IKSHPK-ja godet partitë politike, kërkon ndalimin e tubimeve

IKSHPK-ja godet partitë politike, kërkon ndalimin e tubimeve

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë sërish thirrje për zbatimin e masave anti-COVID, sidomos tash që është paraqitur edhe varianti i ri i virusit SARS CoV-2, njofton Insajderi.

IKSHPK-ja përmes një komunikate ka bërë pesë rekomandime e gati të gjitha prekin më së shumti partitë politike, që tash e disa javë po organizojnë tubime të mëdha me simpatizantë në hapësira të mbyllura.

Në pikën 3, IKSHPK-ja ka rekomanduar “Ndalim rigoroz i tubimeve, sipas vendimeve në fuqi”.

Me vendimet në fuqi, nuk lejohet pjesëmarrja e më shumë se 30 vetave në hapësira të mbyllura dhe e 50 vetave në hapësirë. Ditëve të fundit, vetë liderët partiakë kanë postuar foto në rrjete sociale ku kanë organizuar tubime me qindra veta në salla të dasmave, pa maska e pa distancë.

Në pikën 4, IKSHPK-ja ka rekomanduar respektim rigoroz të masave kufizuese në aktivitetet publike, gjë që nuk është rast me partitë politike ditëve të fundit.

“Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit, përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë. Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e IKSHPK-së.

Nga nesër pritet të shpeshtohen tubimet politike, pasi nis fushata zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Deri më tash, vetëm Inspektorati në Komunën e Prishtinës i ka gjobitur partitë politike, në tetë raste, për shkelje të masave anti-COVID./Insajderi.com