Ideja e Serbisë refuzohet nga Kosova por përkrahet fuqishëm nga Shqipëria

Ideja e Serbisë refuzohet nga Kosova por përkrahet fuqishëm nga Shqipëria

Kur Edi Rama takoi për herë të parë Aleksandar Vuçiqin në cilësinë e dy kryeministrave të shteteve që kishin gjysmë shekulli pa pasur raporte normale, përpos temës së dronit në ndeshjen futbollistike mes dy shteteve, lindi edhe një ide tjetër.

Në fakt ishte Vuçiqi, që të dielën u zgjodh për president të vendit, ai që kishte dalë me një ide e cila mori vëmendjen e madhe në mediat ndërkombëtare dhe rajonale, pas një situate të sikletshme nga ai takim, ku Rama ia përmendi Pavarësinë e Kosovës.

Vuçiqi më vonë doli dhe foli konkretisht dhe gjeti përkrahje fillimisht tek Shqipëria, dhe kryeministri shqiptar Edi Rama.

Vuçiqi thoshte se Ballkani ndoshta nuk mund të arrijë një paqe sociale dhe kulturore mes vete por këtë gjë mund ta shpejtojë zhvillimi ekonomik: një treg i përbashkët ballkanik. Ai thoshte se ky treg do të bashkonte Ballkanin dhe në këtë mënyrë do të zhvillohej një treg më i sigurt.

Nuk vonoi shumë dhe kësaj ideje iu përgjigj kryeministri shqiptar, Edi Rama i cili tha Ballkani ka nevojë për një treg të përbashkët rajonal.

Për tregun e përbashkët rajonal në Ballkan u fol nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, në tetorin e vitit 2016, kur në Nish po fliste në forumin e organizuar për takim të bizneseve. Pesë muaj më vonë, Rama përkrahu këtë treg të përbashkët në takimin e Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor që u mbajt gjatë javës në Sarajevë.

Pozitivisht u përgjigjen edhe Maqedonia ndërsa Mali i Zi paraqiti rezervat e saja por nuk u shpreh kundër.

Por Tregu i Përbashkët Rajonal që po përkrahet nga Serbia dhe Shqipëria, që nënkupton edhe heqjen e doganës për vendet e rajonit, Kosovës ia humbet hiç më pak se një miliard euro në vit.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, pas komunikimit që ka zhvilluar me drejtuesit e Doganave të Kosovës.

Hoxhaj ka thënë se Kosova nuk është e interesuar ta zhvendosë doganën as në Gjevgjeli e as në Suboticë, pasi që me pozicionin qendror që e posedon në Ballkanin Perëndimor, Kosova ka potencial të rritjes së të hyrave nëpërmjet doganave.

Edhe më herët Hoxhaj ka shprehur qëndrimin e tij kundër këtij tregu i cili fillimisht është propozuar nga Serbia dhe është mbështetur nga disa vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Hoxhaj ka thënë se asnjë treg paralel nuk mund ta zëvendësojë integrimin e përbashkët të Ballkanit Perëndimor në tregun e Bashkimit Evropian.

Në Samitin e fundit që kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë mbajtur në Sarajevë, e ku është paraqitur kjo ide, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa e ka kundërshtuar në mënyrë kategorike./Insajderi.com