IKSHPK: I arrestuari për korrupsion nuk është staf dhe aq me pak laborant i institutit

IKSHPK: I arrestuari për korrupsion nuk është staf dhe aq me pak laborant i institutit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka reaguar pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka arrestuar një laborant të IKSHPK-së nën dyshimin për korrupsion, njofton Insajderi.

Në një reagim në faqen zyrtare në Facebook, nga instituti kanë thënë se personi i lartëcekur nuk ka qenë pjesë e stafit e as laborant i këtij institucioni.

“IKSHPK njofton se personi i arrestuar sot nga Policia e Kosovës në ambientet e punës të IKSHPK-së në dyshimin për kryerje të veprës penale të korrupsionit, nuk është staf dhe aq me pak laborant i IKSHPK-së”, thuhet në reagim.

Tutje shpjegohet se cfarë pozite ka pasur ky person.

“Personi i arrestuar ka qenë duke punuar si personel mbështetës në punë administrative me kontratë të përkohshme në tre muajt e fundit me afat të caktuar në IKSHPK i kontraktuar si pjesë e projektit të Bankës Botërore për të përkrahur shëndetësinë e Kosovës në përballje me pandeminë COVID 19. Pa paragjykuar procesin e hetimeve në këtë rast, IKSHPK ofron mbështetje të plotë zbatimit të ligjit si dhe mbetet si gjithmonë e përkushtuar për të punuar në mënyrën sa më profesionale të mundur. Ky rast nuk mundet në asnjë mënyrë të zbeh punën kolosale të personelit të IKSHPK në luftimin e pandemisë me COVID-19 gjatë gjithë vitit 2020”, thuhet tutje./Insajderi.com