shumë një lëshim si rezultat i presioneve nga situata e shkaktuar nga pandemia e COVID-19.
“Andaj ne si profesionist ju lusim që për gjëra që kanë të bëjnë me kafshë, shëndetin e kafshëve dhe rrezikun që i kanoset shëndetit publik nga zoonozat të konsultoheni me AUV-in dhe profesionistë të veterinarisë. Ju lutem miqësisht ta korrigjoni deklaratën”, thuhej në letrën publike të Sinanit.
Vitia nuk ka folur më për trajtimin e kafshëve në situatën emergjente në të cilën ndodhet vendi.
“E kish pas koronën ky” – i riu nga Mitrovica i vë flakën qenit